![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Leaders-meeting-08.02.2016-640.-Photo-President-Office.jpg)
Presidentja e Kosovës planifikon të fillojë takime individuale me liderët partiakë për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik të vendit, pasi takimi ndërpartiak i së hënës dështoi.
![Liderët takohen në zyrën e presidentes. Foto: Presidenca e Kosovës.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Leaders-meeting-08.02.2016-640.-Photo-President-Office-300x225.jpg)
Zyra e presidentes Atifete Jahjaga të Kosovës i tha BIRN të mërkurën se ajo do të lançojë takime individuale me liderët e partive në një përpjekje të re për të zgjidhur ngërçin politik të vendit pasi takimi i grupit parlamentar të së hënës përfundoi pa marrëveshje.
Data e këtyre takimeve nuk është vendosur ende. Parlamenti nuk është thirrur në vitin 2016 pas krizës që shpërtheu në mes të shtatorit.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për dialog mes liderëve politikë të Kosovës në mënyrë që të gjendet një rrugë e re për të dalë nga gjendja e vështirë, por partia politike më e madhe e opozitës, Vetëvendosje, tha se mbetej e pabindur.
Një zyrtar i Vetëvendosjes të mërkurën tha se presidentja Jahjaga nuk ka kredibilitet për të ndërmjetësuar takimin e krizës sepse ajo “kishte paragjykime dhe anonte nga koalicioni PDK-LDK”, duke iu referuar dy partive në qeverisje.
Zëdhënësi i Vetëvendosjes Frashër Krasniqi vazhdoi me akuzat ndaj presidentes dke thënë se ajo mbështeste Lidhjen e Komunave me shumicë serbe – një nga kundërështitë kyçe të opozitës në betejën me qeverinë e kryeministrit Mustafa.
Ndërsa dy nga tre partitë e bllokut qeveritar bojkotuan takimin ndërpartiak, Ramush Haradinaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, mori pjesë.
Megjithatë, një ditë pas takimit, Haradinaj e përjashtoi mundësinë e diskutimeve të mëtejshme me PDK dhe LDK.
“Propozova zgjedhje të reja dhe ata e shpërfillën propozimin tim. Nuk ka kuptim të vazhdojmë diskutime të tjera,” tha Haradinaj në një intervistë të martën.
Analisti kosovar Imer Mushkolaj tha se presidentja mund të detyrohet t’i ndërpresë përpjekjet për të gjetur një dalje nga kriza pasi takimi i së hënës nuk la shpresa për zgjidhje.
“Këto takime janë të padobishme për sa kohë që partitë nuk ecin përpara me propozimet e tyre, që mbeten të pandryshuara,” ta Mushkolaj.
Opozita ka bllokuar të gjithë veprimtarinë parlamentare që nga shtatori i shkuar me një fushatë protestash me raste të dhunshme, kundër qeverisë pas nënshkrimit të marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi.
Komuniteti ndërkombëtar mbështet gjerësisht marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE, përfshirë formimin e Lidhjes së Komunave me shumicë serbe dhe përfaqësuesit e tij kanë bërë thirrje për gjetje të zgjidhjes politike që do ta lejojnë parlamentin të funksionojë siç duhet.
Të martën, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i tha BIRN se Kosova po shkonte drejt një pike të rrezikshme pasi ngërçi politik nuk tregon shenja të zgjidhjes.
“Kosova në këtë pikë qëndron buzë greminës, progresi është i mundur, por jo i sigurt,” tha Delawie.