Aleanca e Konservatorëve dhe Reformistëve të Europës e akuzoi BE-në për standarde të dyfishta në përfshirjen në krizat e Malit të Zi dhe Maqedonisë.
Aleanca e të djathtës përbërë nga 50 deputetë dhe një komisioner europianë tha të enjten se rezoluta më e fundit e BE-së në Malin e Zi një javë më parë tregoi standarde të dyfishta dhe ka shpërfillur “korrupsionin e kryeministrit malazez, Milo Djukanoviç”.
Javën e shkuar, Komiteti i parlamentit Europian për Çështjet e Jashtme miratoi një rezolutë mbi krizën politike dhe institucionale në Malin e Zi, por AECR tha se në të zbulohej një “sjellje politike jokonsistente kundrejt vendeve të Ballkanit”.
Pasi kriza shpërtheu në Maqedoni në pranverën e vitit 2015, BE-ja mbështeti efektivisht tubimet e opozitës dhe bojkotin e parlamentit maqedonas, pretendoi grupi, madje duke kërkuar dorëheqjen e Nikola Gruevskit.
“Megjithatë që nga fundi i vitit 2015, BE-ja ka vepruar krejtësisht ndryshe ndaj protestave demokratike të Malit të Zi,” tha aleanca.
Meqë rastet e Maqedonisë dhe Malit të Zi janë të ngjashëm, tha grupi, është e vështirë të shpjegohet përse BE-ja i trajton dy vende të Ballkanit ndryshe.
Në të dyja rastet, protestat e opozitës kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrave dhe formimin e qeverive tranzicionale për të organizuar zgjedhje të lira dhe të drejta.
Në rastin e Malit të Zi, megjithatë, BE-ja ka mohuar të luajë rolin e ndërmjetësueses dhe ka mbështetur në mënyrë indirekte regjimin në pushtet dhe margjinalizimin e opozitës, shtohej në të.
“Për shembull, BE-ja ka shpërfillur protestat brutale dhe veprimet e forcave operacionale speciale kundër protestuesve paqësorë në Podgoricë,” tha aleanca.
Ndërsa vlerësoi “dialogun parlamentar” në Malin e Zi AECR tha se BE-ja në fakt ka neglizhuar mungesën e liderëve kryesorë të opozitës nga dialogu.
“Mbi të gjitha ka shpërfillur korrupsionin politik të kryeministrit malazez Milo Djkanoviç. Protestuesit nga Lëvizja për Ndryshim argumentojnë se rezoluta e fundit e BE-së ngatërron shkakun dhe pasojën: ata supozojnë se kriza politike në Malin e Zi vjen prej protestave, por në fakt ato janë pasoja”, lexohet në deklaratë.
Aleanca e Konservativëve dhe Reformistëve Europianë është një parti pan-europiane me anëtarë në 17 vende, 12 prej të cilave janë shtete anëtare të BE-së.
Konservatorët britanikë drejtuar nga kryeministri David Cameron, janë forca politike dominante në grup, ashtu si Partia Demokratike Civile Çeke dhe Partia Ligj dhe Drejtësi polake.
Në vitin 2013, partia qeverisëse e kryeministrit Recep Tayyip Erdogan gjithashtu iu bashkua aleancës.
Më 17 tetor në Malin e Zi protestat që kërkonin largimin e kryeministrit Djukanoviç u kthyen në të dhunshme kur policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. Dhuna vazhdoi edhe më 24 shtator pasi deputetët e opozitës u përpoqën të hynin në parlament por u ndaluan nga policia.