![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Serbian-Parliament-Sanjeev-Dasgupta-620.jpg)
Një aleancë politike e serbëve të zhvendosur nga Kosova do të garojë më 24 prill si pjesë e listës elektorale të kryeministrit Aleksandër Vuçiç, me shpresën se do të sigurojë më shumë mbështetje nga autoritetet.
![Parlamenti serb. Foto: BIRN/Sanjeev Dasgupta.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Serbian-Parliament-Sanjeev-Dasgupta-620-517x400.jpg)
Milos Stojkoviç, kreu i aleancës politike të serbëve të zhvendosur, Koalicioni, tha për BIRN se ka vendosur të konkurrojë në zgjedhjet parlamentare së bashku me Aleksandër Vulin dhe Lëvizjen e tij Socialiste, e cila është pjesë e listës zgjedhore të Partisë Progresive në pushtet të kryeministrit Aleksandër Vuçiç.
Stojkoviç tha se Vulin, i cili është gjithashtu ministër i punës në vend, i ka mbështetur gjithmonë serbët që u larguan nga Kosova pas konfliktit të vitit 1999.
“Ne (Koalicioni) do të marrim pozicionet që janë të rëndësishme për të siguruar të drejtat tona. Ne gjithashtu do të jemi në gjendje të punojnë në mënyrë që njerëzit tanë të mund të ekzistojnë dhe të qëndrojnë në Kosovë, si dhe do të punojmë në mënyrë që ata që u larguan të mund të rikthehen të sigurt,” tha ai.
Marrëveshja e Koalicionit me Lëvizjen Socialiste pritet të nënshkruhet në ditët në vazhdim, shtoi ai.
Stojkoviç tha se qëllimi i fushatës së tij për vende në parlament është të tërheqë më shumë vëmendje nga ana e publikut për serbët që u larguan nga ish-provinca dhe për problemet me të cilat ata ende vazhdojnë të përballen më shumë se 16 vjet pas luftës.
“Do të ishte mirë të kishte përfaqësues të serbëve të zhvendosur në institucionet e Serbisë të cilat kanë të bëjnë me Kosovën, siç janë Ministria e Punëve të Jashtme ose zyra e qeverisë për Kosovën,” tha Stojkoviç.
“Askush më mirë sesa ne, që i kemi përjetuar edhe vetë, nuk mund të përfaqësojë pengesat e serbëve që u larguan nga Kosova,” shtoi ai.
Një nga problemet kryesore që ende nuk është zgjidhur është fati i serbëve që janë zhdukur gjatë dhe pas luftës në vitin 1999, shpjegoi ai.
Koalicioni, i formuar në vitin 2015, përbëhet nga disa shoqata të serbëve të zhvendosur nga Kosova pas përfundimit të luftës.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës që i dha fund konfliktit të Kosovës në vitin 1999, shumë serbë u dëbuan dhe shtëpitë e tyre u dogjën.
Rreth 150,000 serbë u larguan nga Kosova pas luftës dhe më ende jetojnë në Serbi.
Numri i përgjithshëm i joshqiptarëve të rikthyer vullnetarisht në Kosovë që prej vitit 2000 është rreth 26,323, sipas të dhënave të OKB-së, dhe ritmi i rikthimeve mbetet i ngadaltë.
Një total prej 193 serbësh janë rikthyer në Kosovë nga korriku deri në dhjetor të vitit 2015, sipas dy raporteve të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së mbi gjendjen në Kosovë.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 29 shkurt se serbëve po u dukej e vështirë të rikthehen në Kosovë dhe “radikalizimi i zhvillimeve politike” në ish-provincë po përkeqëson situatën e sigurisë për të rikthyerit në rajonet me enti të përzierë, sipas B92 të Beogradit.
Vlora Çitaku, ambasadorja e Kosovës në Uashington, tha se autoritetet e Kosovës i respektojnë të drejtat e pakicave “pavarësisht idesë së ndryshme nga kjo që Serbia prezanton në OKB në Nju Jork”.
Strategjia 2014-2018 e Ministrisë së Kosovës për Komunitete dhe Rikthime përcakton plane për rikthim dhe riintegrim të qëndrueshëm të atyre që janë larguar.
Sipas strategjisë, gjatë disa viteve të fundit, më shumë se 900 shtëpi janë ndërtuar për të kthyerit, nga të cilat rreth 650 tashmë banohen.