![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/610.jpg)
“Ndërsa miliona refugjatë janë detyruar të largohen nga atdheu i tyre drejt vendeve të tjera më të sigurta, ata janë të detyruar të zbulojnë te autoritetet pritëse informacione personale, të cilat qeveritë duhet të marrin masa t’i sigurojnë përballë çdo keqpërdorimi,” paralajmëron Inga Kroener.
![Wafaa Bukai, 25 vjeçe, studente nga Damasku, Siri, mban fotografitë teksa pret për të vëllain të kalojë kufirin nga Serbia në Hungari. Ndryshe nga të tjerët që preferojnë mënyrat elektronike të ruajtjes së fotove, ajo tregon albumin fotografik të fëmijërisë. (AP Photo/Darko Vojinovic)](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/610-578x400.jpg)
Me njerëzit që po e jetojnë shumicën e jetës së tyre online sot, është më e lehtë se kurrë që qeveritë dhe kompanitë të mbledhin sasi të mëdha informacioni personal. Nuk është çudi që privatësia e të dhënave është një çështje e nxehtë. Por ka shumë njerëz të lënë jashtë këtyre debateve. Dhe fatkeqësisht, ata janë njerëzit që kanë nevojë për vëmendjen më të madhe.
Ndërsa shumica e kompanive si Facebook dhe Google duan të mbledhin të dhëna rreth përdoruesve të tyre, ka kufizime në pushtetin e tyre. Shumicën e herëve, ka një mënyrë për të mos ofruar të dhëna personale, edhe nëse ndonjëherë kjo gjendet në një grup të ngatërruar parashikimesh privatësie. Nëse këto shmangie nuk janë mjaftueshëm bindëse, ka motorë kërkimi ose ofrues shërbimi emaili të përqendruar te privatësia.
Por disa popullata vulnerabël – si për pesë milionë sirianët që janë detyruar të largohen nga atdheu i tyre – nuk mund të shmangen, nëse nuk duan të kthehen sërish në zonën e luftës. Nëse ata shpresojnë të marrin statusin e refugjatit – pa përmendur ushqim, veshje, strehim apo nevoja të tjera bazike – duhet të japin çfarëdolloj informacioni që OJQ-të, agjencitë e ndihmës dhe punonjësit humanitarë kërkojnë. Me fjalë të tjera, për refugjatët, dhënia e informacionit personal, nga besimi fetar te të dhënat biometrike mund të jetë çështje jetë a vdekje.
Por po sikur këto të dhëna të binin në duar të gabuara? Me organizatat përgjegjëse për sigurinë e të dhënave që operojnë në burime të pakëta, rrethana të presionit të madh, kjo nuk është një pyetje e paarsyeshme. Refugjatët e ekspozuar mund të jenë në rrezik serioz.
Informacioni sensitiv po qarkullohet në një grup gjithnjë e më të madh, si institucionet financiare të palës së tretë, zhvilluesit e teknologjisë, ofruesit e shërbimit kompjuterik dhe agjenci të tjera humanitare. Çdo herë që një informacion ndahet – pavarësisht nëse është një bazë e re të dhënash apo dhënie e aksesit të një pale të re – rreziku i cenimit të privatësisë shtohet.
Nuk mungojnë grupet që do të donin shumë të merrnin këto të dhëna. Gjatë viteve të shkuara, Ushtria Elektronike Siriane, që mbështet regjimin brutal të presidentit Bashar al-Assad, ka piratuar me sukses disa databaza të kyçura.
Sigurisht, kjo nuk do të thotë se mbledhja e të dhënave mbi refugjatët është në thelb e gabuar. Realiteti është se shumë qeveri nuk mund të justifikojnë pranimin e refugjatëve pa një proces të kontrollit të të shkuarës – dhe kjo kërkon të dhëna. Për më tepër, përdorimi i të dhënave biometrike si skanimi i irisit të syrit, në vend të kartave bankare, ofron disa avantazhe për dhënien e ndihmës, duke siguruar marrjen e ndihmës nga personi i caktuar.
Por duhet vlerësuar nëse të gjitha llojet e të dhënave që po mblidhen nevojiten realisht. A çon përpara mbledhja e tyre objektivat e ofrimit të ndihmës te refugjatët? A janë përfitimet e përdorimit të të dhënave biometrike aq të larta saqë refugjatët nuk kanë alternativë? (Sipas një raporti të vitit 2013, shumë refugjatë janë të shqetësuar për ofrimin e të dhënave biometrike).
Për të dhënat që cilësohen si të dobishme dhe të nevojshme, duhet rishikuar mbledhja, ruajtja dhe procesi i shpërndarjes në mënyrë që të sigurohet që informacioni privat të mos komprometohet. Shkëmbimi i të dhënave mes kompanive, grupeve humanitare dhe agjencive qeveritare duhet lejuar vetëm kur është vërtet i nevojshëm dhe duhet të kryhet në mënyrë sa më të sigurt që të jetë e mundur.
Privatësia nuk është privilegj – një komoditet prej të cilit njerëzit e dëshpëruar duhet të heqin dorë. Është një e drejtë thelbësore e njeriut, e përfshirë në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Ligji ndërkombëtar detyron ata që mbledhin dhe përpunojnë të dhënat t’i mbrojnë të dhënat që përmbajnë informacione personale, veçanërisht në kontekstin e monitorimit të shkallës së gjerë të njerëzve.
Megjithëse disa organizata qeveritare ndërkombëtare përjashtohen nga këto kërkesa, organizata të tilla duhet të kërkojnë të zbatojnë praktikat më të mira në lidhje me privatësinë, etikën dhe mbrojtjen e të dhënave. Mbi të gjitha, nuk ka shumë kuptim të mblidhen të dhëna për hir të mbrojtjes së popullatave vulnerabël, vetëm për t’i lënë ato të dhëna të ekspozuara ndaj shkeljeve të palëve të rrezikshme.
Hapi i parë është të kryhet një vlerësim i impaktit në privatësi (PIA). Një PIA është një mjet i përdorur për të identifikuar, analizuar dhe lehtësuar rreziqet e privatësisë që lindin nga sistemet apo proceset teknologjike. Ndërsa nuk ka asnjë qasje të caktuar të ndërmarrjes së një PIA, eksperienca ka prodhuar disa praktika të mira, që lidhen me parime dhe kritere privatësise, sipas të cilave duhen vlerësuar sistemet për mbledhjen, ruajtjen dhe shpërndarjen e të dhënave të refugjatëve.
Që një PIA të funksionojë, duhet të vihet privatësia në peshore krah faktorëve të tjerë të ngutshëm si parashikimi i ndihmës efikase. Duke qenë se mungon eksperienca për një lloj të tillë vlerësimi, korniza dhe ata që e aplikojnë atë duhet të jenë freksibël. Në kushte që po ndryshojnë vazhdimisht, në përgjigje të nevojave dhe kapaciteteve të një morie palësh, një qasje me elementë cilësorë është e nevojshme.
Nuk ka metodologji perfekte dhe praktika gjithnjë ndryshon nga teoria. Por një PIA e cilësisë së lartë mund të ndihmojë një organizatë të vlerësojë dhe lehtësojë rreziqet e privatësisë të lidhura me përdorimin e teknologjisë së komunikimit dhe informacionit, teknologjitë biometrike, pajisjet e gjurmimit të vendndodhjes dhe kështu me radhë. Nuk është një zgjidhje për sifdat e privatësisë me të cilat përballen refugjatët dhe mbrojtësit e tyre, por është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur.