![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Macedonia-Polling-Station-123-by-MIA.jpg)
Një opozitë e bashkuar ndëretnike nevojitet për përballjen elektorale me autoritarin Nikola Gruevski në Maqedoni – por vëzhguesit mendojnë se një bashkim i tillë mes shqiptarëve dhe maqedonasve vështirë se mund të ndodhë.
![Foto: MIA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Macedonia-Polling-Station-123-by-MIA-300x180.jpg)
Pavarësisht objektivit të tyre të përbashkët për të rrëzuar kryeministrin Nikola Gruevski, i cili ka shumë vite që qëndron në pushtet, partitë e opozitës nga blloqet shqiptare dhe maqedonase nuk duken pranë bashkimit në një front të vetëm në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare, vërejnë vëzhguesit.
“Ky lloj bashkëpunimi mes grupimeve opozitare është natyral – dhe mund të vijë tepër vonë,” tha ish deputeti Mersel Biljali, duke iu referuar takimeve të kohëve të fundit mes udhëheqësve të opozitës në të dyja blloqet etnike.
“Gjithsesi, për një bashkëpunim më konkret, ata duhet të hartojnë një platformë të përbashkët dhe të dalin në zgjedhje me një ofertë të përbashkët,” shtoi Biljali.
Bisedimet për një koalicion opozitar parazgjedhor që mund të bashkojë për herë të parë parti etnike maqedonase dhe shqiptare janë intensifikuar së fundmi.
Gjatë javës së kaluar, partia më e madhe në opozitë, Social Demokratët, SDSM, intensifikoi kontaktet me dy parti opozitare shqiptare Uniteti dhe Partia Demokratike e Shqiptarëve.
Për rrjedhojë, ata lëshuan qëndrime të përbashkëta mbi problemin e zgjedhjeve të parakohëshme të cilat ata thonë se nuk mund të zhvillohen, siç dëshiron maxhoranca, më 24 prill, pa kaluar më parë reformat elektorale dhe në media me synimin për krijimin e bazave për një garë të ndershme.
Analisti politik dhe ish deputeti Naser Ziberi thotë se ndërsa kontaktet dhe qëndrimi i përbashkët mbi zgjedhjet janë një hap në drejtimin e duhur “të dyja palët nuk janë gati për bashkëpunim më serioz për momentin” për shkak se “platformat e tyre janë në një masë të madhe të bazuara në çështje etnike dhe në këtë pikë, ata kanë qëndrime tërësisht të kundërta.”
Gjatë dy dekadave të gjysmë të politikës shumëpartiake në Maqedoni, nuk ka pasur koalicion paraelektoral asnjë herë mes partive të ndryshme etnike.
Gjithsesi, një rregull i pashkruar thotë se pas zgjedhjeve parlamentare, fituesi në bllokun shqiptar ftohet të marrë pjesë në qeveri. Shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë.
Esad Rahic, një ish deputet, thotë se krijimi i koalicioneve paraelektorale do të varet shumë nga “udhëheqësit e opozitës dhe atë nëse ata janë në gjendje të lënë pas vetes egot personale”.
Vëzhguesit bien dakord se partitë e shqiptarëve të krijuar së fundmi mund të jenë gjithashtu të frikësuar se do të humbasin identitetet e tyre të dobëta nëse bashkohen me parti të tjera tepër shpejt.
Qershorin e kaluar, një parti tjetër shqiptare, Besa, mblodhi mijëra protestues kundër qeverisë në Shkup duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë së Gruevskit dhe pranimin e përgjegjësisë edhe nga partia e shqiptarëve aktualisht në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim.
Korrikun e kaluar, Zijadin Sela, një figurë kryesore në partinë opozitare PDSH krijoi një parti të re pasi nuk ia doli të marrë kontrollin e partisë së tij të vjetër.
Vjeshtën e kaluar, dy anëtarë të rëndësishëm të BDI-së, krey i asamblesë së përgjithshme të partisë Zuluf Adili, dhe Gzim Ostreni, një ish sekretar i përgjithshëm i saj, krijuan Unitetin, duke shënuar një nivel të ri përplasjesh me kreun e BDI Ali Ahmeti.
Kriza në Maqedoni u përshkallëzua shkurtin e kaluar kur opozita filloi të publikojë transkripte përgjimesh ilegale, të cilat treguan se Gruevski dhe partia e tij VMRO DPMNE pati përgjuar mbi 20 mijë qytetarë në përpjekje për të mbajtur pushtetin e tij të sigurtë.
Opozita këmbëngul se përgjimet mbartin prova krimi për shumë zyrtarë të lartë, përfshirë prova për korrupsion në nivelin më të lartë, kontrollin e drejtësisë, prokurorisë, bizneseve dhe nga qeveria, si dhe arrestime për motive politike e burgosje, shkelje të ligjit elektoral e madje edhe përpjekjen për të fshehur vrasjen e një njeriu nga policia.
Gruevski ka qëndruar në pushtet që nga viti 2006 dhe ai u dorëhoq muajin e kaluar si pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ai thotë se përgjimet janë “sajesa” të shërbimeve sekrete të huaja dhe që i janë dhënë opozitës me synim për të destabilizuar vendin.