![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Nestali-640.png)
Ka ende 10,653 persona të zhdukur në ish-Jugosllavi, por procesi i gjetjes së tyre po pengohet nga ndarjet midis vendeve në rajon, paralajmëruan autoritetet serbe.
![Familjarë duke bërë nderimet e tyre në monumentin për personat e zhdukur në Beograd. Foto: BIRN/Milivoje Pantovic.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Nestali-640-533x400.png)
Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur të martën, zyrtarë serbë dhe shoqata të personave të zhdukur thanë në një konferencë për shtyp në Beograd se gjetja e 10,653 personave që u zhdukën gjatë luftërave në ish-Jugosllavi në vitet 1990 mbetet një përparësi kritike.
Kreu i Komisionit Serb për Personat e Zhdukur, Veljko Odaloviç, u shpreh se procesi i identifikimit të personave të zhdukur në vendet fqinje kishte të meta.
Ai tha gjithashtu se më shumë se 4,000 nga personat e zhdukur janë serbë.
“Serbia është përballur me problemin e saj për personat e zhdukur në territorin e saj, megjithatë, Kroacia, Bosnja dhe Kosova nuk janë përballur me këtë problem. Ne po kërkojmë që personat e zhdukur të gjenden dhe se nuk ka ndarje të viktimave,” tha Odaloviç në konferencën për shtyp.
Ai tha se një takim me homologët e tij kroatë që ishte planifikuar të mbahej në muajin korrik nuk u zhvilluar dhe u shpreh se në Kroaci nuk kishte dëshirë të gjendeshin trupat e serbëve të zhdukur dhe të ndiqeshin penalisht personat përgjegjës për vdekjet e tyre.
Ai tha gjithashtu se ka pasur probleme në Bosnjë dhe Hercegovinë për gjetjen e personave të zhdukur, sepse institucione të ndryshme kontrolloheshin nga grupe të ndryshme etnike.
“Kur vjen puna te Kosova, ne shpresojmë që komuniteti ndërkombëtar t’i bëjë asaj presion që t’i përkushtohet më shumë këtij problemi,” shtoi ai.
“Problemi i personave të zhdukur duhet të zgjidhet, sepse është një rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve në rajon. Serbia po ndan informacionet e saj mbi personat e zhdukur dhe shpresojmë që të tjerët të jenë edhe më bashkëpunues,” tha ai.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha të hënën se çështja e personave të zhdukur mbetet një nga plagët më të rënda që shkaktoi lufta në Kosovë dhe këmbënguli se autoritetet ishin të angazhuar për zgjidhjen e kësaj çështje.
Prishtina shpesh ka akuzuar autoritetet e Beogradit për mungesë bashkëpunimi në gjetjen e varreve masive ku janë varrosur shqiptarët e Kosovës që u vranë nga forcat serbe.
Dragan Pjevaç, një anëtar i Koalicionit të Serbisë për Personat e Zhdukur, tha në konferencën për shtyp se në Kroaci mbeten ende për t’u zhvarrosur 144 varre.
“Pavarësisht kësaj, dihet se gjatë dy viteve të fundit në Kroaci nuk ka pasur zhvarrime varresh masive, ndërsa në Kosovë gjatë kësaj kohe ka pasur vetëm katër të tilla,” tha Pjevaç.
Ai tha se koalicioni i tij ndjen keqardhje për të gjitha viktimat e pafajshme në rajon, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike apo fetare.
Koalicioni i dërgoi një letër kryeministrit Aleksandër Vuçiç duke i bërë atij thirrje të bëjë më shumë për të gjetur personat ende të zhdukur, duke argumentuar gjithashtu se kjo mund të ndihmonte në normalizimin e marrëdhënieve në rajon.
Pas konferencës për shtyp, disa nga familjet e të zhdukurve shkuan në një monument të ngritur për serbët e zhdukur gjatë luftërave të viteve 1990 në Parkun Tasmajdan në Beograd, duke mbajtur trëndafila të kuq si simbole të humbjes së tyre.