Disa policë dhe protestues janë plagosur gjatë përplasjeve në një tubim anti-romë në qytetin jugor të Radnevos, që u mbajt pas sulmeve të dyshuara të disa burrave romë ndaj bullgarëve etnikë.
Tre policë dhe katër protestues u plagosën pas përleshjeve të dhunshme që shpërthyen gjatë një tubimi në Radnevo, lajmëroi ministria e brendshme bullgare të enjten.
Rreth 2,000 njerëz morën pjesë në protestën e të mërkurës në mbrëmje, pas një incidenti në të cilin katër burra me origjinë rome sulmuan tre bullgarë në një protestë të hënën.
Dhuna shpërtheu kur turma, duke bërtitur “Bullgarinë për bullgarët” , “bullgarët-heronj”, “Bulgaria mbi të gjitha” dhe parulla të ndryshme anti-rome, iu drejtua lagjes rome të Kantonas, e cila ishte rrethuar nga forcat speciale të ministrisë së brendshme.
Disa nga protestuesit u përpoqën të thyejnë barrikadat dhe të hyjnë në lagjen e romëve, duke hedhur gurë dhe fishekzjarre ndaj policëve, të cilët u përgjigjën duke shpërndarë turmën me shkopinj gome.
Sipas kryebashkiakut të Radnevos, Tenyo Tenev, njerëzit që u përpoqën të thyejnë barrikadat ishin huliganët e futbollit nga qyteti fqinj i Stara Zagorës.
Duke folur për televizionin publik BNT të enjten, Tenev i bëri thirrje popullit të Radnevos, një qytet me rreth 13.000 banorë, të protestojnë në mënyrë paqësore.
Tenev pretendoi se incidenti që ndezi tensionet u shkaktua nga një familje rome.
“Njerëzit janë të ngopur me shkeljet e kësaj familjeje, nga sjelljet e tyre të paturpshme, agresive dhe arrogante,” i tha ai medias të mërkurën.
Familja deri tani ka bërë asnjë reagim publik ndaj akuzave të kryetarit të bashkisë.
Katër persona – një rom i quajtur Kalcho Ivanov dhe tre të afërmit e tij – u arrestuan dhe u akuzuan për vrasje në tentativë, pasi dyshohet se kanë rrahur tre të rinj nga Radnevo të hënën.
Një nga viktimat u shtrua në spital nga një plagë thike në rrezik për jetën.
Avokati i të dyshuarve tha, megjithatë, se një prej romëve, Stefan Ivanov, u rrah rëndë nga bullgarët.
Njerëzit në Radnevo tani po organizojnë një tjetër tubim, të planifikuar për të enjten në mbrëmje.
Ndërkohë, njerëzit nga lagjja e romëve i thanë medias se ata janë të frikësuar për jetën e tyre dhe se shumica e banorëve të saj janë larguar përkohësisht, duke shkuar te miqtë dhe të afërmit jashtë Radnevos.
Përleshjet e të mërkurës nuk ishin të paprecedentë në Bullgari, ku vitet e fundit tensionet mes komunitetit rom dhe bullgarëve etnikë kanë shpërthyer disa herë, zakonisht mbi çështje të lidhura me krimin.
Përleshjet më të dhunshme u zhvilluan në vitin 2011, kur u mbajtën protesta anti-romë në të gjithë vendin pas aksidenteve tragjike në fshatin jugor bullgar Katunitsa, që çuan në vdekjen e dy djemve të rinj bullgarë.
Në vitin 2015, protestuesit gjithashtu zaptuan getot rome në fshatin jugor të Bullgarisë, Garmen, si dhe lagjen Orlandovtsi të Sofas, por policia i përçau duke parandaluar dhunën.