![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/london-big-ben_660_alicia_MA_thumb.jpg)
Ekonomistë e politikanë bullgarë dhe rumunë po shfaqin shqetësimet e tyre rreth pasojave të vendimit të Mbretërisë së Bashkuar për të dalë nga BE – ndërsa shumë migrantë të vendeve po thonë se janë të vendosur të qëndrojnë në Britani.
![Foto: Alicia MA/Twitter](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/london-big-ben_660_alicia_MA_thumb-533x400.jpg)
Zyrtarë në Bullgari dhe Rumani kanë shprehur keqardhje për votimin negativ mbi BE-në në Britani, por thonë se çdo “Brexit” i ardhshëm do të ketë vetëm një ndikim të moderuar në dy vendet e Ballkanit.
Politikanë dhe ekspertë thonë se rreziqet afatshkurtra politike dhe ekonomike për të dy vendet, të cilat u bashkuan të dy BE-së në vitin 2007, janë të menaxhueshme.
Megjithatë, ata nuk mund të garantojë statusin e ardhshëm të emigrantëve të shumtë bullgarë dhe rumunë në Britaninë e Madhe, të cilët së fundmi fituan të drejta të plota për të punuar në tregun britanik.
“Personalisht, unë nuk kam frikë për punën time pasi kam marrë një kartë blu, e cila më jep të drejtën për të jetuar dhe punuar në Mbretërinë e Bashkuar pa kufizime,” tha për BIRN Roselina Peneva, një menaxhere ndërkombëtare biznesi në një universitet ndërkombëtar.
“Por ndjesia është e pakëndshme. Të ecësh rrugëve duke e ditur se 51 për qind e njerëzve nuk të duan,” shtoi ajo, duke iu referuar rezultatit të votimit të 23 qershorit.
Ajo nuk ka në plan të shpërngulet nga Britania e Madhe, edhe pse ajo thotë se rezultati i referendumit tashmë ka pasur një efekt negativ në sektorin akademik në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ne punojmë me shumë agjentë të cilët tashmë kanë filluar t’i ridrejtojnë studentët në vende të tjera. Nëse kjo shndërrohet në një trend, do të humbasim biznesin tonë në Evropë,” tha Roselina.
Ajo është një nga të paktën 65,000 shtetasit bullgarë që kanë zgjedhur të emigrojnë në Britani.
Shumë prej tyre ngurrojnë të braktisin jetët e tyre të reja në Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht rreziqeve me të cilat do të përballen në vitet e ardhshme.
Një anketim i kryer nga Maria Spirova, gazetare e pavarur bullgare me seli në Londër, me 197 anëtarë të diasporës bullgare në Mbretërinë e Bashkuar, tregon se më shumë se 62 për qind e tyre planifikojnë të qëndrojnë në Britani dhe “të vazhdojnë të luftojnë për jetët e tyre” atje.
Më shumë se 15 për qind e pjesëmarrësve në anketë u shprehën se ata tashmë kishin marrë masa ligjore për t’u bërë banorë të përhershëm apo shtetas të Britanisë së Madhe, në mënyrë që të mos shqetësohen për anëtarësimin e saj në BE.
Desislava Yordanova, një bullgare e re që punon në një firmë shërbimesh profesionale në Londër, tha gjithashtu për BIRN se ajo nuk ka frikë se mos humb punën e saj.
“Por ndjesia që kanë në përgjithësi këtu është mungesë shprese dhe dëshpërim. Nuk e kam fjalën vetëm për bullgarët, por 90 për qind e britanikëve me të cilët unë komunikoj – miq, kolegë, klientë,” theksoi ajo.
Rreth 170,000 rumunë që punojnë në Mbretërinë e Bashkuar ndajnë shqetësime të ngjashme me ato të homologëve të tyre bullgarë.
Kushte të reja për punëtorë të huaj të ligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar do të duhet të negociohen në aspektin e të drejtave të tyre për pensione dhe përfitime sociale. Pengesat e reja për qasje në këto përfitime mund të bëjnë që disa prej tyre të largohen nga vendi.
Grupi tjetër që mund të vuajë më shumë si pasojë e daljes së Britanisë nga BE-ja, janë studentët nga dy vendet ballkanike. Rreth 6,750 rumunë dhe 6,180 bullgarë, sipas të dhënave zyrtare, po studiojnë në universitetet britanike.
Mbretëria e Bashkuar është një destinacion kryesor për studentët që duan të studiojnë jashtë shtetit, duke qenë se mund të përfitojnë nga bursa të konsiderueshme apo nga mundësia e marrjes së një kredie studentore atje.
Nëse qasja e tyre për kuota të ulëta arsimimi dhe kreditë studentore ndërpriten, shumë pak qytetarë nga dy nga vendet më të varfra të BE-së do të mund të përballojnë arsimimin në universitetet britanike.
Ognyan Zlatev, kreu i përfaqësimi të Komisionit Europian në Sofie, tha për Televizionin Kombëtar Bullgar të hënën se nuk ka asnjë “kërcënim real” për studentët, duke qenë se arsimi në Mbretërinë e Bashkuar është i pavarur dhe universitetet britanike vendosin vetë se çfarë është më e mira për ata.
Ambasadorja britanike në Bullgari, Emma Hopkins, u përpoq gjithashtu t’i qetësonte bullgarët, duke theksuar më 24 qershor se në këtë fazë status quo-ja mbetet siç është, dhe qytetarët bullgarë ende mund të përfitojnë nga të drejtat e tyre për të jetuar dhe punuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Zyrtarët më të lartë të Rumanisë i kanë dërguar gjithashtu mesazhe pozitive qytetarëve të tyre.
“Është shumë e rëndësishme që rumunët, përfshirë ata që jetojnë dhe punojnë në Mbretërinë e Bashkuar, të kuptojnë se ne duhet të ruajmë qetësinë dhe të mos shqetësohemi,” tha të premten kryeministri Dacian Ciolos.
Presidenti Klaus Iohannis vuri gjithashtu në dukje se “ekonomia e Rumanisë, si edhe monedha kombëtare, nuk do të ndikohen negativisht nga rezultatet e referendumit në Britaninë e Madhe”.
Ministria e Financave Publike e Rumanisë tha të hënën se efektet e mundshme nga dalja e Britanisë nga BE-ja do të ishin “të menaxhueshme”, duke qenë se ndikimi i kostove të larta financuese në tregjet ndërkombëtare mund të kompensohet duke përdorur rezervat e monedhës kombëtare dhe duke shtyrë kreditë shtetërore.
Një raport i lëshuar nga ING Bank të hënën tha se ndikimi i daljes së Britanisë nga BE-ja mbi Rumaninë duhet të jetë relativisht i ulët, pasi rritja ekonomike vendase është kryesisht e lidhur me konsumin privat dhe ekonomia e Rumanisë ka lidhje relativisht të ulëta të drejtpërdrejta me ekonominë në Mbretërinë e Bashkuar.
Por qasja e tyre në ekonominë dhe tregun britanik të punës nuk është e vetmja gjë që shqetëson qytetarët e Bullgarisë dhe Rumanisë në periudhën pas referendumit të 23 qershorit.
“Si një njeri që u nderua duke jetuar në valën ksenofobike kundër bullgarëve dhe rumunëve në vitin 2014 në Mbretërinë e Bashkuar, jam i shqetësuar për normalizimin e ri të retorikës së urrejtjes kundër europiano-lindorët dhe emigrantët e tjerë pas referendumit,” tha për BIRN Hristo Bozhkov, një ish- student britanik nga Bullgaria.
“Më vjen keq për njerëzit që tani ndodhen në një pozitë të tillë poshtëruese dhe politikisht të pazëshme kur jetët që ata kanë ndërtuar në Britani tashmë janë në pikëpyetje,” shtoi ai.