![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Edmond-Themelko.jpg)
Ish ministra maqedonas dhe zyrtarë të lartë të partisë në pushtet u vunë nën hetim për shkak të dyshimeve se kanë manipuluar zgjedhjet ndërsa kryebashkiaku i Pustecit Edmond Themelko u arrestua në qytezën maqedonase Resen për të njëjtën çështje.
![Prokurorët specialë maqedonas në një konferencë për shtyp në Shkup. | Foto: MIA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Katic-Janeva-press-by-MIA-800-300x180.jpg)
Zyra e Prokurorisë Speciale e Maqedonisë deklaroi se ish-ministrja e brendshme e vendit, ish ministri i transportit si dhe sekretari i përgjithshëm i qeverisë “Gruevski” janë nën hetim për manipulim elektoral në shkallë të organizuar të zgjedhjeve të vitit 2013 në këtë vend, ndërsa kryetari i bashkisë së Pustecit në Shqipëri Edmond Themelko raportohet se është ndaluar nga policia në qytezën maqedonase të Resenit për të njëjtën çështje.
Ministrja e Brendshme Gordana Jankuloska, ministri i transportit Mile Janakieski dhe sekretari i përgjithshëm i qeverisë Kiril Bozinovski janë që të gjithë anëtarë të partisë në pushtet VMRO DPMNE, e cila e ka qeverisur vendin tashmë prej një dekade. Ata të gjithë dhanë dorëheqjen bashkë me kryeministrin Nikola Gruevski në janar si pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Edmond Themelko, i cili fitoi zgjedhjet në bashkinë Pustec në zgjedhjet e vitit 2013 në Shqipëri me mbi 80 për qind të votave për koalicionin e majtë, u ndalua nga policia. Ai akuzohet se ka organizuar popullsinë e Pustecit në Shqipëri, e cila ka nënshtetësi të dyfishtë shqiptare dhe maqedonase, për të votuar në favor të kryeministrit të djathtë maqedonas Nikola Gruevski gjatë zgjedhjeve në këtë vend.
Media maqedonase pati regjistruar në vitin 2013 maqedonas të Shqipërisë duke votuar në kryeqytetin e Maqedonisë Shkup, dyshohet me rezidencë të falsifikuar.
![Edmond Themelko](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Edmond-Themelko-300x206.jpg)
“Të dyshuarit… krijuan një grup që kishte për detyrë të kryente krime kundër zgjedhjeve”, deklaroi zëvendësprokurorja speciale Fatime Fetai, ndërsa nuk ia përmendi emrat të dyshuarve.
Qëllimi i tyre, sipas prokurorisë qe “të ruhej pushteti i partisë së tyre” si dhe të fitonin “privilegje për veten,” tha Fetai.
Të dyshuarit janë pjesë e një hetimi që prokuroria e ka quajtur “Titanik” dhe dyshohen për shumë vepra penale të lidhura me dhunimin e zgjedhjeve, dhunimin e të drejtave të votuesve, ryshfet elektoral dhe shkatërrim të materjaleve zgjedhore. Ata akuzohen edhe për keqpërdorim të aseteve publike.
Prokuroria Speciale tha se po heton gjithashtu edhe pesë gjykatës e katër anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të vitit 2013.
Edhe tetë njerëz të tjerë janë ndaluar nga policia.