![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/BIRN-Macedonia-4.jpg)
Kur maqedonasit dhe shqiptarët marshuan krah për krahu në një tubim anti-qeveritar në qytetin e përzier etnikisht të Tetovës, kjo shtoi shpresat për një qëndrim të përbashkët etnik kundër padrejtësive në të ardhmen.
![Protestues me flamuj maqedonas dhe shqiptarë po kërcejnë ndërsa po protestojnë para kryeministrisë në Shkup, Maqedoni më 17 maj 2015. (AP Photo/Boris Grdanoski)](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/flamuj-shqiptare-dhe-maqedonas-600x360.gif)
Për herë të parë javën e kaluar, dielli i verdhë i flamurit të Maqedonisë dhe shqiponja me dy koka e flamurit shqiptar u valëvitën krah për krah në një protestë në Tetovë.
Organizuar nga lëvizja qytetare Protestiram, tubimi ishte pjesë e një serie të marshimeve të organizuara që nga vendimi i presidentit Ivanov më 12 prill për të falur politikanët që ishin nën hetim nga prokuroria speciale në mbarë vendin.
Prokuroria u krijua si pjesë e një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE për t’i dhënë fund krizës politike që ngjallën akuzat e përgjimit. Këto shpërthyen në fillim të vitit të kaluar pas pretendimeve të opozitës se qeveria, atëherë e udhëhequr nga Nikolla Gruevski, ishte përgjegjëse për përgjime të paligjshme të më shumë se 20.000 njerëzve, ndër shumë akuza të tjera kriminale.
Vite më parë, që një shqiptar etnik të fluturonte bashkë me flamurin e Maqedonisë – ose që një flamur i Maqedonisë të ishte në një miting bashkë me flamujt shqiptarë – do të kishte qenë një tradhti në të dyja anët”, tha Kastriot Rexhepi, Drejtori i Punëve të Jashtme të lëvizjes politike shqiptare BESA.
Shumë vendas do ta merrnin këtë si një nënkuptim – ku më pak se 20 vjet më parë, valëvitja së bashku e flamurit maqedonas dhe atij shqiptar në Tetovë mund të çonte në arrestime.
Ndasi të gjata
Në maj të vitit 1997, pas zgjedhjeve bashkiake të Alajdin Demirit dhe Rufi Osmanit në Tetovë dhe Gostivar respektivisht, të dyja bashkitë e qyteteve filluan të valëvitnin flamurin shqiptar.
Duke vlerësuar ligjshmërinë e kësaj, Gjykata Kushtetuese i kërkoi Gostivarit ta ulte deri në një vendim zyrtar për kushtetutshmërinë e veprimit.
Këshilli refuzoi, duke shkaktuar një bllokim që kulmoi dy muaj më vonë kur policia hoqi flamujt. Trazirat pasuan, duke lënë 196 të plagosur, katër të vdekur dhe duke arrestuar dy kryetarët e komunave.
Kjo mosmarrëveshje etnike nuk ishte e pazakontë në atë kohë, sepse edhe pse shqiptarët kanë perceptuar gjithmonë një shkallë të diskriminimit ndaj kulturës së tyre, gjendja ishte dukshëm më e keqe gjatë dhjetë viteve të para pas pavarësisë.
Që kur kushtetuta e vendit e deklaroi “shtet nacional i popullit maqedonas”, -duke mënjanuar minoritetet shqiptarë dhe turq të përmendura në kushtetutën e vjetër jugosllave – minoriteti më i madh ka vazhduar të ankohet ndarjen e padrejtë elektorale, mungesën e shërbimeve arsimore në shqip dhe pamjaftueshmërinë e përfaqësimit në të gjitha nivelet e qeverisjes, mes shumë shqetësimeve të tjera.
![Edmond Ademi | Foto: BIRN.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Edmond-Ademi-640-533x400.jpg)
“Për fat të keq, kemi humbur në fillim të viteve ’90 mundësitë për të bashkuar shtetin, për të krijuar një shoqëri ku të gjithë do të ndjehen të lirë dhe të barabartë”, tha Edmond Ademi, shqiptari i parë etnik në bordin ekzekutiv të partisë kryesore opozitare të vendit, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, LSDM.
“Kur u shpall pavarësia, isha 15 vjeç. unë jam 40. Për 25 vjet , unë jam ngopur me të njëjtin rreth”,, shpjegoi Ademi.
“Në çastin kur stabilizohesh dhe mendon se gjërat do të ecin përpara, ndodhin vështirësi, gjithnjë, përçarje etnike, shoqërore, njerëzore, shkollore dhe të kopshteve,” shtoi ai.
Si një zonë me shumicë shqiptare, Tetova pa një nga shembujt më famëkeq të tensioneve etnike nga viti 1994 deri në 2004, kur vendasit u përpoqën për krijimin e një universiteti në gjuhën shqipe.
Shpallur si e paligjshme nga ana e shtetit, universiteti fillimisht u shkatërrua, u rihap një vit më vonë, më pas u mbyll një ditë më vonë. Saga shkaktoi një të vrarë, kur protestuesit u përleshën me policinë, ndërsa 19 deputetët shqiptarë u tërhiqen nga parlamenti dhe dekan i universitetit shkoi në burg përpara se të jepej njohje ligjore një dekadë më vonë.
I ndodhur në afërsi të kufirit të Kosovës, shumë pjesë të qytetit u shndërruan përkohësisht në zona lufte, pasi luftëtarët shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nisën një kryengritje në janar 2001.
Me tanket dhe helikopterët e forcave maqedonase të sigurisë nga njëra anë dhe forcat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në anën tjetër, dhuna, paligjshmëria dhe dënimet ishin të zakonshme deri në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, që i dha fund konfliktit në gusht të vitit 2001.
Duke kthyer vështrimin në ngjarje të tilla historike, shumë do të pyesnin veten se si një qytet i shkatërruar nga konfliktet etnike 15 vjet më parë mund të dëshmojë demonstrata multi-etnike sot. Por aktivisti vendas Arianit Xhaferi beson se tensionet nuk kanë qenë aq të forta sa u perceptuan.
“Unë mendoj se marrëdhëniet kanë qenë gjithmonë të mira,” tha ai për BIRN në një kafene në bulevardin kryesor të Tetovës.
“Në vitin 2001, kur kishte luftë në Maqedoni, nuk ishte mes maqedonasve dhe shqiptarëve, ishte më tepër në mes luftëtarëve shqiptarë dhe policisë maqedonase e forcave të ushtrisë, ” shpjegoi ai.
“Të njëjtët miq maqedonas që kam pasur para vitit 2001, kam edhe sot. Babai im ka miq maqedonas, ashtu edhe vëllai e nëna ime. Ne kurrë nuk e kemi urryer njëri-tjetrin”, këmbënguli ai.
Protesta pionierësh
Vladimir Gjorgjevski, anëtar i një OJQ-je lokale të quajtur Qendra për Edukim dhe Zhvillim, ishte një nga organizatorët e marshimit të javës së shkuar në Tetovë. Ai donte të rriste ndërgjegjësimin e lëvizjes qytetare Protestiram dhe të siguronte një platformë për njerëzit që nuk mund të marrin pjesë në demonstratat në Shkup.
Duke promovuar tubim nëpërmjet Facebook, Gjorgjevski tha se ai ka hasur skepticizëm nga disa anëtarë të publikut.
“Mendoj se është më e komplikuar në Tetovë, kemi njerëz nga çdo kombësi dhe çdo fe në Maqedoni. Dhe është e vështirë të organizohet për shkak të përkthimit të thirrjes së ngjarjes në gjashtë gjuhë,” shpjegoi ai.
“Ata ishin skeptikë nëse do të kishte njerëz nga të gjitha etnitë. Kur ishim duke e organizuar, dëgjuam shumë dyshime në lidhje me organizatorët, pasi njerëzit mendojnë ende se vetëm njëra palë fshihet pas organizimit. Njerëzit nuk mund ta imagjinojnë se ne jemi ulur së bashku – kjo kërkon kohë”, shtoi ai.
Por rreth 4.000 njerëz nga të gjitha përkatësitë dolën në tubimin e të martës së kaluar, duke i kaluar në numër disa qindra njerëzit që Gjorgjevski pa në një kundër-tubim pro-qeveritar i cili u mbajt një orë më parë, ku u panë vetëm flamuj maqedonas.
“Ajo ishte me të vërtetë një gjë e mahnitshme për mua, të shihje njerëz të cilët po vinin me shumë flamuj, ishte shumë e përzier dhe ne folëm në megafon në çdo gjuhë. Baneri ishte në çdo gjuhë, në baner kishte njerëz të çdo etnie”, tha ai.
Xhaferi , i cili është shumë kritik ndaj koalicionit të tanishëm qeverisës, tha se çdo intolerancë midis dy etnive është politike.
“Partitë nacionaliste po përpiqen të tregojnë se maqedonasit dhe shqiptarët e urrejnë njëri-tjetrin. Ata po e ngulitin këtë marrëzi në kokat e njerëzve dhe pastaj njerëzit e besojnë. Ata nuk po bashkëpunojnë, në mënyrë që të përçajnë dhe pushtojnë,” tha ai.
Rexhepi pohoi se partitë e koalicionit qeverisës e shtojnë retorikën nacionaliste gjatë periudhave zgjedhore, në atë që ai mendon se është një përpjekje për të “luajtur kartën etnike”.
Megjithatë, ai tha se përpjekje të tilla kanë qenë më pak efektive që nga shpërthimi i regjistrimeve vitin e kaluar.
“Disa vjet më parë, ndoshta njerëzit mund ta besonin këtë propagandë nga partitë e koalicionit të qeverisë. [Që] pas publikimit të këtyre bisedave të përgjimit, ne mund të shohim se si janë bërë marrëveshjet korruptive,” tha ai.
“Kur njerëzit e kuptuan se këto parti nuk ishin me të vërtetë të ndershme në retorikën u përdorur, ata nuk u mashtruan më. Qeveria është përpjekur t’i përçajë ata sa më shumë të jetë e mundur, por unë mendoj se kjo po i afron më shumë njerëzit,” shtoi ai.
Pasi ka vendosur edhe vetë një precedent si shqiptari i parë etnik në bordin ekzekutiv të LSDM, Ademi beson se qëndrimet janë duke u bërë më pak të përçara, duke theksuar se që nga një tubim i madh multi-etnik i Protestiram në kryeqytetin e Shkupit më 17 maj të vitit të kaluar, partia e tij historikisht maqedonase, ka parë të regjistrohen rreth 10,000 shqiptarë.
“Nuk po them se nuk mendojnë më në këtë mënyrë. Por unë mendoj se ato protesta në vitin e kaluar, dhe ajo që po ndodh tani, është një shenjë e gjërave në ndryshim këtu,” tha ai.
“Unë nuk jam një idealist që të them se do të ndryshojë brenda natës, gjashtë muajve, apo edhe një viti tjetër. Por ngadalë po lëvizim në drejtim të njerëzve të cilët e kuptojnë se janë pjesë e një grupi etnik, por nga kjo ka edhe elementë të tjerë të këtij vendi që duhet të rregullohen. Ka edhe gjëra të tjera në jetën e vendit përveç valëvitjes së flamurit dhe gjuhës. Ato janë të rëndësishme, por ka gjëra të tjera”, shtoi ai.
Bashkimi i kombit?
![Adrianit Xhaferi. Foto: BIRN](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Adrianit-Xhaferi-640-533x400.jpg)
Ndonëse demonstratat e vitit të kaluar pas zbulimeve përgjimit masiv përfshinë shumë etni në 17 maj, fillimisht lëvizja e protestës nuk u përhap në zonat me shumicë shqiptare. Megjithatë, tubime po mbahen këtë vit në Tetovë dhe Gostivar.
“Ndërsa vitin e kaluar protestat ishin më shumë politike, të fokusuara në dorëheqjen e koalicionit qeveritar, tani kemi ngjarje të veçanta të cilat kanë me të vërtetë rëndësi në mënyrë të barabartë për të gjitha komunitetet etnike”, tha Rexhepi.
Aktivisti i OJQ Xhaferi, i cili themeloi grupin mjedisor vendas, Eco Guerilla, beson se përpjekjet e bëra për të bashkuar njerëzit e të gjitha përkatësive etnike për protesta anti-ndotjes në Tetovë, në muajt e fundit mund të kenë inkurajuar edhe bashkimin në tubim javën e kaluar.
“Me kalimin e kohës u bëmë gjithnjë e më shumë dhe protestat tona më të fundit në dhjetor të vitit të kaluar kishin 7-8,000 pjesëmarrës. Kështu unë besoj se u dhamë njerëzve guximin të dalin në protestë dhe të shprehin pakënaqësi me çfarë po ndodh”, sugjeroi ai.
Xhaferi gjithashtu beson se, që nga publikimet e regjistrimeve të përgjimit të paligjshëm nga LSDM-ja në fillim të vitit 2015, njerëzit janë bërë më të zëshëm në kritikat e tyre ndaj qeverisë, duke përmendur si një shembull komentin në faqen e Facebook të Ali Ahmetit, liderit të partisë etnike shqiptare bashkëqeverisëse, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI.
“Tre vite më parë, nëse vizitonit faqen e Ahmetit ose të BDI-së në Facebook dhe lexonit disa nga komentet, ju do të shihnit kritika nga njerëz anonim dhe njerëzit me emër dhe mbiemër që shprehnin mbështetjen,” tha Xhaferi.
“Tani gjërat kanë ndryshuar: shihni njerëz që kritikojnë me identitetin e tyre të plotë, duke thënë “ajo që po bëni është e gabuar, ju ta shpifni, ju jeni të korruptuar” , dhe ju keni njerëz anonim që i mbështesin ata,” shtoi ai.
Edhe pse protestat multi-etnike mund të bëhen gjithnjë e më normale, diskriminimi etnik nuk është lënë në të shkuarën. Për shembull, një studim në vitin 2010 tregoi se shpenzimet e qeverisë për kokë banori për kujdesin shëndetësor dhe arsimin ishte dyfish më i madh për komunitetet maqedonase se sa për komunitetin shqiptar.
Shumë shqiptarë gjithashtu mendonin se kishin përfaqësim të pabarabartë në ministritë e qeverisë dhe ndërmarrjet publike, ndërsa gjithashtu besojnë se kulturës maqedonase i është dhënë prioritet mbi atë shqiptare.
Vetëm muajin e kaluar, disa mijëra shqiptarë u mblodhën në kryeqytet kundër diskriminimit që ata besojnë se përballen nga institucionet shtetërore, ndër të tjera.
Megjithatë Rexhepi sugjeroi se vala e fundit e protestave mund të ndihmojë për të sjellë komunitetet më afër.
“Në këtë situatë të vështirë, me të gjitha gjërat e këqija që i erdhën kësaj shoqërie dhe vendit nga kjo qeveri, ka diçka pozitive: pas një kohe të gjatë, njerëzit me prejardhje të ndryshme etnike dhe fetare kanë filluar të bashkohen dhe të protestojnë së bashku,” tha ai.
Xhaferi sugjeroi ndërkohë se veprimet e koalicionit qeverisës kanë “bërë bashkë kombin”.
“Ata na duan të ndarë, politikanët nuk na duan të bashkuar si shqiptarë dhe maqedonas. Sepse kur shqiptarët dhe maqedonasit bashkohen për të folur për çfarëdo çështje, ne do të gjejnë gjuhën e përbashkët, do të kuptojmë njëri-tjetrin, do të bashkëpunojmë, ne do të punojmë së bashku. Dhe kjo nuk është në dobi të tyre”, tha ai.
Protestiram – dhe LSDM, sipas disa njerëzve – arritur disa suksese vitin e kaluar duke siguruar dorëheqjet nga qeveria, themelimin e zyrës së re prokurorit special dhe marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE për t’i dhënë fund krizës.
Por tani lista e saj e kërkesave është më e gjatë, dhe ndërsa zona të tilla si Tetova dhe Gostivari po i bashkohen protestave për herë të parë, lëvizja duket se po përhapet – edhe pse Ademi tha se ky unitet i krijuar së fundmi duhet të ruhet.
“Suksesi i lëvizjes në fund të ditës do të jetë vetëm nëse ne do të qëndrojmë së bashku,” tha ai.
“Dhe unë nuk shoh asnjë arsye për të mos e bërë këtë, sepse ne kemi të njëjtat qëllime. Kjo nuk ka lidhje me çështjet maqedonase ose ato shqiptare. Kjo lidhet me çështjet e qytetarëve”, këmbënguli ai.