![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Gafurr-Dugolli-Photo-facebook.png)
Qeveria e Kosovës tha se arrestimet e ish-anëtarëve të UÇK-së bazuar në urdhër arrestimet nga ana e Serbisë duhet të marrin fund dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet si pjesë e bisedimeve të vazhdueshme të ndërmjetësuara nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit.
![Ish-anëtari i arrestuar i UÇK-së Gafurr Dugolli. Foto: Facebook](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Gafurr-Dugolli-Photo-facebook-300x225.png)
Ministri i Jashtëm i Kosovës Petrit Selimi tha të martën se urdhrat e lëshuar nga Serbia për arrestimet e ish-luftëtarëve të UÇK-së janë të paligjshme dhe i kërkoi Bashkimit Europian të ndërhyjë.
“Kjo çështje duhet të diskutohet në Bruksel si pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd, sepse ky është një problem afatgjatë,” tha Selimi.
Komentet e tij erdhën pasi policia maqedonase arrestoi ish-luftëtarin Gafurr Dugolli të premten bazuar në një urdhër të Interpolit i kërkuar nga Serbia, e cila e akuzon atë për krime lufte gjatë luftimeve në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha të martën se arrestimi i Dugollit ishte i papranueshëm.
Mustafa tha se Kosova nuk ka ndonjë informacion mbi sa ish-anëtarë të UÇK-së kërkohen nga Interpoli për shkak se ajo nuk është anëtare e organizatës ndërkombëtare të policisë.
“Këto urdhra arrestimi hyjnë nëpër sisteme dhe disa shtete po veprojnë sipas rregullave kur arrestojnë njerëz,” tha Mustafa.
Selimi tha se ai kishte qenë në kontakt me ambasadën e Kosovës në Shkup dhe besonte se Maqedonia do të veprojë në të njëjtën mënyrë si vendet e tjera që ndaluan ish-anëtarë të UÇK-së të kërkuar nga Serbia, por i liruan menjëherë më pas.
“Nuk ka indikacionet që pala maqedonase nuk do të veprojë në të njëjtën mënyrë si vendet e tjera,” tha Selimi.
Ish-luftëtar i UÇK-së, Ramush Haradinaj, i cili tani është lider i një partie opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u arrestua në Slloveni në korrik 2015 bazuar në një urdhër arrestimi të lëshuar nga Serbia, por u lirua dy ditë më pas.
Ministrja e Kosovës për dialog me Serbinë, Edita Tahiri, tha se Prishtina ka bërë thirrje që çështja e urdhër arrestimeve nga ana e Serbisë për ish-luftëtarët e UÇK-së të diskutohen në kuadër të dialogut në Bruksel, i cili ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve.
“Pala serbe nuk ishte gati. Por vetë Bashkimi Europian është gati të ndihmojë në mënyra të ndryshme në mënyrë që të mos ketë tensione,” tha Tahiri.
Sipas policisë serbe, Dugolli dyshohet për pjesëmarrje në vrasjen dhe abuzimin e serbëve në katër kampe burgimi në Kosovë në vitin 1998.
Të dielën në mbrëmje, një gjykatë në Shkup rriti masën e ndalimit të tij me 48 orë.