![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/koco-kokedhima.gif)
Gjykata Kushtetuese vendosi sot pas një procesi që nisi një vit më parë se deputeti Koço Kokëdhima duhet të lërë mandatin për shkak se një nga kompanitë e tij ka përfituar fonde publike në kohën gjatë së cilës ai qe deputet, gjë që mund të hapë rrugën që shumë deputetë biznesmenë të tjerë të dalin nga parlamenti.
![Koço Kokëdhima duke folur në Kuvendin e Shqipërisë më 26 shkurt 2015. Foto: LSA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/koco-kokedhima-1024x614.gif)
Deputeti Koço Kokëdhima, i zgjedhur në qarkun Vlorë në zgjedhjet e vitit 2013 nga lista e Partisë Socialiste, humbi sot mandatin e deputetit pasi Gjykata Kushtetuese shpalli papajtueshmërinë e tij me kushtetutën.
Në një njoftim për shtyp të publikuar sot, gjykata tha se e konstatonte papajtueshmërinë e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima, ndërsa zbardhja e vendimit pritet të kryhet në javët në vazhdim.
Kokëdhima, 57 vjeç, qe akuzuar nga Partia Demokratike në opozitë se kishte shkelur kushtetutën, pasi një nga kompanitë e krijuara prej tij, Abissnet, pati përfituar kontrata të shërbimit të internetit me institucione të ndryshme publike gjatë kohës që ai qe deputet. Kokëdhima i mohoi akuzat duke thënë se kompania Abissnet qe shitur prej tij para se ai të bënte efektivisht betimin si deputet, por Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi këtë argumentim.
Sipas Nenit 70 të Kushtetutës, deputetët nuk mund të kryejnë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit apo pushtetit vendor dhe nuk mund të përfitojnë pasuri shtetërore apo bashkiake.
Kërkesa e Partisë Demokratike e dorëzuar në Kuvend në fillim të vitit 2015, u rrëzua pa shpjegime nga Kuvendi me vendimin Nr. 48, ku Kuvendi i jepte të drejtën vetes të mos i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kërkesës së PD-së.
Në dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese iu përgjigj një kërkese të deputetëve të opozitës dhe shpalli se Parlamenti nuk ka të drejtë të mos veprojë në një rast të tillë, duke e urdhëruar Kuvendin e Shqipërisë të dërgojë për shqyrtim kërkesën e opozitës për deputetin Kokëdhima.
Vendimi për Kokëdhimën është i dyti i këtij lloji në historinë e re të Shqipërisë. Më herët, deputeti Ilir Beqaj i Partisë Socialiste humbi mandatin në vitin 2011 pasi një kompani pjesërisht nën pronësinë e tij kishte fituar një tender publik.
Edhe disa deputetë socialistë pritet t’i nënshtrohen këtij parimi kushtetues.