![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2-2.jpg)
Nëntë vende të Ballkanit dhe Austria nënshkruan një marrëveshje në Vienë për të kufizuar fluksin e migranve – duke tërhequr një përgjigje të zemëruar nga Greqia, që nuk u ftua në samit.
![Migrantët në Ballkan. Foto: BETA/AP.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/2-2-533x400.jpg)
Ministrat e jashtëm dhe të brendshëm të Shqipërisë, Bosnjes, Bullgarisë, Kroacisë, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë u takuan në Vienë të mërkurën për të koordinuar lëvizjet mbi pakësimin e valës së migrantëve në të ashtuquajturin itinerar të Ballkanit.
Dhjetë vendet nënshkruan një deklaratë të përbashkët ku thuhet se vala e refugjatëve duhet të ndalohet prej shqetësimeve të sigurisë, sfidave të integrimit të tyre dhe mungesës së burimeve.
Dokumenti citon se e drejta për azil nuk përfshin “zgjedhjen e një vendi preference” dhe bën thirrje për standarde të përbashkëta regjistrimi dhe kritere hyrje për personat me shanse reale të fitimit të azilit.
Marrëveshja nxit të gjitha vendet e BE-së që kanë nënshkruar Shengenin të refuzojnë hyrjen e atyre që nuk përmbushin kushtet e hyrjes.
Ministrat e brendshëm dhe të jaashtëm të Austrisë theksuan përpara takimit se synimi i Vienës ishte pakësimi i numrit të të mbërriturve në territorin e vet.
“Ne duhet ta pakësojmë valën e refugjatëve,” tha ministri i jashtëm Sebastian Kurtz për të përditshmen gjermane Bild të mërkurën, ndërsa ministrja e brendshme Johanna Mikl-Leitner tha se Austria do jo vetëm pakësimin e fluksit të migrantëve në Europë por ndalimin e plotë të tij, raportoi agjencia e lajmeve AP.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, më shumë se 102,547 persona mbërritën në Greqi vetëm këtë vit, shumica e të cilëve synojnë t’i japin fund udhëtimit në vende europiane si Gjermania dhe Austria.
Vendet përgjatë itinerarit të Ballkanit po i shtojnë tashmë kontrollet në kufi për të kufizuar valën.
Të dielën, Maqedonia e mbylli kufirin për të gjithë migrantët përveç irakianëve dhe sirianëve, duke krijuar një grumbullim të afganëve, pakistanezëve dhe të tjerëve në veri të Greqisë.
Sllovenia dhe Bullgaria ndërkohë vendosën të çojnë ushtritë në kufi kundër refugjatëve të paligjshëm.
Ministri grek i migracionit Yiannis Mouzalas i kritikoi kufizimet e reja të zbatuara nga Maqedonia mbi kufirin grek dhe tha se kishin mbetur rreth 12,000 migrantë në vend.
Greqia gjithashtu reagoi me zemërim për faktin që nuk u ftua në takimin e Vienës. Ministri i jashtëm grek e quajti takimin “një konferencë të njëanshme dhe jomiqësore… një përpjekje për të marrë vendime në mungesë të Greqisë, të cilat prekin drejtpërdrejt Greqinë dhe kufirin e saj”.
Zhvillimet e fundit në politikën europiane ndaj krizës së refugjatëve kanë tërhequr gjithashtu kritika nga organizatat humanitare.
Të martën, Komisioneri i Lartë i OKB për refugjatët, Filippo Grandi tha se mbyllja e kufirit ndaj refugjatëve dhe migrantëve në Ballkan kërcënon të krijojë “kaos” në Europë.
“Jam vërtet i shqetësuar rreth lajmeve për mbylljen e vazhdueshme të kufijve europianë në itinerarin e Ballkanit sepse kjo do të krijojë më shumë kaos dhe ngatërresë dhe me gjasa do të rrisë kalimet e paligjshme të refugjatëve,” tha Grandi.