![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Ekspertet-Venecia.jpg)
Paketa e ndryshimeve kushtetuese mori miratimin përfundimtar nga Komisioni i Venecias, ndërsa përgjegjësia për votimin e saj i kalon partive politike në Shqipëri.
![Raportuesit e Komisionit të Venecias, duke dalë nga një takim me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa. Foto: LSA / MALTON DIBRA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Ekspertet-Venecia-300x180.jpg)
Komisioni i Venecias miratoi të premten paketën e ndryshimeve kushtetuese, duke e kaluar fatin e reformës në drejtësi në dorën e parlamentit shqiptar. Amendamentet kushtetuese morën miratimin formal në sesionin e 106 Plenar të mbajtur në Venecia, ndërkohë që opinioni përfundimtar u publikua pak javë më parë në Shqipëri.
Miratimi i amendamenteve kushtetuese nga Komisioni i Venecias u përshëndet nga delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri-një ndër kontribuesit kryesorë në hartimin e amendamenteve.
“ Tashmë është përgjegjësi e Parlamentit që të bëjë reformën historike në drejtësi që kërkojnë qytetarët shqiptarë,” tha zyra e BE përmes një postimi në Tëitter.
Procesi i reformës në drejtësi nisi vjeshtën e vitit 2014 në Shqipëri, pasi Bashkimi Europian kushtëzoi integrimin e mëtejshëm të vendit me rindërtimin e shtetit ligjor dhe pastrimin e sistemit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Partitë politike shqiptare ranë dakord që Komisioni i Venecias të luante rolin e arbitrit në këtë proces kompleks, por megjithatë, opinioni përfundimtar nuk u ka dhënë zgjidhje disa prej çështjeve më të debatuara.
Shumica e cilësuar për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të Këshillit të Prokurorisë apo institucioneve të tjera mbetet një temë e nxehtë debati mes mazhorancës dhe opozitës në vend. Drafti i ekspertëve ka përcaktuar shumicën prej 3/5 në Parlament për votimin e tyre, ndërkohë që opozita këmbëngul se kjo formulë i mundëson mazhorancës aktuale kapjen e sistemit të drejtësi.
Në opinionin përfundimtar, Komisioni i Venecias thotë se të dyja shumicat janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe se i takon palëve politike në Shqipëri të gjejnë konsensusin për këtë çështje. Megjithatë, Komisioni i Venecias ka shtruar rrugën për një marrëveshje mes palëve, duke dhënë si opsion që pesë anëtarët juristë të Këshillit të Lartë Gjyqësor të propozohen 3 nga mazhoranca dhe 2 nga opozita.
Një tjetër çështje e debatuar mes palëve është fati i Prokurorit të Përgjithshëm. Drafti i ekspertëve përcakton shkarkimin e tij deri në 6 muaj pas ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por Komisioni i Venecias e kundështon këtë opsion.
“Nëse Prokurori i Përgjithshëm i nënshtrohet procesit të vetingut dhe del i pastër nga ky proces, Komisioni i Venecias nuk gjen arsye për përfundimin e hershëm të mandatit të tij,” thuhet në opinion.
Tashmë që Komisioni i Venecias e ka thënë fjalën e fundit, mazhoranca ka hedhur hapin e parë për të vazhduar punën bashkë me opozitën. Top Channel publikoi një letër që Fatmir Xhafaj, kryetar i Komisionit të Reformës i kishte dërguar Eduard Halimit, duke i kërkuar që palët të autorizojnë ekspertë të pavarur dhe politikë për të hartuar amendamentet përfundimtare që do t’i kalojnë Parlamentit për votim.
Në këtë letër, Xhafaj propozon ekspertë nga EURALIUS dhe OPDAT-dy misionet asistuese të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të luajnë rolin e arbitrit në këtë proces.
Por opozita këmbëngul që ndasitë mes palëve të zgjidhen përmes një dialogu politik, në mënyrë që Parlamenti të marrë në fund për votim një draft të dakordësuar mes palëve.