![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/dautbasic-640.jpg)
Partia Aleanca për të Ardhmen më të mirë të Bosnjës dhe Hercegovinës propozoi Bakir Dautbasiçin për postin e Ministrit të Transportit dhe Komunikacionit, pavarësisht faktit se ditën e e hënë ai u ndalua për ndërhyrje në një gjyq për trafik droge dhe vrasje.
![Bakir Dautbasiç. Foto: Ministria e Brendshme e Bosnjës dhe Hercegovinës.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/dautbasic-640-300x225.jpg)
Bakir Dautbasiç, një politikan nga Aleanca për të Ardhmen më të mirë të Bosnjës dhe Hercegovinës (SBBBiH), u konfirmua të martën si kandidat i partisë për postin e Ministrit të Transportit dhe Komunikacionit, pavarësisht se ai u arrestua ditën e hënë.
Dautbasiç aktualisht ndodhet në paraburgim pasi u arrestua me partneren e tij Bilsena Sahman ditën e hënë nga Agjencia Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje, e cila merret me krimin e organizuar.
Sipas prokurorisë, Dautbasiç dyshohet se ka kryer aktivitet të jashtëligjshme duke ndikuar në dëshminë e një qytetareje boshnjake, Azra Sariç, gjatë gjyqit të baronit të drogës Naser Kelmendi në Prishtinë.
Ai akuzohet se ka ndërhyrë për të mbrojtur vetë Kelmendin dhe Fahrudin Radonçiçin, një manjat boshnjak dhe lider i SBBBiH-së.
“Dautbasiç i tha Sariçit të mos e përmendë Fahrudin Radonçiçin në dëshminë e saj”, tha prokurori Bozo Mihajloviç.
Sariç është ish e dashura e Ramiz Delaliç (i njohur ndryshe si Çelo), për vrasjen e të cilit dyshohet Naser Kelmendi.
Megjithatë, partia SBBBiH mohoi që Dautbasiç të ketë ndërhyrë në gjyq.
“Dautbasiç është i pafajshëm dhe ai mbetet kandidati ynë për postin e ministrit,” tha SBBBiH-ja në një deklaratë.
Edhe Vasvija Vidoviç, avokatja që mbron Dautbasiçin dhe Sahmanin, i mohoi gjithashtu akuzat dhe u ankua se prokuroria kishte bërë publike informacione mbi çështjen.
“Mendoj se kjo s’ka aspak lidhje me prokurorinë e krimeve dhe nuk ka asnjë arsye për të ndaluar Sahmanin dhe Dautbasiçin. Mendoj se arrestimi i tyre ka motivacione të tjera,” tha ajo në një intervistë për televizionin N1.
Vidoviç lajmëroi gjithashtu edhe qëllimin e saj për të apeluar kundër vendimit të prokurorisë për t’i mbajtur të dyshuarit në paraburgim për 30 ditë.
Ndërkohë, Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës dhe Hercegovinës ditën e enjte tha se kandidatura e Kakir Dautbasiç për postin e Ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit i përmbush të gjitha kushtet e nevojshme.
“KQZ-ja ka miratuar vendimin se kandidatët për funksionet brenda Këshillit të Ministrave, Bakir Dautbasiç dhe Sead Jusiç (kandidat për postin e zv/ministrit të mbrojtjes), përmbushin të gjitha kushtet e kërkuara nga Ligji mbi Këshillin e Ministrave i Bosnjës dhe Hercegovinës, për të cilët ata janë propozuar,” tha ai.