![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/isis-ne-ballkan.jpg)
Një gjykatë në Kosovë ka dënuar një shtetas me shtatë muaj burg për propagandë online në emër të Shtetit Islamik, ISIS.
![Flamuri i ISIS mbulon vendet e Balllkanit për të portretizuar një "Kalifat në Ballkan". Foto: Facebook/ një simpatizant i ISIS.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/isis-ne-ballkan-533x400.jpg)
Një gjykatë në Kosovë ka dënuar me shtatë muaj burg një propagandist të ISIS për përfshirje në propagandë për ISIS në profilin e tij në Facebook. Gjykata tha se Samet Imishti nga qyteti i Hanit të Elezit u gjobit gjithashtu me 800 euro.
Imishti është i pari qytetar i Kosovës i dënuar për angazhimin në propagandën në internet, në emër të organizatave terroriste.
Ai është gjithashtu i pari kosovar që gjykohet dhe shpallet fajtor në bazë të një ligji të ri të miratuar në vitin 2015, që e bën krim pjesëmarrjen në luftërat jashtë vendit, përfshirë edhe propagandën për terroristët.
Hani i Elezit është rajoni përgjegjës për numrin më të lartë të të dyshuarve për terrorizëm në Kosovë – së paku shtatë persona – në bazë të aktakuzave të prokurorisë që BIRN i ka parë.
“Imishti ka inkurajuar individë ose grupe njerëzish që t’i bashkohen formacioneve të armatosura të organizatës terroriste ISIS, ” tha gjykata.
Sipas gjykatës, në postimet dhe komentet në Facebook nga maji deri në nëntor 2015, kur ai u arrestua, ai lavdëroi luftëtarët e ISIS dhe u bëri thirrje myslimanëve të Kosovës që të bashkohen në një xhihad.
Gjykata thotë se Imishti kishte postuar disa thirrje për veprim, duke shkruar: “Të gjithë myslimanët e vërtetë janë ISIS”, “Unë jam ISIS”, “ISIS do çlirimin e Kosovës”, “ISIS do t’ju mirpresë me lule” dhe “Inshallah ata fillojnë me Kosovën a.s.a.p”.
Rreth 100 persona janë arrestuar në Kosovë që nga shtatori i 2014 me akuzën e anëtarësisë aktive ose pjesëmarrjes në grupet islamike si ISIS dhe Al-Nusra.
Më shumë se 50 janë aktualisht në gjyq. Vlerësimet e fundit thonë se rreth 300 shqiptarë të Kosovës janë bashkuar me ISIS dhe Al-Nusran.