![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Civil_Protection_640_BIRN.png)
Pavarësisht një marrëveshjeje për ri-integrimin e anëtarëve të institucioneve të dikurshme serbe në veri të Kosovës, procesi i ngadaltë nga ana e Prishtinës ka lënë ende shumë persona jashtë.
![Një tabelë në Mitrovicë që falenderon Mbrojtjen Civile. Foto: BIRN.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Civil_Protection_640_BIRN-300x225.png)
Dukej shumë e lehtë në letra. Nën një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE mes Kosovës dhe Serbisë, rreth 500 punonjës nga “Trupat e Mbrojtjes Civile” serbe do të integroheshin në agjencitë shtetërore të rëndësishme të Kosovës.
Kosova lajmëroi se procesi i integrimit ishin përfunduar më 12 janar.
Në realitet, zbatimi i marrëveshjes, një nga disa marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel që kërkon të vërë nën autoritetin e Prishtinës shumicën serbe të veriut të Kosovës, nuk ka qenë e lehtë.
Pak gjëra kanë shkuar sipas planit, thotë Veroljub Petroniç, një ish-këshilltar mbi mbrojtjen civile në komunën veriore të Zveçanit.
Zveçani ka qenë një komunë në sistemin e Kosovës që prej 2013, por strukturat e vjetra komunare serbe, ku punon edhe Petroniç, funksionojnë ende.
“Nën marrëveshjen e Brukselit anëtarët e Trupave të Mbrojtjes Civile do të hiqnin dorë nga institucionet serbe dhe Prishtina do të hapte thirrjen për punësim për serbët në veri të Kosovës në 19 ministri dhe agjenci,” kujton Petroniç.
“Ne nuk e kemi dhënë dorëheqjen dhe Prishtina nuk e ka hapur thirrjen për vende pune,” tha ai.
“Ata nuk mund të publikonin një thirrje për punë sepse atëherë do të ishte publike,” shpjegoi ai.
Konkurrimi kishte si synim vetëm ish-anëtarët e forcës për Mbrojtje Civile dhe nuk ishte një thirrje e hapur.
Institucionet kanë krijuar 483 vende pune për njerëzit që punonin në institucionet serbe në veri të Kosovës.
80 zjarrfikës filluan punë në korrik 2015 dhe në shtator 25 të tjerë hynë në punë në sistemet e burgjeve.
Por procesi i riintegrimit ka qenë i ngadaltë.
“Problemi kryesor është se nuk ka mjaftueshëm transparencë në prezantimin e pozicioneve të hapura, por ka kaluar nga ministria në ministri dhe nga njëra agjenci në tjetrën.”
Petroniç thotë se ai dhe 377 nëpunës të ardhshëm të Kosovës kanë nënshkruar akte të caktimit, por kjo nuk është njëlloj si një kontratë zyrtare dhe ata nuk kanë filluar ende punën.
“Gjithçka është e pasigurt,” thotë Petroniç. “Një vit është një periudhë prove dhe është e mundur që të krijohet një situatë ku as Beogradi e as Prishtina nuk na përkrahin, çfarë do të bëjmë më pas?”
“Duket se ka shumë mundësi që disa njerëz të pushohen nga puna,” shtoi ai.
Pas përfundimit të konfliktit 1998-99, zonat veriore të Kosovës me shumicë serbe refuzuan të pranonin ekzistencën e institucioneve të Prishtinës dhe vazhduan të funksionin si pjesë e Serbisë.
Në atë kohë, anëtarë të Trupave të Mbrojtjes Civile vunë barrikada në rrugët kryesore në veri të Kosovës.
Ata gjithashtu vepruan si njësi e ndërhyrjes së shpejtë, duke shuar zjarret në pyje, duke pastruar dëborën nga rrugët dhe duke riparuar urat.
Barrikadat janë hequr që atëherë dhe shumica e pronave të Mbrojtjes Civile i kanë kaluar qeverisë së Prishtinës sipas marrëveshjes.
Por Petroniç shqetësohet se pavarësisht integrimit të disa ish-anëtarëve të kësaj force, institucionet e Kosovës nuk janë gati të reagojnë shpejt në rast shkatërrimi natyror në veri të Kosovës.
Ai gjithashtu është i shqetësuar rreth reagimit që ai dhe kolegët e tij do të marrin me të filluar punën.
Shqiptarët e Kosovës kanë idenë e gabuar rreth forcës së Mbrojtjes Civile, thotë ai, dhe shqetësohet se ata do t’i kenë inat.
“Prishtina e ekzagjeroi rolin dhe funksionin e Mbrojtjes Civile duke e konsideruar atë një forcë paraushtarake, gjë që nuk është e vërtetë,” përfundoi ai.