![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Tomislav-Karamarko.jpg)
Një gazetë kroate publikoi dokumente që tregonin se zëvendës kryeministri Tomislav Karamarko punoi për një lobist hungarez të kompanisë së energjisë MOL, duke ngritur pikëpyetje për konflikt interesi.
![Tomislav Karamarko. Foto: BETAPHOTO/HINA/Denis CERIC/MO](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Tomislav-Karamarko-533x400.jpg)
Nacional njoftoi të martën se zëvendës kryeministri kroat Tomislav Karamarko ka pasur lidhje biznesi me Josip Petroviç, një lobist për kompaninë e energjisë hungareze MOL, në të njëjtën kohë kur po punonte për Agjencinë e Kundërzbulimit të Kroacisë.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Nacional, një kompani e themeluar nga Karamarko e quajtur Soboli u punësua në vitin 2004 nga Petroviç, gjatë kohës së tij si anëtar i bordit ekzekutiv të kompanisë kroate të energjisë INA, për të bërë vlerësime të fshehta biznesi për të.
Në atë kohë, Karamarko ishte kryetari i bordit Soboli, si dhe kreu i Agjencisë së Kundërzbulimit, POA të Kroacisë, dhe ishte i angazhuar personalisht për të bërë raporte për Perkoviç për zhvillimet në sektorin e energjisë në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi.
Dokumentet e publikuara nga Nacional tregojnë se raportet e Karamarkos iu paraqitën Petroviçit nga INA në mars të vitit 2005.
Lidhjet personale midis Petroviç dhe Karamarko u zbuluan për herë të parë në muajin prill, kur Petroviç dëshmoi në një gjyq ndërkombëtar arbitrazhi në Londër midis Kroacisë dhe MOL mbi të drejtat e menaxhimit të INA, ku MOL mban rreth 49 për qind të aksioneve.
Karamarko pranoi miqësinë e tij me Petroviç.
Një skandal shpërtheu më herët këtë muaj, kur Nacional zbuloi se gruaja e Karamarkos, Ana Sariç Karamarko, ka marrë mbi 60.000 euro nga kompania e Petroviçit për shërbimet e pretenduara këshilluese në sektorin e energjisë.
Dokumente të tjera më pas treguan se menaxherët e MOL, disa prej të cilëve kishin edhe poste në bordin ekzekutiv të INA-s, miratuan punësimin e kompanisë së Karamarkos.
Partia Social Demokratike, SDP, e qendrës së majtë, të mërkurën e kaluar ka paraqitur një kërkesë për shkarkimin e Karamarkos dhe kërkoi që një komision i posaçëm parlamentar të hetojë këtë çështje.
Komisioni parlamentar i Konfliktit të Interesave tha të mërkurën se do të hetojë çësshtjen.
Karamarko kishte mohuar çdo konflikt interesi dhe tha të mërkurën e kaluar se çështja ishte “një skandal i krijuar nga hiçi”.
Ai tha se kjo ishte vetëm një përpjekje e presidentit të SDP, Zoran Milanoviç për ta hequr atë nga detyra.
Por Karamarko, i cili është edhe kryetar i partisë kryesore të koalicionit, Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, me gjasa do të duhet të përballet me një votim në parlament, pa mbështetjen e plotë nga partneri më i fortë në qeveri, MOST.
Gazeta Vecernji njoftoi të martën se dy nga 15 deputetët e MOST do të votojnë për shkarkimin Karamarkos.
Presidenti i MOST, zëvendës kryeministri Bozo Petrov i bëri thirrje HDZ të hënën “të deklarojë pozicionin e saj” në konfliktin e supozuar të interesit të Karamarkos.
“E para që duhet të deklarojë qëndrimin e saj duhet të jetë HDZ-ja, e ndjekur nga Komisioni për Konfliktin e Interesave. Unë i bëj thirrje HDZ të thotë zyrtarisht, nëse ky është problem për ta?”, tha ai.
Sekretari i HDZ Milijan Brkiç u përgjigj se Komisioni për Konfliktin e Interesit duhet të lejohet të marrë më parë vendimin dhe më pas HDZ të sqarojë pozicionin e saj.