![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Colorful-Revolution-by-Vanco-Dzambaski-2-001.jpg)
Individë të frymëzuar dhe idetë e tyre kreative – në vend të partive tradicionale – po nxitin “Revolucionin Shumëngjyrësh” të Maqedonisë, thonë anëtarët e lëvizjes.
![Protesta ne Shkup. Foto: Vanco Dzambaski](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Colorful-Revolution-by-Vanco-Dzambaski-1-002-532x400.jpg)
Energjia e protestave kundër qeverisë së Nikolla Gruevskit në Maqedoni buron nga entuziazmin e individëve, jo nga partitë politike, i thanë BIRN pjesëmarrësit në protesta.
Protestiram, [Unë protestoj], lëvizja qytetare pas demonstratave të mbajtura në të gjithë vendin, “ka një strukturë horizontale – nuk ka president apo lider”, shpjegon Stefan Vidikov, i cili është pjesë e lëvizjes.
“Ne kemi marrë pjesë si individë, jo si anëtarë të organizatave të veçanta, në mënyrë që njerëzit të jenë të lirë të propozojnë idetë e tyre”, thotë Vidikov.
Vidikov është pjesë e Plenumit Studentor, shoqata joformale që vitin e kaluar ka organizuar protesta masive studentore në Shkup, anëtarët e të cilit, së bashku me shumë të tjerë, janë pjesë e Protestiram. Një përzierje individësh që vijnë nga OJQ të ndryshme dhe lëvizje civile e politike.
“Komunikimi është i përditshëm nëpërmjet email dhe rrjeteve sociale, kështu që asnjë person në veçanti ose grup njerëzish të mos e quajnë veten organizatorët të protestave. Ne mund të themi se Protestiram ka evoluar në një rrjet virtual të njerëzve. Kështu, kushdo që mendon se ai ose ajo mund të ndihmojë mund të bashkohet lehtësisht”, tha për BIRN Voislav Stojanovski, një tjetër protestues aktiv.
![Harku i Triumfit ne Shkup i mbuluar nga boja. Foto: Vanco Dzambaski](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Colorful-Revolution-by-Vanco-Dzambaski-3-001-532x400.jpg)
Anëtarët e Protestiram thonë se kjo është mënyra se si ata vendosin çdo ditë për rrugën ku do të mbahen marshimet që fillojnë çdo mbrëmje në orën 6, për muzikën që do të luhet, temën e përgjithshme të ditës dhe retorikën e përdorur. E njëjta gjë vlen edhe për protestat në qytete të vogla në të gjithë vendin.
Kur protestat filluan më 12 prill, pasi Presidenti Gjorge Ivanov ndali hetimet penale të politikanëve të lartë dhe të bashkëpunëtorëve të tyre, përfshirë ish-kryeministrin dhe liderin e VMRO DPMNE, Nikolla Gruevski, ka pasur frikë se gjërat mund të dilnin jashtë kontrollit dhe të përshkallëzonin në dhunë.
“Tensioni ishte i lartë në ditët e para dhe ne ishim pak të organizuar për protesta siç duhet. Zemërimi [mbi faljen e presidentit] ishte i madh, dhe ndodhën disa përleshje të vogla me policinë”, tha për BIRN një anëtar i plenumit nën kushte anonimiteti.
Pas disa ditësh protesta, pasi dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e Shkupit, disa aktivistë filluan të hidhnin topa me bojë në harkun e triumfit të qytetit.
I ndërtuar si pjesë e riorganizimit me fonde qeveritare të kryeqytetit, i quajtur Shkupi 2014, harku dhe monumentet shoqëruese shihen si simbole të regjimit të Gruevskit – dhe të zakonit të tij të supozuar për të shpenzuar më shumë para për zbukurimin e qytetit sesa në problemet e rëndësishme.
![Protestuesit më 5 maj gjatë përkujtimit të vrasjes së një të riu, që sipas përgjimeve zyrtarët u përpoqën ta mbulonin. Foto: Robert Atanasovski](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Skopje-protests-2016-by-Robert-Atanasovski-1-001-533x400.jpg)
“Donim ta kanalizonim zemërimin fillestar dhe inatin e faljes presidenciale në diçka më simbolike dhe kreative. Kështu vendosëm të përdornim bojë në vend të diçkaje që mund të shkaktojnë dëme më të madhe fizike”, tha protestuesi.
Përdorimi i bojës i dha protestave emrin “Revolucioni Shumëngjyrësh” – dhe aktivistët që atëherë nuk e kanë kursyer imagjinatën apo entuziazmin për veprime të tjera simbolike guerile.
Në një tjetër veprim, protestuesit më 5 maj ngjyrosën pjesë të Sheshit të Kuq të Maqedonisë dhe hodhën bojë të kuqe në shtarvanë në Shkup.
Ideja ishte të kujtohen njerëzit për vrasjen e të riut që ndodhi në të njëjtin vend më 2011, që sipas, bisedave të publikuara së fundmi mes zyrtarëve, autoritetet u përpoqën ta mbulonin.
Në një tjetër performancë, një lavatriçe gjigante u shfaq si një simbol i pastrimit të parave të lidhura me partinë në pushtet.
Në një mbrëmje tjetër, aktivistët pikturuan të gjithë parvazin prej bronzi të urës “Liria” të qytetit me ngjyra të gjalla, duke protestuar kundër çmimit të lartë të saj, mbi 1.5 milionë euro.
Përballë ndërtesës së qeverisë, protestuesit shpesh shfaqin kanavaca të mëdha me portrete të zyrtarëve shtetërorë, përfshirë Nikola Gruevskin, presidentin Gjorge Ivanov dhe ish-ministren e brendshëm Gordana Jankulloska – dhe hedhin bojë mbi to.
“Ndonjëherë blej kanavasa, miku im i sjell bojën dhe njerëz të tjerë sjellin armë lodra për ujë, të mbushura me bojë. Disa dizenjatorë kanë dhuruar punimet e tyre që njerëzit të mund t’i stampojnë në bluza, kështu bëhen gjërat te ne”, shpjegoi një aktore e re, pjesë e protestave.
![Piktorët dhe dizenjatorët maqedonas dhuruan punimet e tyre për t'u stampuar në bluza. Foto: Vanco Dzambaski](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Colorful-Revolution-by-Vanco-Dzambaski-2-001-533x400.jpg)
Kriza e zgjatur e Maqedonisë sillet rreth pretendimeve të opozitës se qeveria e kryesuar dikur nga Gruevski ishte përgjegjëse për përgjimin e paligjshëm të mbi 20.000 njerëzve, mes shumë krimeve të tjera.
Gruevski, që e ka pasur pushtetin që nga 2006 dhe që hoqi dorë si kryeministër vetëm përmes marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE verën e shkuar, pretendon se përgjimet janë sajesa të huaja për të destabilizuar vendin.
Partia qeverisëse dhe media pro-qeveritare këmbëngul se protestat janë pjesë e të njëjtit skenar, që synon destabilizimin e Maqedonisë.
Elena Stavrevska, një tjetër pjesëmarrëse aktive në protesta, thotë se ndërsa përdorimi i bojës është simbolik dhe mund të lahet apo mbulohet, kërcënimi i vërtetë i regjimit autokratik është shtimi në numër i njerëzve që besojnë se edhe ata mund të ndryshojnë diçka.
“Njerëzit janë bërë të vetëdijshëm se aktiviteti i tyre nuk është i kotë dhe se rezistenca e tyre ka rëndësi,” shtoi ajo.