Aktori, regjisori dhe producenti amerikan, Robert De Niro do të jetë i ftuar special në Festivalin e Filmit në Sarajevë këtë javë, ku ai do të marrë çmimin më të lartë të karrierës nga festivali.
De Niro, i cili ka fituar dy çmime Oskar, do të marrë të parën Zemër të Nderit të Sarajevës – Çmimi i Karrierës për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin kinematografik në natën hapëse të festivalit të 22-të më 12 gusht.
“Jemi të nderuar të kemi Robert De Niron si të vlerësuarin e parë me Çmimin e Karrierës – Zemra e Nderit të Sarajevës”, tha Mirsad Purivatra, drejtor i Festivalit të Filmit të Sarajevës.
“Që kur u takuam dhjetë vite më parë në Festivalin e Filmit Tribeka, shpresonim që Robert De Niro të mund të vinte në Sarajevë. Kjo ditë ka ardhur dhe si një profesionist i filmit dhe një adhurues i madh i kinematografisë, jam i sigurt se flas për të gjithë audiencën dhe kinematografët e tjerë kur them se jemi shumë entuziastë”, shtoi Purivatra.
Përveç marrjes së çmimit, De Niro do të jetë gjithashtu i pranishëm në shfaqjen e filmit të restauruar të Martin Scorsese “Taxi Driver” (Shoferi i taksisë), në të cilin ai ishte protagonist; për të shënuar 40-vjetorin e publikimit të filmit.
“Taxi Driver” do të shfaqet si pjesë e Programit prestigjioz në Qiell të Hapur në sallën më të madhe të projektimit të festivalit, ku De Niro do të marrë gjithashtu çmimin përpara një audience me 3000 entuziastë të filmave.
Aktori i njohur do të flasë gjithashtu për karrierën e tij me audiencën e festivalit në Teatrin Kombëtar në Sarajevë gjatë një bisede me Mike Goodridge, një ish-gazetar dhe drejtor i Protagonist Pictures me bazë në Londër, i cili harton programin e seksionit Kinescope të festivalit.