![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/The-change-we-believe-in-the-poster-of-Davor-Bernardic-from-the-campaign-640.png)
Favoriti i raundit të parë, Davor Bernardic ka fituar zgjedhjet për kryetarin e Partisë Social-Demokrate me shumicë të thellë, me premtimin për ta rikthyer partinë në kursin e saj të majtë.
![Davor Bernardic në posterin e fushatës së tij për kreun e PSD. Foto: Facebook](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/The-change-we-believe-in-the-poster-of-Davor-Bernardic-from-the-campaign-640-300x225.png)
Të shtunën, 36 vjeçari Bernardic u zgjodh lideri i Partisë Social-Demokrate, partia më e fortë e opozitës kroate, duke mundur kundërshtarin e tij, ish-ministrin e Brendshëm, Ranko Ostojic.
Me 91 për qind të votave të numëruara tashmë, Bernardic-lideri më i ri në moshë i së majtës ka marrë 64.5 për qind të votave. Ai është parë si një favorit i qartë i fitores, pasi grumbulloi 46 për qind në raundin e parë të votimit. Ostojic mori vetëm 23 pqë qind.
“Sot ka fituar Partia Social-Demokrate, ju falenderoj të gjithëve nga zemra. Dua të falenderoj Zoran Milanovic [kryetari në detyrë] për gjithçka që ka bërë,” tha Bernardic.
“Dua të falenderoj njerëzit që më kanë mbështetur mua gjithë këto vite, edhe në kohë shumë të vështira. Faleminderit shokë nga zemra,” tha Bernardic në fjalimin e së shtunës mbrëma pasi fitorja ishte shpallur në selinë e partisë në Zagreb.
Bernardic ka qenë President i organizës rinore të PSD mes 2005-2009 dhe një anëtar i Parlamentit prej vitit 2008 e në vazhdim.
Pasi Partia Social-Demokrate u kritikua në vitet e fundit për marrjen e një pozicioni të qendrës, Bernardic dhe gjashtë kandidatë të tjerë në votimet e raundit të parë premtoi se do ta kthente partinë në rrënjët e veta të së majtës.
Gjithsesi, ndërsa Bernardic konsiderohet si një politikan i moderuar dhe me një mbështetje të fortë në Zagreb, ai është gjendur shpesh në kritika për mosmarrjen e një pozicioni në çështjet kyçe.
Të shtunën ai shpalli inisiativën e “ndërtimit të një shoqërie të re” të shanseve të barabarta. Ai tha gjithashtu se PSD do të kujdesej për të varfrit dhe punëtorët, po aq sa do të reformojë sistemin shëndetësor dhe atë arsimor, pa dhënë detaje se si do të ishin këto reforma.
Rivali i tij në zgjedhjet partiake, Ostojic e përgëzoi Bernardic për fitoren.
“Unë do t’i jap atij mbështetjen time. Urime të gjithëve që votuan. Urime PSD për demokracinë. Urime për fitoren Davor,” tha Ostojic.
Zoran Milanovic, ish-kryeministri i Kroacisë dhe kryetari në detyrë i së majtës erdhi gjithashtu në seli për të uruar fituesin, por paralajmëroi për sfidat e ardhshme dhe u bëri thirrje anëtarëve të partisë që të ishin të ndershëm me liderin e ri.
Milanovic e drejtoi PSD prej vitit 2007, por vendosi të tërhiqej pas rezultatit shokues të zgjedhjeve parlamentare të shtatorit.
Qeveria aktuale drejtohet nga rivali tradicional i Social-Demokratëve, Bashkimi Demokratik i Kroacisë, i cili fitoi 61 vende në parlament dhe formoi qeverinë në koalicion me disa parti të tjera të vogla.
Milanovic mori drejtimin e PSD pas vdekjes së Ivica Racan, i cili e kishte drejtuar partinë nga viti 1990. Partia Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik janë partitë dominante të Kroacisë, të cilat kanë drejtuar qeveritë e vendit prej vitit 1990.