Delegacioni i Komisionit të Venecias tha se si formula e zgjedhjes me 3/5, ashtu edhe ajo me 2/3 përmbushin standardet europiane, ndërsa i dha një mbështetje të fortë krijimit të strukturës së posaçme antikorrupsion.
Në fund të vizitës 2-ditore në Tiranë, delegacioni i Komisionit të Venecias e cilësoi reformën në drejtësi si “të nevojshme dhe urgjente për t’u ndërmarrë”. Por ndryshe nga ç’pritej, ky Komision nuk do të japë një përgjigje të prerë mbi shumicën e cilësuar që Shqipëria duhet të përdorë për emërimet në gjyqësor dhe prokurori, duke ia kaluar këtë barrë partive politike.
Grupi i ekspertëve të nivelit të lartë, që funksionon pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar ka propozuar zgjedhjen me 3/5 e votave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Këshillit të Lartë Gjyqësor apo të Prokurorit të Përgjithshëm. Opozita e ka kundërshtuar këtë formulë, duke kërkuar zgjedhjen e tyre me 2/3 e votave të Kuvendit.
“Të dyja këto formula janë në përputhje me standardet europiane. Nuk na takon ne të themi se cilën prej opsioneve duhet të zgjidhni,” tha në një konferencë për shtyp sekretari i Komisionit të Venecias, Tomas Markert.
Ai u bëri thirrje partive politike që të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme, ndërsa nënvizoi se çështja e shumicës së cilësuar nuk është e vetmja e rëndësishme për të garantuar pavarësinë e gjyqësorit.
Markert tha se procedura e përzgjedhjes së kandidatëve është po aq e rëndësishme sa procedura e votimit të tyre, ndërsa sipas tij, duhet menduar edhe mekanizmi zhbllokues në këto emërime.
Anëtarët e Komisionit të Venecias nuk pranuan të komentonin çështjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, për të cilin thanë se do të shpreheshin gjerësisht në opinionin e tyre përfundimtar që do të publikohet në 12 mars. Por ata i dhanë mbështetje të plotë ngritjes së njësisë së posaçme antikorrupsion, si një strukturë në përputhje me standardet europiane.
Sekretari i Komisionit të Venecias kujtoi se një strukturë e ngjashme po funksionon aktualisht në mënyrë të efektshme në Rumani, ndërsa një tjetër e ngjashme po ngrihet këto ditë në Mal të Zi.
“Këto janë masa të jashtëzakonshme, por të nevojshme në kushtet kur publiku e ka humbur besimin tek drejtësia për shkak të korrupsionit,” tha përfaqësuesi i Komisionit të Venecias.
Struktura komplekse e sistemit dhe numri i madh i institucioneve të reja ishte një tjetër çështje që u diskutua nga delegacioni i Komisionit të Venecias. Sipas tij, arkitektura e zgjedhur mbetet e pranueshme, megjithëse komplekse dhe garanton llogaridhënien dhe balancën.
Anëtarët e Komisionit të Venecias mbërritën në Tiranë të enjten dhe përgjatë dy ditëve zhvilluan takime me të gjithë aktorët e reformës për drejtësi. Mesazhi i tyre i fundit iu drejtua partive politike në Shqipëri, të cilave iu kërkua që të angazhohen dhe të gjejnë gjuhën e konsensusit për të ofruar zgjidhjet e nevojshme për realizimin e reformës në drejtësi.