Politika e zgjuar ekonomike nuk duhet të synojë vetëm reduktimin e pabarazisë, por edhe që të drejtojë burimet drejt formave produktive të krijimit të mirëqënies, ndërsa kufizon format më pak produktive. Dhe, për shkak se trashëgimi i parave bën shumë pak për të stimuluar rritjen, një propozim joshës është taksimi i pronave dhe i trashëgimive.
Sipas diturisë konvencionale, pabarazia është në mënyrë të pashmangshme produkt shoqërues i rritjes ekonomike të lartë. Talenti, novacionet dhe sipërmarrja në mënyrë të pashmangshme do të kapin pjesën e luanit në të ardhurat që gjenerohen dhe përpjekjet për të rishpërndarë pasurinë mund të jenë vetëm kundërprodhuese, për shkak se dobësojnë incentivat që shtyjnë ekonominë përpara.
E vërteta, natyrisht, është më e komplikuar. Jo të gjitha burimet e pasurisë – dhe më tepër, jo të gjitha llojet e pabarazisë – janë njësoj. Pasuria që krijohet kur produkte, procese dhe teknologji të reja vihen në punë, është me të vërtetë e lidhur me rritjen ekonomike më të shpejtë. Por pasuria e siguruar nga mjete të tjera ka efekt shumë më të vogël, për të mos thënë që nuk ka fare efekt në ekonomi. Kështu, nuk ka asnjë argument kundër rishpërndarjes.
Mendoni, për shembull, për rritjen e klasës së miliarderëve, për të cilën shumë mendojnë se përfaqëson formën më ekstreme të pabarazisë. Në thelb, ka katër mënyra për t’u bërë miliarder. Themeluesit e kompanive dhe drejtuesit ekzekutivë, të tillë si Bill Gates dhe Jack Ma, u bënë të pasur duke ofruar produkte dhe shërbime të vlefshme. Magjistarët e financave, të tillë si George Soros dhe Ëarren Buffet, gjeneruan pasurinë e tyre përmes investimeve të mençura.
Biznesmenët me lidhje politike, të tillë si tajkuni i telekomunikacionit në Meksikë Carlos Slim apo presidenti i LUKoil Vagit Alekperov, përdorën ndikimin që dispononin për të bërë pasuri përmes shfrytëzimit të burimeve, monopoleve të mbrojtura nga shteti apo privatizimit të pronave publike. Në fund, shumë njerëz jashtëzakonisht të pasur, të tillë si Liliane Bettencourt dhe Christy Ëalton, i trashëguan paratë e tyre.
Themeluesit e kompanive dhe drejtuesit e tyre përbëjnë pjesën më të madhe të miliarderëve të botës – gati 40 për qind. Ky është lajm i mirë për rritjen ekonomike për shkak se ky grup miliarderësh krijon miliona vende pune dhe ndihmon vendet të ruajnë aftësinë konkurruese në ekonominë botërore.
Trashëgimtarët përbëjnë grupin e dytë më të madh me 30 për qind, gjithsesi, të pasuar nga magjistarët e financave (20 për qind) dhe biznesmenët e lidhur politikisht (10 për qind). Për shkak se përfitimet ekonomike nga këto burime pasurimi janë shumë të dyshimta, argumenti që thotë se këto pasuri duhet të mbrohen nga rishpërndarja është shumë më i dobët.
Politika e mençur ekonomike nuk duhet të synojë vetëm që të reduktojë pabarazinë, por edhe që të drejtojë burimet drejt formave produktive të krijimit të pasurive, ndërsa kufizon format më pak produktive. Dhe, për shkak se trashëgimi i parave bën shumë pak për të stimuluar rritjen, një propozim joshës është taksimi i pronave dhe trashëgimive.
Kundërshtarët e taksimit të trashëgimive ofrojnë tri arsye se pse një masë e tillë mund të pengojë rritjen ekonomike: Sipërmarrësit do të ngurrojnë të zgjerojnë kompanitë e tyre në rast se ata nuk do të kenë mundësi ta lënë pasurinë trashëgim te fëmijët e vet; kompanitë e vogla do të rrezikojnë të shkatërrohen kur pronarët e tyre të ndahen nga jeta në rast se trashëgimtarët e tyre nuk do të jenë në gjendje të paguajnë taksat; dhe kompanitë do të arratisen drejt shteteve me taksa më të ulëta ose do të përdorin mjete të kushtueshme dhe joprodhuese për shmangien e taksave. Të trija shtetësimet janë tepër të fryra.
Shumë vende sakaq zbatojnë taksa mbi pronat dhe paratë e trashëguara. Këto taksa duket se kanë tendencën të përjashtojnë pjesën më të madhe të pasurisë që trashëgohet, pasi përqendrohen te shënjestrimi i vetëm pasurive tepër të mëdha. Në Shtete e Bashkuara, për shembull, taksa mbi trashëgiminë nuk zbatohet për trashëgimitë deri në 5.43 milionë dollarë. Koreja e Jugut zbaton një taksë progresive që varion nga 10 në 50 për qind për trashëgimitë më të mëdha se sa 3 miliardë uon (2.55 milionë dollarë). Më 2015, Japonia e rriti normën maksimale të taksimit nga 50 në 55 për qind dhe e zgjeroi bazën e taksueshme.
Megjithatë ka pak të dhëna që të sugjerojnë se këto taksa luajnë ndonjë rol të madh mbi vendimmarrjen e themeluesve të kompanive. Në të vërtetë, kërkuesit kanë zbuluar se shumë njerëz të moshuar të pasur fillojnë të mendojnë për ndarjen e pasurive të veta mes trashëgimtarëve vetëm pasi kalojnë një sëmundje të rëndë. Dhe edhe kur themeluesit marrin parasysh taksat në llogari, ata thjeshtë ka gjasa do të reagojnë duke punuar më shumë në mënyrë që t’i lënë edhe më shumë para fëmijëve të vet.
As njuk ka prova bindëse se taksat mbi trashëgiminë shkatërrojnë bizneset e vogla. Nga viti 1983 deri më 1998, Shtetet e Bashkuara kishin një taksë mbi transferimin e pasurive më të mëdha se 750 mijë dollarë. Pavarësisht kësaj, taksa nuk kishte ndonjë efekt domethënës mbi aktivitetin sipërmarrës, sipas një studimi të ekonomistëve Donald Bruce dhe Mohammed Moshin.
Në fund, një taksë e moderuar mbi trashëgiminë ka pak gjasa të jetë faktor me rëndësi kritike në vendimin se ku duhet të bazohet biznesi ose ku vendos të jetojë i pasuri. Një përjashtim potencial është kur vende fqinje kanë trashëgimi të ngjashme kulturore dhe gjuhësore, por regjime taksash shumë të ndryshme.
Taksat mbi trashëgiminë jo vetëm që nuk janë pengues për produktivitetin por mund të rrisin edhe aktivitetin ekonomik. Siç e vërejti edhe industrialisti i shekullit të nëntëmbëdhjetë Andreë Carnegie, “Prindi që i lë një trashëgimi të stërmadhe djalit të tij rrezikon të shkatërrojë talentet dhe energjitë e djalit dhe e josh atë të bëjë një jetë më pak të vlefshme se sa do ta bënte po të mos e kishte pasurinë.” Në të vërtetë, të dhënat e taksave të SHBA-së nga viti 1982 deri më 1983 tregojnë se individët që marrin trashëgimi të mëdha kanë shumë më tepër gjasa të ikin nga tregu i punës.
Nuk është surprizë që taksimi i trashëgimisë është një mënyrë shumë efikase në reduktimin e pabarazisë. Diferenca mund të shihet në krahasim mes SHBA-së dhe Europës. Taksat mbi trashëgiminë në SHBA kanë qenë historikisht më të larta se sa në Europë; ato shënuan kulmin në 77 për qind në vitet 1950 dhe 1960. Për rrjedhojë, pasuritë në SHBA kanë pasur tendencën të vyshken më shpejt. Vetëm një e treta e miliarderëve amerikanë e kanë pasurinë e trashëguar dhe më pak se 10 për qind e këtyre pasurive vijojnë prej tri gjeneratash.
Përkundrazi, më shumë se gjysma e miliarderëve europianë e kanë pasurinë të trashëguar dhe 20 për qind e këtyre pasurive janë më të vjetra se tre gjenerata.
Lufta kundër pabarazisë pritet të jetë sfida përcaktuese përgjatë dekadave të ardhëshme. Ndërsa politikëbërësit shqyrtojnë idetë, nuk ka arsye se pse taksat mbi trashëgimitë të mos jenë në krye të listës.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Case for Higher Estate Taxes