![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Marovic.jpg)
Ish-presidenti i Shtetit të Serbisë dhe Malit të Zi, i cili nuk ekziston më, Svetozar Marovic, do të vuajë gati katër vite burg pasi pranoi fajësinë në një gjyq korrupsioni.
![Svetozar Marovic. Foto: Facebook.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Marovic-300x225.jpg)
Ish presidenti i shtetit të Serbisë dhe Malit të Zi, Svetozar Marovic, u lirua nga burgu të martën pasi nënshkroi një marrëveshje me prokurorinë e posaçme për krimin e organizuar dhe korrupsionit duke pranuar të vuajë tre vjet e tetë muaj burg.
Gjashtëdhjetë e një vjeçari Marovic është akuzuar si kryetar i një grupi kriminal në qytezën e tij Budva. Pas pesë muajsh paraburgim, ai raportohet se ka pranuar të tregojë se ku përfunduan 15 milionë euro që humbën nga bashkia e Budvës në shkëmbim të një dënimi të reduktuar me burg. Nuk është ende e qartë se kur do të fillojë ai ta vuajë dënimin.
Avokati i tij Zdravko Begovic konfirmoi marrëveshjen me prokurorinë por deklaroi se ajo nuk përfshin pranimin nga ana e Marovic të akuzës se ka udhëhequr një organizatë kriminale.
Marovic kaloi gati pesë muaj në burgun Spuz pranë Podgoricës dhe Begovic tha se shëndeti i tij është përkeqësuar.
“Pesë muaj paraburgim, pavarësisht sjelljes shumë korrekte nga stafi i burgut, në shumë mënyra e përkeqësoi shëndetin e tij mendor dhe fizik dhe pasi doli nga burgu, Marovic u dërgua menjëherë për vizitë në spital për të lehtësuar këto probleme shëndetësore,” tha Begovic për gazetarët.
Marovic shërbeu gjithashtu si kryetar i parlamentit të Malit të Zi si dhe si president dhe kryeministër i Serbisë dhe Malit të Zi.
Ai u arrestua dhjetorin e kaluar pas një hetimi të gjatë mbi bashkinë e Budvës.
Shumica e bashkëpunëtorëve të tij ose janë arrestuar, ose janë dënuar ose janë nën gjykim për korrupsion dhe abuzim me pushtetin në Budva.
Djali i tij, Milos, vëllai, Dragan dhe ish zëvendëskryetar i Budvës, halla e tij apo halla e tij Mirjana kanë kaluar shumë muaj burg tashmë.
Marovic qe i pari dhe i fundit president i shtetit Serbi dhe Mali i Zi, një federatë me pak lidhje që u krijua nga ajo çfarë mbeti nga Jugosllavia më 2003. Federata u shpërbë më 2006 kur Mali i Zi votoi në një referendum në favor të pavarësisë.
Edhe në ditët e para pas pavarësisë, media anti-qeveritare në Malin e Zi e akuzoi Marovicin, familjen dhe bashkëpunëtorët e tij në Budva për një numër abuzimesh.
Prej shumë vitesh, organizata vendëse MANS e lidhi emrin e tij me dyshimet për abuzime në qeverisjen vendore të Budvës.
MANS pretendoi të martën se marrëveshja e kryer nga prokuroria me Marovic dhe vëllain e tij qenë tregues se prokuroria nuk qe në gjendje të kryente hetimet siç duhet në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Hetimi i parë serioz i kryer nga Prokuroria Speciale përfundon me një marrëveshje… për shkak të inefikasitetit të të gjithë procesit,” deklaroi kërkuesi i Mans Dejan Milovac.
Milovac tha se marrëveshja e fajësisë ngrinte pyetje mbi aftësitë e prokurorisë si dhe mungesën e transparencës, duke ushqyer dyshimet për mungesë pavarësie hetimore.