![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Gruevski-Ivanov-Mandate-by-MIA-001.jpg)
Lideri i VMRO DPMNE, Nikola Gruevski, ka 20 ditë koha nga e hëna të përpiqet të sigurojë shumicën në parlamentin e vendit, pasi presidenti i dha atij mandatin.
![Nikola Gruevski i VMRO DPMNE (majtas) dhe presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov. Foto: MIA](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Gruevski-Ivanov-Mandate-by-MIA-001-533x400.jpg)
Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov të hënën i besoi Nikola Gruevskit një mandat të ri për formimin e qeverisë pasi partia e tij VMRO DPMNE fitoi me rezultat të ngushtë zgjedhjet e 11 dhjetorit.
Ai ka 20 ditë të sigurojë një shumicë me 61 vende në parlamentin me 120 vende dhe të prezantojë në parlament një ekip të ri ose të kthejë mandatin.
Bisedimet për një qeveri të re pritet të jenë të ashpra për Gruevskin partia e të cilit fitoi 51 vende në zgjedhje, vetëm dy më tepër sesa opozita e Social Demokratëve.
Për të siguruar një shumicë ai duhet të arrijë marrëveshje me një ose më shumë parti shqiptare që së bashku mbajnë 20 vende.
Të shtunën, ato e vështirësuan punën për pjesëmarrje në një koalicion qeveritar pasi nënshkruan një deklaratë të përbashkët për kushtet e tyre për çdo qeveri të re.
Deklarata ka shtatë pika, pa afate konkrete të përmbushjes, por përmban ide që ato pretendojnë se do të siguronte barazi totale mes shumicës maqedonase dhe minoritetit shqiptar – që përbën një të katërtën e popullatës.
Ata vënë në qendër sundimin e ligjit dhe drejtësinë, barazinë ekonomike, integrim më të shpejtë në BE dhe NATO dhe marrëdhënie më të mira me fqinjët.
Mes të tjerave, partitë shqiptare duan që gjuha shqipe të bëhet zyrtare në të gjithë territorin, jo vetëm në zonat ku jetojnë me shumicë.
Ata duan gjithashtu bisedime për ndryshimin e flamurit të vendit dhe himnit që të reflektohet edhe elementi shqiptar.
Ata kërkojnë gjithashtu që Maqedonia të nënshkruajë një deklaratë që dënon “gjenocidin kundër shqiptarëve” të kryer nga 1912 deri në 1956, gjatë Luftës së parë në Ballkan, kur Serbia aneksoi Maqedoninë në vitet e para të Jugosllavisë Komuniste.
Gruevskit do t’i kërkohet gjithashtu të bie dakord për zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale që u formua në 2015 për të hetuar krimin në nivel të lartë.
Gruevski dhe partnerët e tij kanë qenë deri më tani subjekte të punës kryesore të Prokurorisë specialee.
Në një intervistë për të përditshmen Dnevik në fundjavë, Gruevski shfaqi ngurrim për të pranuar të gjithë axhendën shqiptare.
“Do të përpiqem të formoj një qeveri por jo me çdo kusht,” tha ai duke shtuar se nëse ish-partneri i tij në qeveri, BDI do të nderonte parimin e pashkruar të përfshirjes në koalicion me partinë më të madhe etnike maqedonase, ai nuk do kishte problem.
Megjithatë, ai shtoi: “Nëse VMRO DPMNE si parti fitimtare nuk mbështetet nga BDI, pavarësisht kësaj VMRO DPMNE do të qeverisë të paktën për dy mandate pasardhëse”.
Nëse Gruevski do të dështojë në formimin e qeverisë, lideri i opozitës Zoran Zaev, do të marrë detyrën dhe do të përballet me të njëjta kërkesa nga partitë shqiptare.
Gjatë zgjedhjeve platforma më pak etnike e Zaevit tërhoqi vota nga shumë shqiptarë etnikë, që ishin të pakënaqur me sundimin 10-vjeçar të Gruevskit dhe me partitë shqiptare që e mbështesnin atë.