Pesë ditë përpara zgjedhjeve, partitë politike nuk kanë dorëzuar në KQZ emrat e komisionerëve për të paktën 1/3 e KZAZ-ve, çfarë sipas ekspertëve po ve në rrezik standardet e zgjedhjeve parlamentare.
Thirrjet e shpeshta të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve drejtuar partive politike për dorëzimin e emrave të komisionerëve për qendrat e votimit në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit, kanë rënë në vesh të shurdhët.
Partia Socialiste, Partia Demokratie, ajo Republikane dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ende nuk kanë dorëzuar asnjë e emër për komisioner për të paktën 30-të Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, KZAZ, nga 90-të që ka gjithsej vendi.
Në këto KZAZ-së nuk është përmbyllur faza e emërimeve, ndërkohë që afati i fundit i dorëzimit të listave për 37.500 komisioner që do të angazhohen në 5,362 eendra votimit që do të ngrihen në të gjithë Shqipërinë, ishte vendosur 5 Qershori.
Ekspertët i thanë BIRN se vonesat të tilla, në krijimin e strukturave që do të administrojnë zgjedhjet në qendrat e votimit, janë të krijuara qëllimisht nga subjektet politike dhe cënojnë standardin e zgjedhjeve të 25 Qershorit.
Si në të kaluarën këto standarde do të jenë nën lupën e vëzhguesve vendas dhe ndërkombëtar, raportet e të cilëve priten të vendosin nëse kjo betejë elektorale do të marrë një notë kaluese – çfarë pritet të ketë një ndikim mbi vendimin e Bashkimit Europian për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.
Brukseli e ka bërë të qartë në deklaratat publike të Komisionerit për Zgjerim Johannes Hahn, që reforma në drejtësi dhe zgjedhjet e lira dhe të ndërshme janë hapa të nevojshme për hapjen e negociatave.
Mosrespektimi i Kodit Zgjedhor nga ana e subjekteve politike ka detyruar, për të disten herë, Komisionin Qendrorë të Zgjedhjeve të ri përsërisë thirrjet për plotësimin e listave të komisionerëve.
“Jemi vetëm 6 ditë nga data e zgjedhjeve, ndaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkon partive politike të dorëzojnë menjëherë propozimet për anëtarë të komisioneve të Qendra të Votimit pranë KZAZ përkatëse,” tha zëdhënësja Drilona Hoxhaj në një deklaratë për shtyp të hënën.
Deri më tani asnjë forcë politike nuk ka dorëzuar propozimet me emrat e komisionerëve në KZAZ-të e qarqeve Shkodër, Lezhë, Fier, dhe Korçë, ndërsa në Durrës nuk kanë dorëzuar listat e komisionerëve subjektet zgjedhore si Partia Demokratike, ajo Republikane dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Në Tiranë, Elbasan dhe Gjirokastër nuk janë dorëzuar gjithashtu emrat e komisionerëve nga Partia Demokratike dhe ajo Republikane.
Për ish kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kumi, vonesat dhe përkatësia politike në emërimin e komisionerëve cënojnë standardin e zgjedhjeve.
“Edhe në zgjedhjet e tjera ka ndodhur që partitë politike të dorëzojnë emrat e komisionerëve në momentet e fundit, si një manovër që ata gjejnë për ruajtjen e votave, dhe pse ligji parashikon një afat 30 ditorë para datës së zhvillimit të zgjedhjeve,” tha Kumi.
“Partitë e kanë të drejtën t’i ndryshojnë komisionerët dhe ky është tregues i mosbesimit që ata kanë, qoftë dhe tek militantët e tyre. Subjektet politike bëjnë këtë manovra për të mënjanuar atë që rëndomë e quajnë shitje të votës nga komisioneri,” shtoi ai.
Sipas Kumit në situatën e krijuar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është vetëm në rolin e vëzhguesit dhe nuk ka asnjë fuqi ligjore për të ndërhyrë , qoftë dhe në emërimin e komisionerëve të rinj.
Dëshire Subashi , ish nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bie dakord me Kumin kur e quan papërgjegjshmëri të subjekteve politike refuzimin e dhënies së emrave për komisonerëve zgjedhor.
“Kjo është papërgjegjshmëri për ata që pengojnë ngritjen e strukturave zgjedhore , por pse jo edhe shkelje e ligjit nga partite politike,”deklaroi ajo.
Kodi Zgjedhor ka parashikuar se komisionet e qendrave të votimit ngrihet ngrihet 30 dite nga data e zgjedhjeve. Ligji ngarkon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të bëj trajnimin dhe certifikimin e aftësive profesionale të këtyre komisionereve. Sipas Subashit, bllokimi i këtij procesi cënon nivelin e trajnimit të tyre dhe për rrjedhoje krijon premisat e të funksionuarit të tyre me lidhje partiake, dhe jo sipas Kodit Zgjedhor.
Ish nënkryetarja e KQZ-së paralajmëron dhe pasojat që mund të sjell emërimi i komisionerëve në ditët e fundit përpara zgjedhjeve.
“Komisionerët zgjedhore të qendrave të votimit, duhet të marrin në dorëzim materialet zgjedhore. Kjo është një përgjegjësi e madhe për të gjithë administratën zgjedhore , sepse mungesa e një elementi apo pakujdesie është e pa tolerueshme, e bën votimin në atë qendër të rrezikojë pavlefshmërinë e zgjedhjeve dhe me pasoja deri në dështimin e një procesi zgjedhor në një qark,” tha Subashi.
“Në dukje[ngja] i vogël si problem por që ndez një konflikt politik me pasoja për një vend për katër vite,” përfundoi ajo.