![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Seselj-on-Milosevics-grave-Instagram-620.png)
Anëtarë të Partisë Socialiste të Sllobodan Millosheviçit dhe nacionalistë serbë përkujtuan ish-presidentin jugosllav një dekadë pas vdekjes së tij në Hagë, gjatë gjyqit për krime lufte.
![Vojisllav Shesheli te varri i Millosheviçit. Foto: Instagram/Vojisllav Shesheli.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Seselj-on-Milosevics-grave-Instagram-620-517x400.png)
Sipas raporteve të medias, rreth 200 vetë u mblodhën në qytetin e lindjes së Millosheviçit, Pozarevac, të premten për të vendosur lule dhe kurora në varrin e tij në kopshtin e shtëpisë së familjes së tij.
Disa nga ish-aleatët e Millosheviçit nga Partia e tij Socialiste erdhën për t’i bërë nderimet e tyre, përfshirë këtu edhe ish-ministrin Milutin Mrkonjiç dhe Nikola Sainoviç, ish-zv/kryeministri jugosllav, i cili së fundmi është kthyer nga Haga pas mbarimit të dënimit të tij me burg për krime lufte në Kosovë.
Ministri aktual i punës në Serbi, Aleksandar Vulin, anëtar i Lëvizjes Socialiste, gjithashtu mori pjesë në këtë event dhe tha se Millosheviçi ishte “persekutuar dhe dënuar mizorisht”, njoftoi agjencia e lajmeve Tanjug.
I pandehuri i Gjykatës së Hagës, Vojisllav Sheshel, vendimi i të cilit për krime lufte në Serbi, Bosnjë dhe Kroaci pritet të merret më 31 mars, mori pjesë gjithashtu për të bërë nderimet e tij së bashku me disa anëtarë të Partisë së tij Radikale Serbe.
“Ai u vra për shkak se nuk mori ndihmën e duhur mjekësore dhe në kohën e duhur,” tha Shesheli pasi vendosi lulet.
Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të një shoqate të quajtur “Liri”, e themeluar nga vetë Millosheviçi, e cila organizon një udhëtim përkujtimor të përvitshëm në Pozarevac.
Lindur dhe rritur në Pozarevac në vitin 1951, Millosheviçi u ngrit në pozitë në vitin 1987, kur ai u bë i njohur si zëdhënës për nacionalistët serbë në ish-Jugosllavi.
Ai erdhi në pushtet në vitin 1990 si president i Serbisë dhe në vitin 1997 u bë president i Jugosllavisë.
Ai e mbajti këtë post deri më 5 tetor 2000, kur u rrëzua nga opozita. Më pak se një vit më vonë, ai u arrestua me urdhër të ish-kryeministrit serb Zoran Djindjiç dhe u transferua në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë për të dalë para gjyqit, duke u bërë kështu kreu i parë europian i shtetit që do të ndiqej penalisht për gjenocid dhe krime lufte.
E veja e Millosheviçit, Mirjana Markoviç, së fundmi botoi historinë e jetës së saj, “Bilo je to ovako”, (Kështu ishte), në atë që botuesit e saj, kompania Novosti e Serbisë, tha se ishte “një përpjekje për të përmbushur dëshirën e fundit të burrit të saj, Sllobodanit”.
Markoviç dhe djali i saj, Marko Millosheviç, jetojnë në Moskë, ndërsa vajza e saj Marija është e vendosur në Mal të Zi.
Ata kërkohen të gjithë në Serbi për krime që variojnë nga korrupsioni, shpërdorim detyre e deri te posedim i paligjshëm armësh. Ata akuzohen se kanë fshehur dhjetëra miliona euro në llogari të huaja.
Duke komentuar faktin se ata kanë qenë jashtë Serbisë për ca kohë, Vulin tha se ata duhet të kthehen në vend.
“Mendoj se familjes së Sllobodan Millosheviçit duhet t’i jepet të paktën e drejta e dyshimit për pafajësi,” tha Vulin, i cili ishte gjithashtu një nga themeluesit e partisë së Markoviçit. Interpoli nxori një njoftim të kuq, pasi autoritetet serbe e akuzuan Markoviçin për shpërdorim detyre me nxitje dhe ndërhyrje të paligjshme.
Megjithatë, Rusia ka refuzuar ta ekstradojë atë në Serbi.