![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/17_Feb_Pristina_Protest_640_BIRN_Atdhe_Mulla.jpg)
Në tubimin e tyre më të madh anti-qeveritar deri më tani, partitë opozitare të Kosovës i thanë administratës së Isa Mustafës të japë dorëheqjen përpara 27 shkurtit ose do të përballet me protesta të “pandalshme”.
![Protesta në Prishtinë, 17 shkurt 2016. Foto: Atdhe Mullaj/BIRN.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/17_Feb_Pristina_Protest_640_BIRN_Atdhe_Mulla-533x400.jpg)
Dhjetëra mijëra protestues mbushën Sheshin Skënderbej në Prishtinë të mërkurën, në ditën e pavarësisë së Kosovës, duke kërkuar që dy marrëveshjet kontraversale me Serbinë dhe Malin e Zi të anulohen dhe qeveria të japë dorëheqjen.
Kjo ishte i vetmi tubim plotësisht paqësor i opozitës mbajtur në kryeqytetin e Kosovës që nga vjeshta 2015, pasi të gjitha protestat e tjera të opozitës kanë përshkallëzuar në dhunë në një pikë gjatë tubimit ose pas tij.
Gjatë protestës, liderët e opozitës dhanë një ultimatum te qeveria e kryeministrit Isa Mustafa që të japë dorëheqjen përpara 27 shkurtit, duke paralajmëruar se nëse nuk largohet, protestat e ardhshme do të bëhen të “pandalshme”.
“Numri i qytetarëve në protestën e sotme është një referendum i qartë kundër qeverisë që duhet të largohet sa më shpejtë të jetë e mundur për t’i hapur rrugë demokracisë dhe drejtësisë në Kosovë, tha për BIRN Visar Ymeri, kryetar i Vetëvendosjes.
Që nga vjeshta 2015, tre partitë opozitare Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma kanë lançuar një seri protestash, kanë ndërprerë punimet në parlament dhe kanë shkaktuar trazira në rrugët e Prishtinës.
Që atëherë, punimet e parlamentit zor se janë mbajtur normalisht pa u ndërprerë nga gazi lotsjellës prej deputetëve të opozitës në asamble.
Partitë opozitare kanë paralajmëruar se ata nuk do të heqin dorë nga këto taktika derisa marrëveshjet e qeverisë me Serbinë dhe Maqedoninë të anulohen dhe qeveria të japë dorëheqjen.