![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/border-fence-thumb.jpg)
Bullgaria është bërë i pari shtet anëtar i BE-së që nënshkroi një protokoll me Ankaranë për të vendosur procedurat e dërgimit në Turqi të migrantëve të paligjshëm duke filluar nga muaji i ardhshëm.
![Gardhi bullgar me Turqinë. Foto: Boyko Borissov/Facebook.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/border-fence-thumb-600x400.jpg)
Bullgaria do të jetë në gjendje të kthejë përsëri emigrantët që kanë kaluar kufirin e saj me Turqinë në mënyrë të paligjshme nga 1 qershori, në bazë të protokollit të nënshkruar mes Sofjes dhe Ankarasë të enjten.
Vendi është i pari nga vendet anëtare të BE-së që nënshkruajnë protokollin , i cili përcakton procedurat për kthimin e refugjatëve në Turqi.
“Gjëja më e rëndësishme është se ne jemi duke dërguar një sinjal shumë të fortë për trafikantët dhe refugjatët që planifikojnë të kalojnë kufirin bullgaro-turk,” tha ministrja e brendshme bullgare Rumjana Rachvarova në Ankara.
Brukseli dhe Ankaraja fillimisht arritën një marrëveshje mbi ripranimin e emigrantëve të paligjshëm që kanë hyrë në Europë nga Turqia në vitin 2013, në shkëmbim të përshpejtimit të bisedimeve për liberalizimin e vizave për shtetasit turq.
Por procesi u përshpejtua pasi BE dhe Turqia nënshkruan marrëveshjen e tyre polemike mbi kthimin e refugjatëve më 18 mars të këtij viti, i cili detyroi Brukselin të bëjë lëshime serioze për Ankaranë në një përpjekje për të ndalur valën e emigrantëve.
Pavarësisht kritikave të ashpra, Komisioni Europian propozoi heqjen e vizave për shtetasit turq nga qershori.
Ministri i brendshëm turk Efkan Ala tha të enjten se Turqia do të nënshkruajë marrëveshje të ngjashme me vendet e tjera të BE-së dhe se ajo është e gatshme të përmbushë angazhimet e saj.
Ministrat e brendshëm të Turqisë dhe Bullgarisë ranë dakord edhe për procedurat për një qendër të përbashkët kontakti mes Bullgarisë, Turqisë dhe Greqisë, e cila do të fillojë funksionimin brenda disa javësh në pikën e kontrollit kufitar Capitan Andreevo në kufirin bullgaro-turk.
Ajo ka për qëllim të lejojë tre vendet të shkëmbejnë informacion operacional për çështjet e lidhura me trafikantët e njerëzve, kontrabandës dhe kundër-terrorizmit.
Bachvarova theksoi se në tre muajt e parë të vitit 2016, trafikimi i paligjshëm i emigrantëve në Bullgari ka rënë me 30 për qind në bazë vjetore në 1.500 persona.
Në përpjekjet për të ndaluar valën e refugjatëve përmes kufirit bullgaro-turk, Sofja ka vendosur policë shtesë për të shtuar mbrojtjen e kufirit dhe për të lejuar ushtrinë të marrë pjesë në patrullat kufitare.
Një gardh teli me gjemba prej 133 kilometra është ende në ndërtim e sipër përgjatë kufirit tokësor të vendit me Turqinë.
Nga ana tjetër në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP, kryeministri bullgar Boyko Borissov konfirmoi zotimin e Bullgarisë për kuotat e refugjatëve që do t’i japë BE, ku Bullgaria do të marrë 1200 azilkërkues.