![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Germia_Hill_640_BIRN.jpg)
Një konferencë e nivelit të lartë e zhvilluar në Kosovë kërkon bashkëpunim në probleme të sigurisë së përbashkët dhe nxit perëndimin të mbështesë vendet e Ballkanit në trajtimin e sfidave të përbashkëta.
![Zyrtarët e qeverive të Ballkanit diskutuan problemet e sigurisë në Prishtinë | Foto: BIRN](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Germia_Hill_640_BIRN-300x180.jpg)
Ministra dhe diplomatë nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Hungaria dhe Bullgaria u mblodhën për dy ditë në Prishtinë, Kosovë për të diskutuar problemet e përbashkëta, veçanërisht problemet e sigurisë dhe migrimit.
Lufta kundër terrorizmit dhe radikalizimit fetar qe mes temave kryesore, krahas krizës së migrimit dhe sigurisë së rajonit.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha në konferencë se ndërsa numri i shqiptarëve të Kosovës që po lufton në Siri dhe Irak ka rënë, sfida mbetet.
“Nga 3000 nënshtetas [të Kosovës] numri ka rënë në më pak se 79 që po [luftojnë] në Siri dhe Irak,” tha Mustafa.
Kjo është një shifër e debatueshme Shumë institucione vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Ministrinë e Brendshme të Kosovës, kanë dhënë shiftën e 300 luftëtarëve vetëm pak muaj më parë.
Duke iu referuar panikut të fundit të shkaktuar në Kosovë, Ministri i Brendshëm Skënder Hyseni mohoi se terroristët kishin planifikuar sulm kundër manastirit historik serb në Visoki të Deçanit, Kosova perëndimore – dhe deklaroi se Kosova e ka vendosur problemin e kosovarëve që po luftojnë në Irak dhe Siri nën kontroll.
“Ne jemi mes të pakta vendeve që kanë identifikuar secilin nga ata që luftojnë në Siri [përfshirë] edhe ata që u vranë apo u kthyen në Kosovë,” tha Hyseni.
Përfaqësues të tjerë të Ballkanit thanë se forcimi i bashkëpunimit, veçanërisht në probleme të sigurisë, është me rëndësi të madhe për rajonin si dhe kërkuan mbështetje më të madhe nga BE-ja dhe NATO.
Zëvendëskryeministri i Hungarisë Laszlo Szabo, tha se siguria në Ballkan është me rëndësi të madhe edhe për vetë sigurinë e Europës.
Ndërsa pjesëmarrësit diskutuan sfidat që kriza e emigrantëve ka shkaktuar në rajon, Mustafa tha se Kosova ka bërë progres në zgjidhjen e problemit të saj të emigrantëve nga Kosova që kanë shkuar në Europën Perëndimore për të kërkuar azil.
“Nga 13 mijë azilkërkues [nga Kosova në BE] që qenë në shkurtin e kaluar, numri ra në vetëm 5 njerëz në dhjetor,” tha Mustafa.
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dusko Markovic, tha se vetëm bashkëpunimi real mes vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të garantojë aftësinë e secilit prej këtyre vendeve në përballjen me sfidat e reja.
Gjithsesi, zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ngriti shqetësimet se Perëndimi po “i mbyllte sytë” para problemeve në Ballkan.
“Rruga më e rrezikshme që Europa Perëndimore dhe aleatët tanë të NATO-s mund të marrin është ajo e izolimit të artë – mbylljen e kufijve dhe syve të tyre dhe lënien e Ballkanit më vete,” tha Thaçi.