![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/carte-classement_0.png)
Organizata “Reporterë pa Kufinj” e rendit Shqipërinë në të njëjtin pozicion me një vit më parë-një vlerësim objektiv sipas ekspertëve, të cilët nuk vërejnë asnjë ndryshim thelbësor në standardin e lirisë së medias.
![Harta e lirisë së medias në 2016 | Foto nga : Reporter pa kufi](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/carte-classement_0-600x295.png)
Organizata “Reporterë pa Kufinj” vlerëson se liria e medias në Shqipëri mbetet në stanjacion. Në indeksin e vitit 2016, Shqipëria ruan të njëjtin pozicion me vitin e kaluar-vendi i 82 nga 180 shtete të analizuara.
Në raportin e publikuar të mërkurën në faqen zyrtare të organizatës “Reporterë pa kufinj” theksohet se “aksesi në informacionet shtetërore vazhdon të jetë i limituar, ndërsa autoriteti regullator i medias, AMA është i politizuar”.
Organizata që promovon dhe mbron lirinë e medias në botë gjykon se Shqipëria duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim. Duke iu referuar ekspertëve të Bashkimit Europian, organizata thekson se “nevojitet zbatim më i mirë i ligjeve në fuqi që garantojnë lirinë e shtypit”.
Christian Mihr, drejtues ekzekutiv i “Reporterë pa kufinj” tha në një intervistë për Deutsche Welle se linja editoriale në Shqipëri përcaktohet nga pronarët e kompanive radiotelevizive-sipërmarrës me shumë ndikim në vend.
“Politikanët dhe pronarët e bizneseve duhet të ndalojnë manipulimin e mediave dhe institucioneve si AMA dhe t'i lënë gazetarët dhe profesionistët të bëjnë në mënyrë të pavarur punën e tyre, në përfitim të publikut shqiptar,” tha Mihr.
Në raport me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria mban një pozicion mesatar. “Reporterë pa kufinj” rendisin Serbinë si vendin me performancë më të mirë në lirinë e medias, pasuar nga Kroacia dhe Bosnja. Shqipëria lë pas vende si Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia, ku atmosfera e lirisë përshkruhet me nota më të zymta.
Në Shqipëri, drejtues dhe ekspertë të medias mendojnë se organizata “Reporterë pa kufinj” i ka bërë një lexim objektiv situatës së lirisë së shtypit. Ata argumentojnë se nuk janë shënuar ndryshime thelbësore, që do të mund ta ngjisnin vendin në një pozicion më të favorshëm.
Skënder Minxhozi, kryeredaktor i portalit online “Javanews” i tha BIRN se ndryshimet në një kohë të shkurtër brenda konjukturës së medias duken të pamundura për vende si Shqipëria. Ai vlerëson se gjatë vitit të fundit është shënuar një avancim i teknologjisë dhe i mediave online, por kjo nuk e ka ndryshuar standardin e lirisë së medias në përgjithësi.
“Jemi në një situatë stanjacioni dhe pa ndryshime substanciale në lirinë e medias,” tha ai.
Koloreto Cukali, kryetar i Këshillit të Medias ndan të njëjtin mendim me Minxhozin sa i përket avancimit të lirisë së medias në Shqipëri. Ai vlerëson se ndërhyrjet politike vazhdojnë të ruajnë të njëjtin nivel, pavarësisht ndryshimit të qeverive.
“Nuk shoh të ketë përmirësim, sa kohë që mjeti i dhunimit është i njëjtë, vetëm dora ndryshon,” tha Cukali për BIRN.
Përgjatë dy dekadave të tranzicionit, piramida mediatike qëndron e lidhur ngushtë me biznesin dhe politikën në vend- një sistem i kritikuar shpesh për injorimin e interesit publik.
Minxhozi i tha BIRN se nuk vëren një presion direkt të shtetit dhe të politikës mbi mediat, krahasuar me më parë. Megjithatë, ai thekson se brenda sistemit mpleksen një sërë interesash që shkojnë në dëm të lirisë.
“Pronarët shqiptarë të medias nuk janë bërë më të mirë; ata kanë interesa të cilat i lidhin ngushtë me njërin apo tjetrin krah të politikës,” tha Minxhozi.
Kryeredaktori i “Javanews” sheh gjithashtu me shqetësim situatën në televizionin publik, i cili mbetet prej vitesh pa drejtor të përgjithshëm, mungesën e transparencës së institucioneve apo vështirësitë e aksesit në informacion të gazetarëve.
Sipas tij, burokracia shtetërore vazhdon të shpikë arsye për vonesat në dhënien e informacionit, ndërsa transparenca përballë publikut mbetet e ulët-ç'ka dëmton standardin e lirisë.
Por a është i mundur një ndryshim i situatës?
Koloreto Cukali argumenton se ndryshimi do të duhej të vinte nga vetë komuniteti i gazetarëve, e që kjo të ndodhë, ata duhet të jenë të mbrojtur më së pari nga pronarët e medias.
“Sistemi ka nevojë për vetërregullim dhe mekanizma për mbrojtjen e gazetarëve, por në Shqipëri tradita e sindikatave mungon dhe gjasat janë të dobëta që një kulturë e tillë të mbijë nga hiçi. Në këto kushte, përmirësimi i lirisë së medias do të ndjekë të njëjtin nivel me sektorët e tjerë në Shqipëri,” përfundon ai.