Kryeministri serb dhe ai i Kosovës do të takohen në Bruksel sot për të vlerësuar gjendjen e marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE për normalizimin e marrëdhënieve.
Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç mirëpriti rifillimin e bisedimeve me Kosovën në Bruksel, ndërmjetësuar nga shefja e politikave të jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
“Ne kemi problemet tona, shqiptarët e Kosovës kanë të tyret… Ne nuk luajmë lojëra. Ne jemi gjithnjë gati për bisedime. Dialogu është zgjidhja për çështjet më të vështira,” tha Vuçiç.
Muajin e shkuar, Kosova kërcënoi me bojkot të raundit të ardhshëm të bisedimeve nëse BE-ja nuk jepte një rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave.
Lideri i Kosovës, megjithatë, është tërhequr nga ky qëndrim. Këshilltari i Isa Mustafës, Valon Murtezaj, i tha BIRN se deklaratat e kryeministrit nuk do të thotë se ai do të refuzonte pjesëmarrjen në dialog.
“Ne i dhamë një mesazh të fuqishëm BE-së rreth kërkesës së Kosovës për liberalizimin e vizave,” tha Murtezaj.
Bashkimi Europian ka thënë se të dyja palët nuk do të hapin çështje të reja të mërkurën, por do të përqëndrohen mbi procesin e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese.
“Kosova do t’i prezantojë arritjet e saj në zbatimin e marrëveshjeve dhe do të kërkojë ndihmën e BE-së për ato marrëveshje që Serbia nuk ka zbatuar,” tha Murtezaj.
Qeveria e Mustafës ka qënë nën presion të madh nga opozita mbi marrëveshjen e BE-së për dhënien e më shumë autonomie serbëve etnikë për krijimin e lidhjes autonome të komunave serbe.
Protestat kanë çuan në dhunë në rrugë dhe në një bllokadë të punimeve në parlament, teksa opozita këmbëngul që qeveria të braktisë marrëveshjet e Brukselit.
Në nëntor, gjykata kushtetuese e pezulloi zbatimin e marrëveshjes për të krijuar një Lidhje të Komunave Serbe, duke e nxitur Serbinë të akuzojë Kosovën për vënie në lojë të komunitetit ndërkombëtar.
Kosova dhe Serbia lançuan dialogun e përbashkët për të normalizuar marrëdhëniet në mars 2011.