![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Frendo-1.jpg)
Imzot George Frendo ngjitet në krye të kishës katolike në Shqipëri pas ndarjes nga jeta të Imzot Rrok Mirditës.
![Imzot George Frendo gjatë një meshe.](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Imzot-George-Frendo-217x300.jpg)
Papa Françesku emëron Imzot George Frendo si pasues të Rrok Mirditës në kishën katolike në Shqipëri, duke e shpallur atë arqipeshkv të dioqezës së Tiranës dhe Durrësit. Lajmi i emërimit u dha mesditën e së enjtes në katedralen e Shën Palit në Tiranë, në praninë e meshtarëve dhe besimtarëve katolikë.
Njëkohësisht, lajmi për kreun e ri të kishës katolike shqiptare është bërë i ditur edhe nga salla e Shtypit e Vatikanit dhe gazeta zyrtare e Vatikanit, “Osservattore Romano”.
“Caktimi i Imzot Frendos si Arqipeshkëv është edhe një shenjë e dashurisë së Papës Françesku për Shqipërinë, të cilën e ka treguar në shumë raste, qysh me vizitën e tij në shtator 2014, me firmosjen e dekretit të Lumninit të 38 martirëve dhe me emërimin e Dom Ernest Troshanit Kardinal,” shkruhet aty.
Imzot Frendo ngjitet në krye të Kishës Katolike në Shqipëri pas ndarjes nga jeta të Rrok Mirditës në dhjetor 2015. I lindur në Maltë në një familje prej shtatë fëmijësh, ai hyri në Urdhrin e Predikatarëve dhe ndoqi studimet për filozofi e teologji pranë kolegjit Filozofik- Teologjik Sancti Thomae Aquinatis në Rabat të Maltës.
Në Shqipëri, ai ka kryer një sërë detyrash, fillimisht si famullitar në Durrës e më pas si Ipeshkëv Ndihmës dhe famullitar i Katedrales së Shën Palit në Tiranë.