![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Maks-Haxhia.jpg)
Proceset gjyqësore në Shqipëri u ndaluan në pjesën dërrmuese të rasteve të mërkurën dhe të enjten pasi avokatët refuzojnë kërkesat e qeverisë për të paguar më shumë sigurime shoqërore e shëndetësore.
![Maks Haxhia, kryetar i Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Foto: LSA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Maks-Haxhia-600x360.jpg)
Avokatët nuk u paraqitën nëpër gjykatat e Shqipërisë të mërkurën pasi njoftuan një grevë treditëshe nën organizimin e Dhomës Kombëtare të Avokatëve, duke argumentuar se kërkesa e qeverisë për detyrimin e tyre që të paguajnë sigurime shoqërore dhe shëndetësore mbi një pagë referencë më të lartë nga ajo e zbatuar deri tani është e padrejtë.
Kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë Saimir Vishaj, i tha BIRN se ndryshimet në pagesat e taksave duhet të anulohen.
“Sot, 2 mijë seanca gjyqësore në të gjithë vendin u bojkotuan nga ne dhe për rrjedhojë, nuk mund të zhvilloheshin. Ne jemi të vendosur të vijojmë grevën deri sa qeveria të ulet me ne dhe të diskutojë një zgjidhje të qëndrueshme,” tha ai.
Vishaj ka kritikuar ndryshimet dhe beson se ato dëmtojnë në veçanti avokatët e rinj.
Qeveria vendosi me një vendim qeverie pak kohë më parë që profesionistët si juristë, arkitektë apo dentistë, të mos paguajnë më sigurime shoqërore si të vetëpunësuar për një pagë referencë prej rreth 40 mijë lekësh, por ta paguajnë si të vetëpunësuar me pagë referencë më të lartë.
Vendimi i qeverisë vendos paga referencë sipas profesioneve si dhe zonës ku ushtrohet profesioni, me pagat më të larta të përcaktuara për Tiranën dhe që arrijnë në 88 mijë lekë në muaj për inxhinjerët e teknologjisë së informacionit.
Të mërkurën, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatëve Maksim Haxhia u autorizua nga avokatët për të nisur bisedime me Ministrinë e Drejtësisë dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë.
“Nëse qeveria e injoron kërkesën tonë, ne do ta zgjasim grevën dhe do ta bëjmë atë permanente,” deklaroi Vishaj.
Avokatët kryen grevën e tyre të parë më 1 shkurt, por ajo nuk arriti të bindë qeverinë për t’u ulur në bisedime.