![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/harmanli-rasheed-thumb.jpg)
Policë dhe refugjatë janë dërguar në spital pas përplasjeve të dhunshme në kampin më të madh të refugjatëve në qytetin juglindor të Harmanlit të enjten në mbrëmje.
![Policia speciale në kampin më të madh të refugjatëve në Bullgari. Foto: Rasheed Allawi](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/harmanli-rasheed-thumb-600x400.jpg)
Rreth 400 refugjatë janë paraburgosur për vandalizëm gjatë një përplasje masive që ndodhi në qendrën e pritjes së refugjatëve në qytetin Harmanli në Bullgarinë juglindore të enjten, tha ministria e brendshme bullgare të shtunën.
Ministria raportoi se 24 oficerë mbetën të lënduar gjatë përleshjeve me refugjatët të enjten, ku policia përdori ujë dhe fishekë gome.
Petya Parvanova, drejtor nga Agjencia Shtetërore për Refugjatët, SAR, u tha gazetarëve se tre refugjatë u dërguan në spital pas përleshjeve.
Megjithatë, fotografitë e publikuara nga vullnetarët e kampit tregojnë shumë të rinj me plagë dhe shenja në fytyrë dhe trup, të cilat sipas tyre kishin ardhur si rezultat i rrahjeve të policisë në kamp pas trazirave.
Sipas këtyre raporteve, burra dhe disa minoren ishin rrahur nga policia me shkopinj gome pavarësisht nëse kishin marrë apo jo pjesë në përplasje.
Tensionet në kamp, ku strehohen 3000 azilkërkues shpërthyen në mesditën e të enjtes pasi SAR të mërkurën tha se do të izolonte kampin, nga frika e sëmundjeve infektive.
Refugjatët e zemëruar hodhën gurë, dogjën goma dhe thyen pajisjet e kampit në shenjë proteste. Zyrtarët e policisë së pari e morën situatën në kontroll por pastaj dhuna përshkallëzoi sërish në mbrëmje dhe pushoi vetëm në orët e para të të premtes.
Masat e izolimit të kampit u morën pas ankesave nga vendasit të cilët kishin frikë se do të ndodhte një përhapje epidemie nga kampi në popullatën vendase.
Skuadrat e doktorëve të ngarkuar me kontrollimin e situatës shëndetësore në kamp do të hyjnë brenda vetëm të hënën.
Refugjatët u ankuan se nuk ishin të informuar rreth masave të izolimit dhe me moslejimin e papritur të qarkullimit të lirë.
Parvanova tha se shumica e refugjatëve që morën pjesë në përleshje ishin nga Afganistani.
Kryeministri në largim Boyko Borissov mbërriti në vendngjarje të enjten dhe tha se Bullgaria do të fillojë deportimin e migrantëve afganë në dhjetor.
Ai tha se çdo emigrant që ka shkelur rendin publik do të çohet në objekte të mbyllura dhe i mohoi raportimet për dhunë policore.
Borissov gjithashtu paralajmëroi bullgarët të mos e merrnin ligjin në duar te tyre, pasi vendasit e zemëruar kërkuan të hyjnë në kamp të enjten në mbrëmje, duke u ankuar për rrezik sulmesh terroriste.
Të premten, Komiteti i Helsinkit në Bullgari akuzoi partitë nacionaliste dhe organizata të tjera që kanë mbajtur protesta anti-emigrantë në Harmanli dhe gjetkë, duke nxitur tensione mes vendasve dhe refugjatëve.
Një grindje masive në Harmanli tronditi vendasit dhe shtoi tensionet etnike në qytet në gusht.