![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/London.jpg)
Jetët e zymta të emigrantëve rumunë të dështuar që jetojnë poshtë urave të Londrës sillen në vëmendjen e publikut në një libër të ri plot shembuj prekës të Londrës së emigrantëve.
![Kopertina e librit ‘Kjo është Londra” nga Ben Judah | Foto: Ben Judah (@b_judah)](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/London-300x225.jpg)
Portreti i pamëshirshëm i Ben Judah i Londrës së emigrantëve është lavdëruar shumë nga kritika që kur doli në librari pak javë më parë.
Por ka një grup lexuesish që ka gjasa do ta pëlqejnë atë më pak se sa të tjerët. Rumunët, të cilët shpresojnë të përmirësojnë imazhin e keq të vendit të tyre në Mbretërinë e Bashkuar.
Kapitulli i parë është një udhëtim i zymtë në nënkalimet e ftohta dhe të pista të cepit të Parkut Haid, një fjetore për turmat e mëdha të emigrantëve rumunë, ëndrrat e të cilëve për një jetë të re në Britani u kthyen në makth.
Siç ndodh me shumicën e emigrantëve të profilizuar në libër, nuk ka shumë solidaritet mes të varfërve këtu.
Tunelet e Parkut Haid (Hyde Park) janë shtëpi e shumë “fshatrave” rumunë, ku secili duket se e shikon fqinjin me frikë dhe dyshim. Rumunët etnikë në një seksion kanë më shumë frikë nga rumunët romë të strehuar aty pranë.
Shumë nga këta emigrantë të dështuar, siç zbulon Judah, janë thjeshtë njerëz që qenë joshur për në Londër nga batakçinjtë dhe gangsterët, nga mitet mbi Londrën si një qytet i artë ku paratë fitohen lehtë.
Shpesh ata qenë të papunë dhe të pashpresë të zhytur në borxhe në Rumani dhe erdhën në Londër të bindur se ata mund të lypnin, t’i binin violinës apo të këndonin për të bërë pak para, falë asaj që supozohej të qenë arabët e pasur e bujarë.
Nuk ka nevojë të themi se realiteti rezultoi shumë i ndryshëm dhe rumunët e profilizuar në libër shprehen shumë të hidhëruar, të pashpresë dhe pa ndihmë, duke lypur nga anglezët që duket se nuk janë të gatshëm t’i japin para atyre që i njohin si “rumunët e urryer” për arsye të ndryshme dhe shpesh të pabesueshme, përfshirë argumentin mbi rolin e Rumanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në përputhje me stilin e tij të drejtpërdrejtë, Judah nuk i censuron fjalët e bashkëbiseduesve të tij, disa prej të cilëve thonë se anglezët kanë kurrnacë ndërsa gratë e tyre janë “kurva të dehura”.
Një pjesë e kritikës e kanë akuzuar Judah se e ka ekzagjeruar anën e errët të jetës së emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe se ka neglizhuar eksperiencën shumë më pozitive të miliona të huajve të cilët kanë arritur të stabilizojnë jetën në Britani pa shumë vështirësi dhe se ai është përqendruar me tepri te rastet e të pastrehëve, mashtruesve dhe gangsterëve.
Ata që e pëlqejnë, e krahasojnë Judaj me shkrimtarin e famshëm George Orëell i cili, në libra si Doën and out in Paris and London, nuk u përpoq të shkruajë për të varfrit por i la ata të flasin për veten.
Disa të tjerë thonë se edhe pse libri është në një farë mënyre i zymtë, ai është një përshkrim korrektues i raportimeve mbi “Londrën tjetër” të cilat janë shpesh ose të zbukuruara, ose të satanizuara ose politikisht korrekt”.
Gjithsesi, rumunët e suksesshëm në Mbretërinë e Bashkuar – dhe ka shumë prej tyre – ka gjasa do të mërziten nga përshkrimi i detajuar i bashkëpatriotëve të tyre fatkeqë.
Elena, e cila punon në qendrën tregtare Ëestfield në perëndim të Londrës, thotë se ajo është e neveritur nga mënyra se si britanikët shpesh presupozojnë se rumunët dhe romët janë e njëjta gjë dhe se “Rumania” do të thotë “toka e romëve”.
“Kur unë i them njerëzve se jam rumune, ata tronditen,” u ankua ajo. “Në këtë vend ata mendojnë se nëse ke flokë bjonde dhe një vend pune, nuk ka gjasa të jesh nga Rumania.”