![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/donaldlu.jpg)
Ambasadori amerikan, Donald Lu e quajti të papranueshëm për Shtetet e Bashkuara propozimin e Bashës dhe refuzoi tërheqjen e Ramës nga negociatat. “Ose të gjejnë një zgjidhje, ose të mbyllen përjetë në sallën e atij takimi”.
![Ambasadori i ri Amerikan në Tiranë, Donald Lu, duke folur gjatë konferencës së parë për shtyp në Shqipëri | Foto nga : Adnan Beci/LSA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/donaldlu-300x180.jpg)
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu përsëriti mesazhin se reforma në drejtësi duhet të miratohet më 21 korrik, ndërsa sfidoi kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e opozitës, Lulzim Basha të takohen për herë të dytë të hënën në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje.
Qëndrimi i ambasadorit amerikan erdhi pas pingpongut të deklaratave në distancë mes kryeministrit Rama dhe kundërshtarit të tij politik, Lulzim Basha, të cilat konfirmuan futjen në qorrsokak të negociatave për reformën në drejtësi.
Duke shprehur haptazi zhgënjimin dhe acarimin me liderët politikë të Shqipërisë, Lu fshikulloi në një deklaratë për median si Bashën, ashtu edhe qëndrimin më të fundit të kryeministrit Edi Rama se “hiqte dorë nga negociatat”.
“Sot zoti Basha tha se kishte vendosur në tavolinë një propozim të vlefshëm. I thashë zotit Basha se propozimi i tij ishte i papranueshëm për Shtetet e Bashkuara dhe i kujtova atij se ka thyer zotimin e dhënë ditën e dielë ndaj ndihmës/sekretares Nuland,” tha Lu.
“Unë e refuzoj edhe këtë rol (të Ramës). Përgjegjësia për zgjidhjen e problemeve politike të Shqipërisë është e politikanëve shqiptarë,” shtoi ambasadori, duke iu referuar qëndrimit të kryeministrit.
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Tiranë inkurajoi një takim të dytë Rama-Basha, me besimin se ka ende kohë për kompromis deri në seancën e së enjtes.
“E sfidoj kryeministrin dhe kreun e opozitës të takohen ballë për ballë të hënën dhe të premtojnë publikisht se nuk do të largohen nga salla e takimit derisa të kenë një zgjidhje për çështjen e fundit të kësaj reforme,” tha ambasadori Lu.
“Ose të gjejnë një zgjidhje… ose të mbyllen së bashku në sallën e atij takimi, përjetë,” shtoi ai.
Mesazhi i fortë i Shteteve të Bashkuara synon të rifusë në shina negociatat për reformën në drejtësi në funksion të arritjes së konsensusit që do të mundësonte miratimin e saj më 21 korrik. Pika e vetme që ndan palët është roli i ndërkombëtarëve në përzgjedhjen e ekspertëve që do të skanojnë gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë.
Pasi mbrojti qëndrimin për një rol kyç të vëzhguesve ndërkombëtarë në këtë proces, Rama tha të premten se është dakord me çdo formulë të Partisë Demokratike që do të merrte miratimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.
Por Partia Demokratike këmbëngul në propozimin e saj, i cili përjashton ndërkombëtarët nga vendimarrja për kandidatët dhe i zgjedh ata përmes një formule bi-partizane. Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës është gjithashtu një aktor i rëndësishëm në këtë debat, por në dy ditët e fundit, LSI ka afruar qëndrimin e saj me PD për reformën në drejtësi.
Në deklaratën e tij para mediave, ambasadori amerikan e vuri sërish theksin tek kundërshtarët e vërtetë të reformës për drejtësi, ndërsa shprehu besimin se ka ende kohë për të gjetur një zgjidhje.
“Disa muaj më parë pyeta se kush ka më shumë frikë nga kjo reformë. Krerët e krimit të organizuar, gjyqtarët e korruptuar apo politikanët kriminelë? Përgjigja sot është e qartë. Të gjithë ata kanë frikë dhe të gjithë po e luftojnë,” tha Lu.
Ndërsa inkurajoi një zgjidhje përmes një takimi të ri mes Ramës dhe Bashës, Lu deklaroi se Kuvendi duhet ta miratojë këtë reformë edhe nëse liderët dështojnë.
“Harku i historisë është i gjatë, por anon nga drejtësia. Reforma në drejtësi do të miratohet. E vetmja pyetje është nëse ky Kuvend dhe udhëheqësit e partive politike do të mbahen mend për suksesin apo për dështimin e saj,” përfundoi ambasadori Lu.