![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/vucic-glasanje-640.png)
Partia Progresive e kryeministrit Aleksandër Vuçiç fitoi rreth 50 për qind të votave në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë të dielën, duke siguruar edhe katër vite të tjera në pushtet, tregojnë rezultatet e parakohshme.
![Aleksandër Vuçiç. Foto: BETA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/vucic-glasanje-640-300x225.png)
Sipas komisionit zgjedhor serb Partia Progresive Serbe ka fituar 48.26 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Partia Socialiste e Serbisë doli e dyta me 11.02 për qind të votave të përgjithshme, ndërsa e treta ishte Partia Radikale e Vojislav Sheshelit, i cili është aktualisht në pritje të seancës së apelit në gjyqin e tij për krime lufte në Hagë.
Në vendin e katërt ishte Partia Demokratike, ndërsa lëvizja Mjaft dhe koalicioni i Partisë Demokratike të Serbisë mori më pak se 5 për qind, vota të mjaftueshme për të siguruar vende në parlament.
Rezultatet paraprake janë të bazuara në 94 për qind të votave të analizuara dhe pritet që rezultatet përfundimtare do të publikohen në ditët në vazhdim.
“Dua të falënderoj këdo që votoi për ne,” këto ishin fjalët e para të fjalimit të fitores së Vuçiç, që e mbajti në selinë e partisë së tij pasi rezultatet e parakohshme treguan se Progresivët fituan mbi gjysmën e votave.
“Rezultati tregon mbështetje të fortë për demokracinë, reformat dhe integrimin në BE”, shtoi Vuçiç.
Ai tha se ishte krenar dhe i prekur që shtetasit vendosën ta nderojnë atë me drejtimin e qeverisë përsëri.
“Do të vazhdojmë të punojmë për standarde më të mira për shtetasit tanë,” tha Vuçiç.
Pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhjet parlamentare të Serbisë ishte rreth 55 për qind e shtatë milionë njerëz të cilët kishin të drejtë vote.
Megjithatë, Partia Demokratike dhe Partia Liberal Demokratike thanë se planifikojnë të paraqesin ankesa në komisionin zgjedhor mbi parregullsi gjatë votimit.
Sipas CRTA, një nga grupet e monitorimit të zgjedhjeve lokale, ka pasur një seri parregullsish gjatë votimit në disa vende në të gjithë Serbinë.
Shkaku më i zakonshëm i tyre ishte votimi i dyfishtë, por në disa vende aktivistët e partive të ndryshme politike prisnin para vendvotimeve duke mbajtur shënim se kush kishte votuar apo jo, duke shkelur kështu kodin zgjedhor.
Analiza CRTA tregoi gjithashtu se 82 për qind të qendrave të votimit ishin hapur me kohë, shtatë për qind u hapën më parë se parashikimi dhe 11 për qind me vonesë.
Votime për zgjedhjet serbe u mbajtën edhe në Kosovë, nën vëzhgimin e OSBE, ku rreth 44 për qind e popullatës serbe atje votuan.