![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Seselj-620.jpg)
Lideri i Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli, vendimi për krimet e të cilit pritet të merret këtë muaj, tha se ai pret që Gjykata e Hagës të japë një dënim të ashpër.
![Shesheli në konferencën për shtyp. Foto: Filip Avramovic.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Seselj-620.jpg)
Shesheli tha në një konferencë për shtyp në Beograd ditën e martë se ai pret të dënohet për krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, kur të jepet vendimi për të më 31 mars.
“Dënimi im do të jetë shumë i ashpër, ndoshta pak më i vogël se ai i ish-presidentit serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç,” tha ai.
Lideri nacionalist përsëriti se ai nuk do të kthehet vullnetarisht në Hagë, pavarësisht nëse autoritetet serbe vendosin apo jo të zbatojnë kërkesën e ICTY-së që ai të rikthehet në Hagë për të dëgjuar vendimin e tij.
“Nëse ata do të më çojnë vetë në aeroport dhe do të më ekstradojnë, këtë nuk e di,” tha Shesheli.
Qeveria e Serbisë kishte kohë deri të martën për t’iu përgjigjur ICTY-së dhe për të thënë nëse do të kishte apo jo ndonjë problem për ta kthyer Sheshelin në Hagë që të dëgjojë vendimin për çështjen e tij.
Rasim Ljajiç, kreu i zyrës serbe për bashkëpunim me ICTY-në, tha për mediat ditën e hënë se javën e kaluar qeveria i dërgoi një mocion Gjykatës së Hagës.
Por ai shtoi se zyrtarët nuk mund të flasin për përmbajtjen e tij, “duke qenë se është konfidenciale”.
Një seancë dëgjimore në lidhje me ekstradimin e Sheshelit në Hagë duhej të zhvillohej javën e kaluar në Gjykatën Speciale të Beogradit, por u shty për arsye procedurale. Shesheli dogji flamuj të BE-së dhe NATO-s në shenjë proteste për shtyrjen e seancës.
Lideri i Partisë Radikale Serbe tha në konferencën për shtyp të ditës së martë se ai “nuk kishte dëgjuar asnjë lajm të ri” nga gjykata deri më tani në lidhje me seancën dëgjimore të radhës.
Tre anëtarë të tjerë të Partisë Radikale, Vjerica Radeta, Jovo Ostojiç dhe Petar Jojiç, të cilët janë akuzuar për shpërfillje të gjykatës, dhe kërcënim të dy dëshmitarëve të mbrojtur në gjyqin e Sheshelit, refuzojnë gjithashtu të shkojnë në Hagë, tha Shesheli.
“Ata janë të vendosur të mos shkojnë atje me dëshirë dhe ajo që bën regjimi është një çështje për regjimin,” shtoi ai.
Shesheli e mbajti konferencën për shtyp për të nisur fushatën e partisë së tij për zgjedhjet parlamentare serbe më 24 prill.
Pavarësisht mundësisë së ekstradimit, ai këmbënguli se ai dhe partia e tij do të zhvillojnë një fushatë serioze zgjedhore, me rreth 30 takime në të gjithë vendin, dy prej tyre në Kosovë.
Ai tha se radikalët do të mbajnë një miting përmbyllës më 24 mars në Beograd.
“Ky do të jetë një takim revolte kundër regjimit të kryeministrit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe një vend ku ne do të protestojmë kundër vendimit që do të jepet për ish-presidentin serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç të njëjtën ditë në ICTY,” tha ai.
Ai u lejua të rikthehej në Beograd në nëntor të vitit 2014, pasi u lirua përkohësisht nga Gjykata e Hagës për arsye humanitare për t’iu nënshtruar trajtimit nga kanceri.
Që atëherë, ai ka udhëhequr protesta nacionaliste dhe ka bërë një sërë deklaratash të ashpra që kanë zemëruar viktimat e luftës.
Pas disa vonesash kontroversiale, ICTY-ja vendosi më në fund ta japë vendimin për të më 31 mars.