![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/brexit-thumb.jpg)
Një panel ekspertësh nga Shkolla e Ekonomiksit në Londër paralajmëruan se dalja e Britanisë nga BE-ja do të çojë gjithashtu edhe në rënien e ndikimit britanik në Ballkan.
![Paneli i ekspertëve. Foto: LSE](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/lse-brexit-event-533x400.jpg)
Dalja e pashmangshme e Britanisë nga BE-ja me gjasa do të çojë në një pakësim të influencës së saj dhe të zgjerimit në Ballkan – ku ka qenë një forcë aktive diplomatike në favor të zgjerimit – tha një panel ekspertësh në Shkollën e Ekonomiksit në Londër, LSE, të martën.
James Ker-Lindsay, partner i lartë kërkimi në mbi Europën Juglindore në LSE, tha se Britania ka qenë një forcë aktive dhe dashamirëse në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnje dhe Kosovë, ndonëse niveli i zgjerimit është ulur ndjeshëm në vitet e fundit. Më herët, megjithatë, ka qenë “jashtëzakonisht e rëndësishme” në kontekstin e njohjes së Kosovës si shtet, si dhe një faktor kyç në progresin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.
Në një Mbretëri të Bashkuar post-dalje, stabiliteti dhe integrimi i ardhshëm i Ballkanit do të bëhet “një çështje shumë sekondare” për Britaninë, teksa “e gjithë makineria e qeverisë” do të riorientohet për nga menaxhimi i negociatave komplekse mbi tërheqjen nga BE-ja, paralajmëroi ai.
Teksa Britania tërhiqet nga skena e Ballkanit, roli i Gjermanisë në rajon do të bëhet më i rëndësishëm.
Ishte tashmë “fuqia qendrore e pakundërshtueshme” e klubit europian, vëzhgoi Kerr-Lindsay, dhe Berlini tashmë është “vendi i duhur” ku duhet të drejtohen liderët e Ballkanit që kërkojnë këshillë dhe inkurajim.
Denisa Kostovicova, Profesoreshë e Asociuar në Politikat Globale në LSE dhe e arsimuar në Universitetin e Beogradit, ra dakord se ndikimi i tërheqjes së Britanisë nga BE-ja me gjasa do të jetë negativ për të gjithë rajonin e Ballkanit.
Me gjasa do ta ngadalësojë zgjerimin dhe kështu do të konfirmojë një ndarje de-fakto të Ballkanit në vende anëtare si Kroacia dhe në një “enklavë jashtë-BE” e përbërë nga pjesa tjetër.
Ajo e quajti këtë perspektivë shqetësuese në kuptimin e integrimit “të cekët” të rajonit me BE-në, shënuar nga aplikimi sipërfaqësor i ligjeve që nuk zbatohen në praktikë.
Ndërsa panelistët e panë Brexit si një zhvillim negativ për Ballkanin në kuptimin politik dhe diplomatik, Peter Sanfey nga EBRD tha se ndikimi ekonomik ishte shqetësimi i fundit.
Shumica e shteteve të Ballkanit kanë perspektivë të arsyeshme zhvillimi sipas standardit të BE me 2 deri në 4 për qind dhe po i shihnin projektet madhore të infrastrukturës të financuara nga BE si një ndihmë e zhvillimit dhe integrimit në të ardhmen me ekonomitë europiane.
Bankat rajonale ishin gjithashtu të kapitalizuara mirë dhe të qëndrueshme, teksa relativisht pak persona nga rajoni jetonin në Mbretërinë e Bashkuar, gjë që nënkupton se efekti për nga vala e remitancave në atdhe do të jetë i pakët – ndërsa në vetvete remitancat janë një burim i rëndësishëm i parave për disa vende të varfra të Ballkanit Perëndimor.
Sanfey tha se “ndikimi indirekt i Brexit në eurozonë është përgjithësisht çështja kryesore”, teksa Mbretëria e Bashkuar është një nga ekonomitë më të suksesshme dhe një kontribuuese madhore e fondeve të BE-së.