![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Refugees-Anadolu-Agency-4x3-1.png)
Tetë refugjatë nga Lindja e Mesme e kanë drejtuar çështjen e tyre kundër Maqedonisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, me pretendimin se atyre u janë shkelur të drejtat e njeriut gjatë kthimit në Greqi.
![Refugjatët në kufirin Greqi-Maqedoni. Foto: Anadolu Agency](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Refugees-Anadolu-Agency-4x3-1-533x400.png)
Tetë persona nga Siria, Iraku dhe Afganistani po hedhin në gjyq të Strasburgut Maqedoninë, duke pretenduar se dëbimi me forcë i refugjatëve nga ana e saj ka shkelur Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Të ndihmuar nga dy OJF, Qendra Europiane për të Drejtat Kushtetuese dhe ato të Njeriut, ECCHR dhe Pro Asyl, dy gra dhe gjashtë burra dorëzuan padinë e tyre në Strasburg më 13 shtator.
“Mbyllja e kufirit Greqi-Maqedoni e bëri de fakto hyrjen e tyre në mënyrë të ligjshme në Europë përmes itinerarit të Ballkanit, të pamundur,” u citua të ketë thënë sekretari i përgjithshëm i ECCHR, Wolfgang Kaleck.
Zëdhënësi i Pro Asyl për Europën, Karl Kopp, tha se gjykata ofron shpresë se viktimat e dëbimeve sistematike dhe të paligjshme nga Maqedonia në Greqi mund të gjejnë drejtësi”.
Tetë personat, emrat e të cilëve nuk janë zbuluar për arsye privatësie thonë se kaluan kufirin Greqi-Maqedoni bashkë me 1500 të tjerë më 14 mars 2016.
Maqedonia sapo kishte mbyllur kufirin e saj jugor për refugjatët dhe ndërtoi një gardh me tela me gjemba për të ndaluar hyrjet e paligjshme.
Kjo shkaktoi një grumbullim të mijëra refugjatëve në anën greke, pranë pikës kufitare të Idomenit, të cilët shpresonin të kalonin kufirin dhe të vazhdonin udhëtimin e tyre në Europën Perëndimore.
“Ushtria maqedonase i pengoi ata dhe i detyroi të ktheheshin në Greqi përmes vrimave të improvizuara në gardhin e ndërtuar së fundmi. Paditësit nuk kishin mundësi të kërkonin për azil apo veprim ligjor ndaj deportimit të tyre prej FYROM,” tha ECCHR përmes një deklarate për shtyp.
Në deklaratë thuhej se kthimet ishin kryer pa marrë në konsideratë rrethanat individuale dhe në shkelje me Nenin 4, Protokollin 4 [ndalimi i dëbimit kolektiv] dhe Nenit 13 [të drejtës për trajtim të drejtë] të Konventës së të Drejtave të Njeriut.
Ministria e jashtme maqedonase i tha BIRN se kishte nevojë për më tepër kohë për të analizuar situatën e saj mbi çështjen para se të jepte ndonjë koment.
Maqedonia e mbylli kufirin e saj për emigrantët dhe refugjatët pas shembullit të Sllovenisë dhe vendeve të tjera në të ashtuquajturin itinerar i Ballkanit drejt Europës Perëndimore.
Qeveria e Shkupit pretendoi se nuk mund të pranonte asnjë person pa u siguruar që do të vazhdonte udhëtimin.
Të paktë 12,000 persona mbetën për dy muaj në Idomeni, në anën greke të kufirit, në një kamp të improvizuar dhe jetuan në kushte jo të mira.
Në disa raste pati tensione që përshkallëzuan në përplasje të dhunshme mes forcave të sigurisë maqedonase dhe refugjatëve që u përpoqën të hynin me dhunë.
Tensionet ranë kur Greqia filloi të shpërndante refugjatët në kampe të tjera larg kufirit.