![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Seselj.pointing.jpg)
Prokuroria në Gjykatën e Hagës do të apelojë kundër vendimit të dhënë javën e kaluar, i cili e shpalli Vojisllav Sheshelin, liderin e Partisë Radikale Serbe, të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
![Vojisllav Shesheli në Beograd. Foto: BETA.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Seselj.pointing-533x400.jpg)
Serge Brammertz, prokurori në Mekanizmin e Kombeve të Bashkuara për Gjykatat Ndërkombëtare Penale, që është duke marrë përsipër rastet e mbetura nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, tha të mërkurën se prokuroria do të apelojë kundër lirimit të politikanit nacionalist Sheshel.
“Duke pasur parasysh natyrën e gjerë të gabimeve që kemi identifikuar në vendimin e shumicës së gjykatësve, ne vlerësojmë se për viktimat e krimeve se apelimi i ardhshëm është i një prioriteti të madh për këtë zyrë”, tha Brammertz në një deklaratë me shkrim.
Brammertz tha se vendimi i shumicës së Dhomës Gjyqësore për të liruar Sheshelin nuk arriti të “marrë në konsideratë pjesë të mëdha të të dhënave nga provat” apo “të japë arsyet e duhura për konkluzionet e saj”.
Trupi gjykues ka bërë gjithashtu “gjetje të paarsyeshme dhe kontradiktore përballë fakteve”, tha Brammertz.
Shesheli u shpall i pafajshëm për të nëntë akuzat në padinë e tij, duke liruar atë nga akuzat për krime kundër njerëzimit, vrasje dhe persekutim, torturim dhe dëbim.
Gjykatësi kryesor Jean-Claude Antonetti tha se prokuroria nuk ia doli të shfaqë një lidhje konkrete mes gjuhës nacionaliste të urrejtjes së Sheshelit dhe krimeve të kryera në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi.
Antonetti tha gjithashtu se prokuroria ka dështuar në vërtetimin se ka pasur një sulm të gjerë dhe sistematik të civilëve jo-serbë gjatë periudhës së aktakuzës.
Gjykata e ka liruar Sheshelin edhe nga akuzat për vrasje, tortura, plaçkitje, shkatërrim dhe duke shkaktuar mjerim në disa vende në Bosnjë dhe Kroaci, duke thënë se nuk kishte “prova të mjaftueshme” për të dënuar atë.
Gjykata tha se projekti i tij për të krijuar një “Serbi të Madhe” ishte një plan politik, jo kriminel dhe se kishte “baza të arsyeshme”, për të thënë se dërgimi i vullnetarëve paramilitar të tij ishte për të “mbrojtur civilët”.
Brammertz megjithatë ka thënë se trupi gjykues “lejoi në mënyrë të paarsyeshme mundësinë që sjellja kriminale të ishte thjesht një kontribut i ligjshëm në përpjekjet e luftës, pavarësisht provave të shumta që kanë treguar të kundërtën”.
” Sipas mendimit tonë, kjo e çoi shumicën e gjyqtarëve të besonin në mënyrë të paarsyeshme se: përzënia e civilëve ishte një gjest human; se fjalimi i urrejtjes ishte thjesht nxitje morale për forcat serbe; dhe se vendosja e forcave të spastrimit etnik ishte një masë për të mbrojtur popullatën serbe”, shtoi prokurori.
Gjatë gjykimit, prokuroria u përpoq të vërtetojë se Shesheli mobilizoi jo vetëm krahun e armatosur të Partisë së tij Radikale Serbe, por edhe forca të tjera serbe, duke i nxitur ata që të persekutojnë kroatët dhe boshnjakët në një përpjekje për të krijuar një “Serbi të Madhe”.
Prokuroria pretendoi se “Shesheljevci” (“Burrat e Sheshelit”), grupi i tij paraushtarak, i formuar nga vullnetarë serbë, zhvendosën me dhunë dhjetëra mijëra jo-serbë dhe vranë me mijëra.
Ai i Sheshelit ishte vendimi i parë që u dha nga Gjykata e Hagës pa të akuzuarin të pranishëm në sallën e gjyqit që ta dëgjonte atë.
Lideri i Partisë Radikale ka ndenjur që Beograd që kur iu dha lirimi i përkohshëm nga paraburgimi në Hagë në nëntor 2014 për shkaqe humanitare që të kurohej nga kanceri.
Që prej lirimit të tij, ai ka udhëhequr protesta dhe ka bërë një sërë deklaratash të ashpra që kanë zemëruar viktimat e luftës dhe ka refuzuar vazhdimisht të rikthehet në Hagë për gjykimin e tij.
Ai tani po zhvillon fushatë elektorale për zgjedhjet parlamentare në Serbi që do të mbahen më vonë këtë muaj.