![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/refugjatet2.jpg)
Vendet e BE-së i kanë bërë thirrje Greqisë të kufizojë fluksin e migrantëve dhe po peshojnë mundësinë e dërgimit të oficerëve të vet në Maqedoni, gjë që do të ndalojë hyrjen e migrantëve në Bashkimin Europian.
![Një vajzë e ulur në hekurudha pret për trenin teksa ka prani të shumtë policore në kufirin greko-maqedonas. 21 nëntor 2015. AFP PHOTO / ROBERT ATANASOVSKI](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/refugjatet2-532x400.jpg)
Ministria e jashtme maqedonase i tha BIRN se iniciativa sllovene, që bën thirrje për mbështetje më të madhe nga BE-ja për forcimin e kufirit maqedonas, ishte një ide e mirë që do të çlironte vendin nga presioni. Maqedonia është në itinerarin e Ballkanit Perëndimor të refugjatëve.
“Maqedonia mirëpret të gjithë iniciativat për ndihmë dhe asistencë që vijnë nga BE-ja. Kriza e migrantëve na shqetëson shumë dhe po presim të shohim çfarë efekti do të ketë plani,” tha ministria e jashtme për BIRN.
Plani i Sllovenisë në thelb parashikon se shumica e migrantëve që hyjnë nga Greqia të qëndrojnë atje.
Kjo do të pakësonte presionin mbi shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe do të pakësonte rrjedhën e refugjatëve në vende si Gjermania dhe Austria.
Mes kritikave që Greqia nuk po e pengon valën e migrantëve në vende të tjera të BE, Brukseli ka konfirmuar se po merr në konsideratë forcimin e kufij ve në Maqedoni.
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Calude Juncker, ka mbështetur planin slloven për të lëvizur praktikisht kufirin e BE për migrantët nga Greqia në Maqedoni.
Në një letër të dërguar të hënën, Juncker dha mbështetje për iniciativën sllovene.
“E mirëpres sugjerimin tuaj,” i shkoi Juncker kryeministrit slloven, duk e siguruar se Komisioni e mbështeti planin e tij që të gjithë vendet e BE t’i japin ndihmë Maqedonisë për kontroll të kufijve me Greqinë përmes oficerëve dhe pajisjeve.
Sipas Jucker meqë Maqedonia nuk është vend anëtar në BE, vendet e kësaj të fundit duhet të arrijnë një marrëveshje bilaterale me Shkupin për të dërguar forcat e tyre të policisë në kufi.
Megjithatë, ai gjithashtu nxiti ndryshim të rregullave që parandalojnë nxjerrjen nga kufiri i BE-së të oficerëve të saj.
Së fundmi, Gjermania, Austria dhe Holanda kanë kritikuar fuqishëm Greqinë që nuk parandaloi rrjedhën e migrantëve dhe ka kërcënuar me nxjerrje të Athinës nga zona e Shengenit nëse nuk ia del të kontrollojë kufijtë.
Vendet e BE-së dhanë sinjal të qartë se nëse nuk ndalonin dot hyrjen e migrantëve në Greqi, ata do të merrnin në konsideratë ndihmën ndaj fqinjes së Greqisë, Maqedonisë, për të kufizuar lëvizjen e migrantëve në vende të tjera të BE.
Pavarësisht dimrit të ftohtë, më shumë se 2000 persona mbërrijnë çdo ditë në Greqi, sipas shifrave të BE-së. Athina është nën presion që t’i regjistrojë dhe t’i mbajë ata që vijnë.