![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Modern_plovdiv-thumb.jpg)
Kompanitë e prodhimit industrial në rajonin Plovdiv, qyteti i dytë më i madh bullgar, po kërkojnë të punësojnë 5000 persona, por mungesa e kandidatëve të kualifikuar i ka bërë t’i kthejnë sytë nga vendet fqinje.
![Qyteti bullgar Plovdiv. Morris Depot Kid/CC BY 2.0](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Modern_plovdiv-thumb-533x400.jpg)
Zona Ekonomike Trakia në rajonin Plovdiv në Bullgarinë jugqendrore po lançon një fushatë të re ëpr të tërhequr punëtorë për të mbushur rreth 5000 vende të lira pune, lajmëruan të martën përfaqësuesit e bizneseve dhe autoritetet bashkiake.
Kompanitë, shumica e të cilave operojnë në sektorin industrial, planifikojnë të inkurajojnë migrimin për punë nga rajonet e Bullgarisë me papunësi të lartë, por gjithashtu nga vendet me minoritete të mëdha etnike bullgare si Ukraina, Moldavia dhe Greqia veriore.
“Gjatë disa viteve të fundit, Plovdiv e ka paraqitur veten si një lider industrial në vend – mbi 50 për qind e ekonomisë së rajonit përbëhet nga prodhimi,” tha Stefan Stoyanov, zv.kryebashkiaku i Plovdiv.
Ai shpjegoi megjithatë se sistemi arsimor i rajonit zor se mund të përballojë zhvillimin dinamik të industrisë, që ka filluar të tërheqë investime me vlerë të lartë të shtuar.
Zona Ekonomike Trakia ose TEZ, që bashkon të gjitha zonat industriale në rajone, është qendra industriale me zhvillimin më të shpejtë në Bullgari. Rreth 120 sipërmarrje, 80 prej të cilave të huaja ndodhen atje dhe punësojnë mbi 66,000 punëtorë në prodhim dhe 20,000 inxhinierë.
Industria e prodhimit në rajon po lulëzon, me rreth 50 kompani që prodhojnë pjesë makinash për një shumicë markash botërore.
“Bullgaria është vendi i tretë më i madh i prodhimit në botë, pas Kinës dhe Meksikës, me një rol kyç në tregun europian,” tha Chavdar Kamenov nga Sensata Technologies, një kompani kryesore në prodhimin e sensorëve dhe kontrolleve.
Ai shtoi se kompania po planifikon të rrisë numrin e punëtorëve në bazën Plovdiv nga 300 në rreth 1500 deri në 2000 në vitet e ardhshme.
Kamenov shpjegoi se arsimi bullgar ka mungesë fokusi te karriera në prodhimin industrial, që nëse zgjidhet “do të ndalonte largimin e trurit jashtë vendit”.
Fushata për sjelljen e punëtorëve në zonën Plovdiv do të fillojë në 2017 me vizita nga bashkitë me papunësi të lartë në Bullgari dhe jashtë, përfshirë qytetin e Odesës në Ukrainë.
Sipas Plamen Panchev, presidentit të Cluster TEZ, që merret me zhvillimin e zonës, kërkohen 5,000 punëtorë, 600 tepër të kualifikuar, 2,000 mesatarisht të kualifikuar dhe 2000 pak të kualifikuar.
Rroga mujore në industrinë e prodhimit për punëtorët me pak aftësi varion nga 500 deri në 1000 leva ose 250 deri në 500 euro, por mund të arrijë 1750 euro për punëtorët shumë të kualifikuar.
Përfaqësuesit e kompanive theksuan se planifikojnë të ofrojnë strehim dhe mundësi arsimimi për punëtorët migrues dhe familjet e tyre që do të zhvendosen në zonën Plovdiv.