![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Paris.jpg)
Ka qenë një kohë, menjëherë pas ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990, kur shumë francezë kishin frikë nga Gjermania. Sot, rolet janë përmbysur: në periudhën pas referendumit Brexit dhe fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA, Franca po përballet me rrezikun e fitores së populistëve, gjë që mund të shkatërrojë boshtin Franko-Gjerman.
![Paris. (AP Photo/Francois Mori)](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Paris-300x207.jpg)
Ka qenë një kohë, menjëherë pas ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990, kur shumë francezë kishin frikë nga Gjermania. Sot, rolet janë përmbysur. Por Gjermanët nuk kanë kaq shumë frikë nga Franca, se sa kanë frikë për të. Pas referendumit Brexit të qershorit, përmes të cilit Mbretëria e Bashkuar vendosi të dalë nga BE si dhe fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Franca është vendi që mund të bie viktimë e forcave shkatërrimtare populiste, në rast se votuesit zgjedhin udhëheqësen e Frontit Nacional nga ekstremi i djathtë, Marine Le Pen, si presidenten e tyre të ardhshme.
Gjermanët mund të kënaqen duke parë se si media Amerikane i referohet kancelares së tyre Angela Merkel si “mbrojtësja e fundit e Perëndimit Liberal” – një ishull stabiliteti në një oqean kaosi. Por është një gjë të përshkruhesh si nxënësi më i mirë i klasës – Gjermania është mësuar me këtë vlerësim; është një gjë krejt tjetër të ndjehesh si nxënësi i vetëm në klasë.
Ndërsa SHBA iku, me të vërtetë kanë mbetur shumë pak nxënës të mirë. Megjithëse Trump është tërhequr nga disa nga premtimet më radikale të fushatës së tij, ai nuk ka gjasa se do të heqë dorë nga përqasja “Amerika e Para”; për rrjedhojë, SHBA mund të jetë pranë ndarjes në mënyrë vendimtare me universalizmin dhe angazhimin botëror që ka karakterizuar 70 vitet e fundit.
Situata nuk është më e mirë në Europë. Polonia po ndjek gjurmët e Hungarisë drejt demokracisë joliberale. Austria, një fqinj tjetër i Gjermanisë, mund të jetë duke zgjedhur një president nga ekstremi i djathtë nacionalist si Norbert Hofer. (Hofer i humbi zgjedhjet për president të dielën, 4 dhjetor). Ndërsa britanikët janë rrugës për të dalë nga Bashkimi Europian.
Megjithatë, asnjë nga këto nuk ka gjasa të jetë po aq destabilizuese për Gjermaninë sa zgjedhja e Le Pen si presidente e Francës. Një fitore e Le Pen mund të sjellë jo vetëm braktisje të Gjermanisë, por edhe të vlerave, parimeve dhe normave që i kanë mundësuar Gjermanisë të ripajtohet me veten dhe me fqinjët e saj, duke filluar me Francën. Ajo mund të shkatërrojë aktsin Franko-Gjerman, rreth të cilit rrotullohet BAshkimi Europian.
Ajo që nevojitet tani është pikërisht e kundërta: një nisje nga e para në marrëdhëniet Franko-Gjermane. Realiteti është se Gjermania dhe Franca nuk kanë luajtur në të njëjtën kategori prej disa kohësh. Nuk është se Gjermania është bërë tepër e fortë, siç qe imagjinuar në periudhën pas-ribashkimit, por fakti është që Franca është bërë tepër e dobët, duke e lënë Gjermaninë të udhëheqë në rrugën e trajtimit të krizave të shumta të Europës së viteve të fundit.
Tashmë, Gjermania shihet gjerësisht si forca hegjemonike e Europës. Qe dora e Merkelit në të cilën Presidenti i SHBA-së Barack Obama vendosi pishtarin e demokracisë pas fitores së Trump, gjatë turneut të tij final në Europë.
Por Merkel nuk mund ta mbajë këtë pishtar e vetme. Franca duhet që qëndrojë krahas Gjermanisë, siç ka bërë më parë. Që kjo të ndodhë, Franca duhet të jetë e lartë, e fortë, me vetëbesim dhe e pranishme po aq sa Gjermania. Ajo duhet të rinovojë veten, e udhëhequr nga vlerat e veta të vjetra – vlera të cilat Le Pen dhe Fronti Nacional nuk i kanë.
Franca nuk ka nevojë të ketë të njëjtën fuqi ekonomike si Gjermania. Ajo që mund të ofrojë Franca në ditët tona është po aq e rëndësishme. Me Europën që përballet me një kombinim kërcënimesh të jashtme, të tilla si trazirat në Lindjen e Mesme dhe aventurizmin rus, dhe sfidat e brendshme, të tilla si terrorizmi i lindur në Europë, siguria dhe mbrojtja nuk mund të jenë më probleme dytësore në krahasim me politikat ekonomike. Dhe, në këto fusha, Franca ka avantazhe të qarta krahasuese.
Duke parë rreziqet me të cilat përballet Europa, pa përmendur këtu tendencat izolacioniste të Trump, marrëdhënia Franko-Gjermane do të marrë një rëndësi gjithnjë e më të madhe rajonale dhe botërore. Me Le Pen në postin e presidentit, kjo marrëdhënie është pothuajse e sigurt se do të vuaj, duke i shtyrë ngjarjet në drejtime të rrezikshme.
Që të jemi të qartë, sistemi i votimit me balotazh i Francës, i cili garanton që presidenti të marrë mbështetjen e shumicës së votuesve, e bën me pak gjasa që një kandidat radikal si Le Pen të marrë pushtetin. (Sa për krahasim, në SHBA, Trump fitoi mbi dy milionë vota më pak se sa kundërshtarja e tij, ndërsa George Ë. Bush humbi votën popullore ndaj Al Gore në vitin 2000 me mbi gjysmë milioni vota.)
Por, duke parë pakënaqësitë mes votuesve që janë zhvilluar së fundmi, gjermanët me gjasa nuk do të flenë të qetë deri sa votat e fundit të jenë numëruar. Në fund të fundit, nëse Le Pen ia del të fitojë në raundin e parë të zgjedhjeve, ajo do të fitojë një mandat të fortë dhe të qartë për të zbatuar politika të cilat shkojnë kundër vlerave themelore të Gjermanisë dhe të të gjithë Europës së pasluftës.
Natyrisht, Gjermania ka sfidat e veta politike për të kapërcyer, ku zgjedhjet federale janë përcaktuar për tetorin e ardhshëm. Zgjedhjet e kohëve të fundit për shtetet treguan se populli është dyshues ndaj hapjes, veçanërisht hapjes ndaj refugjatëve dhe homologu gjerman i Frontit Nacional, Alternativa për Gjermaninë, ka realizuar fitore të mëdha në disa rajone.
Nëse Gjermania do të vijojë të mbetet shtylla e stabilitetit siç ka qenë gjatë viteve të fundit, ajo duhet të shmangë vijimin e kësaj rruge dhe t’i japë një mandat të katërt si kancelare Merkelit. Për fat të mirë, ky është skenari i pritshëm, megjithëse nuk është tërësisht e sigurtë.
Në çdo rast, trajektorja politike e Francës do të përcaktohet shumë përpara asaj të Gjermanisë. Për të siguruar një të ardhme të sigurt dhe me mirëqenie, votuesit francezë duhet të mbështesin një person me autoritet, dituri dhe eksperiencë, i cili duhet të jetë i gatshëm të ndërmarrë reformat që nevojiten me doemos pa shkaktuar përkeqësim të mëtejshëm të ndasive shoqërore – një person që në tërësi është i ndryshëm nga Marine Le Pen. Duke vepruar në këtë mënyrë, francezët mund të dëshmojnë se është e mundur të rezistohet ndaj dallgës aktuale të populizmit të krahut të djathtë. Dhe ata mund t’i japin projektit europian një jetë të re për vijimin e suksesit.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Last Stand Against Populism