![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/kodra-varri-e-kalaja.jpg)
550-vjetori i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dhe 100-vjetori i lindjes së Piktorit të përmasave evropiane, Ibrahim Kodra, pritet ti japin një nxitje të rëndësishme turizmit në zonën bregdetare të Ishmit, në veri të Durrësit.
![Varri i Ibrahim Kodrës pranë Kalasë së Ishmit. Foto: Gëzim Kabashi/BIRN](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/kodra-varri-e-kalaja-300x200.jpg)
Por më shumë se kaq, përgatitja e dy përvjetorëve në fillim të vitit 2018 duket se ka përfshirë banorët e kësaj zone, që shquhet për traditat historike dhe pasuritë natyrore. E mbi të gjitha shihet që përpjekjet e tyre synojnë angazhimin e të gjithë aktorëve vendas dhe të huaj, që mund të kontribuojnë realisht në rizgjimin e vlerave të kësaj treve.
Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës po shikon mundësinë e bashkëpunimit për një ndërhyrje përforcimi në perimetrin e kalasë së Skënderbeut në kepin e Rodonit, një nga pikat më të bukura të bregdetit shqiptar. Një nismë e mirë e pedagogëve dhe studentëve në kuadër të 17 janarit të ardhshëm, në 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit.
Ndërkaq, para disa ditësh shoqata “Ibrahim Kodra” organizoi një takim jubilar pranë kalasë së Ishmit, aty ku prehen eshtrat e artistit të penelit, që e bëri të njohur vendlindjen e tij në të gjithë Evropën.
11 vjet pas vdekjes së piktorit që ka marrë titullin “Nderi i Kombit” organizatorët nënvizuan rëndësinë e 18 prillit të vitit 2018, kur do të festohet 100-vjetori i lindjes së Ibrahim Kodrës, i cili ka lindur vetëm pak kilometra më tej, në Likmetaj, një nga 9 fshatrat e zonës.
Bashkërendimi i punës mes Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Durrësit dhe Njësisë administrative të Ishmit do të mundësonin realizimin e një programi të përcaktuar, i cili bashkë me vlerësimin për bashkëfshatarin tonë të madh, do ti jepnin gjallëri edhe resurseve turistike të zonës-tha për BIRN, kryetari I Lulëzim Bega, duke kërkuar njëkohësisht edhe mbështetjen e kryeministrit Rama, profesionist i fushës së arteve pamore.
Hapja e një ekspozite në Ishëm me disa nga veprat e piktorit Kodra, që është emërtuar nga Pol Eluar (Paul Éluard) si “primitivi i një qytetërimi të ri” përbën një nga synimet e drejtuesve të shoqatës, që përfaqëson banorët e kësaj treve. Sipas tyre edhe 128 punimet, dhuratë e artistëve italianë për Durrësin e mjeshtrit Kodra, dhe që janë mbyllur në një nga magazinat e qytetit bregdetar, duhet të jenë pjesë e një galerie që mund të ngrihet pranë vendvarrimit të Ibrahim Kodrës.
Ishmakët e dinë që është një ndërmarrje e vështirë prandaj kërkojnë edhe mbështetjen e Behgjet Pacollit, një nga njerëzit më të afërt të piktorit nga Ishmi dhe njëkohësisht president i Fondacionit “Ibrahim Kodra”.
“Në fillimshkurtin e vitit 2006, biznesmeni kosovar ishte njeriu që e solli trupin e tij nga Milano në Ishëm, duke përmbushur amanetin e piktorit që vdiq në moshën 88-vjeçare-dëshmon skulptori Qazim Kërtusha, pinjoll i një familjeje të madhe ishmake. Më pas ndërtimi i vendvarrimit në Ishëm dhe ideja për ta transferuar atë në Tiranë apo në Durrës I kanë trazuar jo pak artistët durrsakë dhe banorët e kësaj zone. Megjithatë, Kërtusha pranon se komuniteti dhe pushteti lokal i zonës duhet të bëjnë më shumë për prezantimin dinjitoz të hapësirës ku prehet Kodra.
“Është fat që territori që dhuroi familja Kalaja dhe ku është ngritur varri i Kodrës rrethohet nga kalaja Mesjetare e Ishmit, si dhe peisazhet e mrekullueshme të fushës së Thumanës dhe të kodrave të Ishmit-thotë Bilal Kërtusha, që punon si shofer i linjës Durrës-Ishëm. Një hapësirë që duhet të mirëmbahet shumë më mirë-vlerësojnë dashamirët e Ibrahim Kodrës.
Kryetari i shoqatës Bega thotë se investimet e Pacollit do t’i jepnin gjallëri këtij territori që gjithnjë e më tepër po njihet me emrin e Ibrahim Kodrës.
Tashmë në Ishëm mbërrihet lehtësisht, si nga Tirana dhe nga Durrësi, e po ashtu rruga të çon edhe në Kepin e Rodonit, një nga destinacionet e pamundura për automjetet deri pesë vjet më parë.
Ishmi është një pasuri natyrore dhe historike e bregdetit shqiptar dhe dy përvjetorët e rëndësishëm janë një shans i mirë edhe për krijimin e një mentaliteti të ri për banorët e zonës në veri të Durrësit.
![Kepi i Rodonit dhe Kalaja e Skënderbeut. Foto: Gëzim Kabashi/BIRN](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/kalaja-e-Skenderbeut-Rodon-02-600x400.jpg)
![Kepi i Rodonit. Foto: Gëzim Kabashi/BIRN](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/kepi-i-rodonit-02-600x400.jpg)
![kodra-rodoni](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/kodra-rodoni-600x400.jpg)
![Një turiste duke fotografuar bukuritë e Kepit të Rodonit. Foto: Gëzim Kabashi/BIRN](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/rodon-01-600x400.jpg)
![Kalaja e Ishmit. Foto: Ibrahim Kodra](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/IMG_0359-600x400.jpg)
![Kalaja e Ishmit. Foto: Ibrahim Kodra](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/kalaja-e-ishmit-600x400.jpg)
![Kalaja e Ishmit. Foto: Ibrahim Kodra](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/kalaja-e-ishmit-1-600x400.jpg)
![Rrënojat e Bazilikës së Gjuricajt. Foto: Gëzim Kabashi/BIRN](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/bazilika-gjuricaj-02-600x400.jpg)
![Kepi i Rodonit dhe Kalaja e Skënderbeut. Foto: Gëzim Kabashi/BIRN](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/kalaja-e-Skenderbeut-Rodon-01-600x400.jpg)
![Turistë në Kepin e Rodonit. Foto: Gëzim Kabashi/BIRN](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/kepi-i-rodonit-01-600x400.jpg)