![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/shesheli-1.jpg)
Ekspertët shprehen se debati midis Beogradit dhe Gjykatës së Hagës mbi liderin e Partisë Radikale Serbe do të sjellë thjesht mbështetje më të madhe për politikanin nacionalist në zgjedhjet e ardhshme në Serbi.
![Vendimi për Sheshelin është planifikuar të merret më 31 mars. Foto: Facebook.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/shesheli-1-300x232.jpg)
Qeveria e Serbisë ka kohë deri më 15 mars për t’iu përgjigjur Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, duke thënë nëse do të ketë probleme me dërgimin e Sheshelin në Hagë, që ky të dëgjojë vendimin në gjyqin e tij të krimeve të luftës, më 31 mars.
Cilado qoftë përgjigjja e e qeverisë ndaj kërkesës së ICTY-së, lideri i Partisë Radikale Serbe ka përsëritur disa herë se nuk do të kthehet me dëshirë në gjykatën e OKB-së.
“Çfarë do të vendosë qeveria– kjo është një pyetje për kryeministrin Aleksandër Vuçiç. Kur vjen fjala te kërkesa e ICTY-së, Vojisllav Shesheli e ka shprehur qëndrimin e tij – ai nuk do të kthehet atje me dëshirë,” tha partia në një deklaratë me shkrim për BIRN.
Shesheli nuk është i vetmi politikan i Partisë Radikale Serbe që kërkohet nga ICTY-ja.
Tre nga kolegët e partisë, Vjerica Radeta, Jovo Ostojiç dhe Petar Jojiç, të cilët akuzohen se kanë kërcënuar dhe janë përpjekur të korruptojnë dëshmitarët në gjyqin e liderit të tyre, janë thirrur gjithashtu nga gjykata e OKB-së.
Qeveria serbe duhet të vendosë gjithashtu nëse do t’i dërgojë edhe ata në Hagë.
Megjithatë, e gjithë buja rreth Sheshelit dhe partisë së tij nuk e ka dëmtuar pozitën e tyre në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Serbi, të cilat priten të mbahen në prill, edhe pse nuk është caktuar ende një data e saktë.
Ekspertë marketingu dhe analistët politikë thonë se edhe kjo lloj reklame negative do të ndihmojë në mobilizimin e votuesve të fuqishëm për Sheshelin dhe radikalët e tij.
“Nëse Shesheli është në Serbi dhe nëse ka ndonjë tension në lidhje me statusin e tij, ai do ta përdorë atë për të mirën e tij, duke qenë se ai është i aftë dhe një orator i shkëlqyer,” tha për BIRN Bojan Klacar, drejtor i OJQ-së Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, CESID.
Dinakëri marketingu
![esheli dhe Vjerica Radeta (në cepin djathtas). Foto: BETA.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/SRS-Seselj-620-1-300x232.jpg)
Politikani nacionalist, i cili po gjykohet për krime lufte në Kroaci, Bosnjë dhe Serbi, u rikthye në Beograd në nëntor të vitit 2014, pasi u lirua përkohësisht nga Gjykata e Hagës për arsye humanitare për t’iu nënshtruar trajtimit nga kanceri.
Që atëherë, ai ka udhëhequr protesta nacionaliste dhe ka bërë një sërë deklaratash të ashpra që kanë zemëruar viktimat e luftës.
Pas disa vonesash të diskutueshme, ICTY në fund vendosi ta japë vendimin e saj për këtë çështje më 31 mars.
Kjo i zemëroi zyrtarët e Beogradit, të cilët e akuzuan ICTY-në se e kishte caktuar datën e dhënies së vendimit në kohën e fushatës zgjedhore në vend, duke pretenduar se Gjykata e Hagës po përpiqej të shkatërronte Partinë Progresive të Vuçiçit.
Ministri i Brendshëm Nebojsa Stefanoviç tha se qëllimi ishte ta shpërqendronin Vuçiçin nga fushata dhe kështu të dobësojnë Serbinë.
“Ata po përpiqen ta bëjnë Vuçiçin të mendojë vetëm për këtë, në mënyrë që ai të mos merret me fushatën zgjedhore. Vuçiç tani është vënë në pozitë për t’u sulmuar nga disa, sepse ai po ekstradon dikë dhe nga disa të tjerë sepse nuk po përmbush detyrimet ndaj Hagës,” tha Stefanoviç.
Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët kanë akuzuar forcat e jashtme se po përpiqen të destabilizojnë qeverinë e Vuçiç.
Klacar beson se kjo është një përpjekje për të rritur mbështetjen mes votuesve të partisë në pushtet për shkak se “ndërhyrja e jashtme” i bën thirrje atyre. “Kjo i motivon ata t’i qëndrojnë besnikë partisë,” tha ai.
Megjithatë, ai u shpreh se çfarëdo që të vendosë qeveria në lidhje me Sheshelin dhe radikalët e tjerë, ai vendim nuk do të rrezikojë pozicionin e partisë në pushtet të Vuçiçit, sepse ICTY-ja dhe kërkesat e saj tashmë perceptohen negativisht në Serbi.
“Qeveria nuk mundet aq të përfitojë dhe as të humbasë nga aktivitetet e Hagës. Ajo është tashmë e qëndrueshme dhe e njohur. Askush nuk do ta fajësojë qeverinë nëse ajo ka probleme me Gjykatën e Hagës,” tha ai.
Qëllimi parlamentar i Sheshelit
Zoran Stoilkoviç, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, sugjeroi se insistimi ICTY-së se Shesheli duhet të kthehet në Hagë do të rrisë mbështetjen për radikalët.
Ai tha se Gjykata e Hagës mund ta ketë anashkaluar këtë pasojë të mundshme të urdhërimit të Sheshelit për t’u kthyer në paraburgim.
“Ajo që do të ndodhë me siguri është se kërkesa thjesht do të mobilizojë mbështetjen tashmë të limituar të Partisë Radikalë Serbe dhe do të rrisë mundësitë që kjo e fundit të bëhet një parti parlamentare,” tha Stojiljkoviç për BIRN.
“Çdo lloj marketingu i zi është në fakt një marketing i mirë,” shtoi ai.
Partia e Sheshelit nuk mori mjaftueshëm vota në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në vitin 2014 për të kaluar pragun e pesë për qindëshit për të fituar vende në parlament, por këtë herë ajo shfaqet më e sigurt.
“Ne besojmë në forcën tonë dhe presim të renditemi të dytët në zgjedhjet e ardhshme. Renditja jonë aktuale e ka kaluar 20 për qindëshin,” tha partia me optimizëm.
Në fakt, e sugjeruar nga anketa e fundit e opinionit publik e kryer nga agjencia Faktor Plus, e cila u publikua në fillim të shkurtit, edhe pse radikalët kanë gjasa të hyjnë në parlament, ata kanë gjasa të fitojnë vetëm rreth 6% të votave.
Sonja Biserko, nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut me bazë në Beograd, tha se nëse radikalët arrijnë të hyjnë në parlament, atëherë Shesheli, si numri një i listës elektorale të partisë, do të bëhej deputet – pa pasur rëndësi nëse ai dënohet apo jo për krime lufte.
“Fatkeqësisht, Serbia nuk ka një ligj që përcakton situata të tilla. Nuk ka asnjë rregullore që do t’i ndalonte personat e dënuar nga Gjykata e Hagës. Kjo do të thotë se nëse zgjidhet, nuk ka asnjë pengesë që nuk do ta lejonte Sheshelin të hyjë në asamble,” tha Biserko për BIRN.
Një prani Radikale në parlament do ta turpëronte Serbinë, tha ajo.
“Mundësia që Shesheli të jetë pjesë e parlamentit tregon edhe njëherë rënien morale të kësaj shoqërie,” tha ajo.
Beogradi ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi arrestimin apo jo të Sheshelit dhe dërgimin e tij me dhunë në Hagë, por politikani nacionalist tashmë e ka bërë të qartë strategjinë e tij.
“Ka shumë gjasa të shikoni sesi do të nxirrem zvarrë nga shtëpia ime në Beograd, në lagjen Batajnicë, për t’u dërguar në aeroportin e Beogradit,” ka thënë ai.
Nëse analistët nuk gabohen, një shfaqje e tillë teatrale nga ana e Shesheli mund të bëjë që ai të fitojë më shumë mbështetje në votime, edhe nëse ai do të duhet ta kalojë ditën e zgjedhjeve në një qeli në Hollandë.