![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/korrupsioni.jpg)
Policia e Tiranës arrestoi pesë punonjës të agjencisë së legalizimit dhe shpalli në kërkim dy pronarë kompanish për legalizim të paligjshëm të kryer nga administrata aktuale i dy pallateve në zonën e Kasharit pranë Tiranës.
![Korrupsioni | Foto ilustruese nga : Vesna Andijic](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/korrupsioni-300x168.jpg)
Policia e Tiranës njoftoi sot se arrestoi pesë punonjës të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale, (ALUIZNI), në lidhje me dy leje legalizimi të dhëna për dy pallate në zonën e Kasharit në Tiranë në vitet 2014 dhe 2015, legalizime që dyshohet se janë bërë përmes dokumenteve të falsifikuara.
Pronarët e truallit ku qenë ndërtuar pallatet, patën denoncuar në polici rastin me argumentin se atyre nuk i qe dhënë pjesa korresponduese sipas kontratës së sipërmarrjes nga ana e kompanive për ndërtim përtej lejes fillestare, ndërtim që kompanitë kishin arritur ta legalizonin përmes ALUIZNI-t.
Në përfundim të hetimeve, policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës urdhëroi arrestimin e pesë punonjësve të ALUIZNI-t ndërsa shpalli në kërkim dy pronarë kompanish që kishin përfituar nga legalizimi. Operacioni i arrestimit të tyre u kodua me emrin “SMILE” (buqëqesh) nga policia.
Që të gjithë të arrestuarit i përkasin zyrës së ALUIZNI-t në Tiranë. Ata janë: Skënder Biba, me detyrën e shefit të seksionit të Urbanistikës dhe Legalizimeve, drejtoria nr. 5 Tiranë
Vasil Mitre, me detyrën e shefit të Hartografisë në Drejtorinë Rajonale të ALUIZN-it Nr.5, Tiranë
Fatjon Guzi, me detyrën e specialistit të Hartografisë në Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-it Nr.5, Tiranë
Astrit Joca, me detyrën e përgjegjësit të sektorit të regjistrimit fillestar në zonën Nr.5 pranë ALUIZN-it, Drejtoria Tatimore, Tiranë.
Ardjana Gjini, me detyrën e specialistit jurist në zonën Nr.5 pranë ALUIZN-it, Tiranë.
Policia nuk u publikoi emrat e biznesmenëve të shpallur në kërkim për efekt të sekretit hetimor.
Sipas policisë, dokumentet e falsifikuara të përdorura nga zyrtarët e ALUIZNI dhe nga biznesmenët, sollën legalizimin e dy sipërfaqeve shtesë në objekt me përmasa 1 mijë metra katrore dhe 310 metra katrore.
“Legalizimet u kryen duke përdorur dokumente të falsifikuar në dëm të pronarëve të tokës për sa i përket pjesës takuese për përfitimin dhe përpjesëtimin e pasurisë së tyre, referuar kontratave me firmat ndërtuese,” deklaroi policia.
Të dyshuarit kanë shkelur ligjin për legalizimet si dhe kanë kryer veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës, mashtrimit në dëm të disa personave etj.
Procesi i legalizimit ka nisur në vitin 2004 dhe fillimisht synonte të pajiste me tituj pronësie shqiptarët që patën ndërtuar pa leje në periudhën pas rënies së komunizmit. Por procesi u zvarrit dhe u mbush me akuza për korrupsion si dhe për faktin se deri tani, një pjesë e madhe e subjekteve që kanë përfituar nga legalizimi kanë qenë kompani private që kanë ndërtuar pallate apo objekte tregtare ndërkohë që ligji i legalizimeve premtonte se do të ndihmonte shqiptarët e varfër.