![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Haradinaj_Rama_640-2.jpg)
Kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë u takuan të mërkurën në Tiranë për të diskutuar për bashkëpunimin mes vendeve dhe rrugën e përbashkët drejt integrimit në BE.
![](https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Haradinaj_Rama_640-2-533x400.jpg)
Kryeministri i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e bëri vizitën e tij të partë zyrtare jashtë vendit në Tiranë, ku takoi homologun e tij shqiptar Edi Ramën.
Pas takimit, Rama deklaroi se qeveritë e dy shteteve synonin të përqendroheshin te kompensimi i kohës së humbur duke thelluar bashkëpunimin.
Kryeministri shqiptar tha se masat do të fillonin me “lehtësimin e procedurave administrative për shtetasit që jetonin në të dy anët e kufirit,” duke thënë se synon “lëvizje të lirë” në kufi.
“Shtetasit përballen me një mur absurd që duam ta heqim, për të filluar vitin tjetër me një kufi të ngjashëm me kufijtë mes vendeve të BE-së,” tha Rama, duke shpjeguar megjithatë se disa kontrolle kufitare do të duhet të vazhdojnë të ekzistojnë.
Haradinaj tha se Kosova nuk ishte e vetme në rrugën e saj drejt integrimit europian dhe se e shihte Shqipërinë si aleatin e saj më të ngushtë.
“Jemi të vendosur ta bëjmë udhëtimin tonë drejt Bashkimit Europian me Shqipërinë,” tha kryeministri i Kosovës, pas takimit me Ramën.
Në vitin 2015, Shqipëria dhe Kosova filluan kontrollet e njëanshme në kufi por u detyruan të ktheheshin te kontrollet e dyfishta për këmbënguljes së Komisionit Europian.
Dy qeveritë pritet të takohen në datat 27 dhe 28 nëntor në ditën ku shënohet përvjetori i pavarësisë së vendit.
Kosova dhe Shqipëria gjithashtu do të festojnë së bashkë “vitin e Skënderbeut”, një iniciativë e dizejnuar për të nderuar heroin kombëtar shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
“Duam që viti i Skënderbeut të jetë një motiv për rinovimin e marrëdhënieve tona me njëri-tjetrin dhe të jetë një pikë e mirë fillimi për rrugën tonë të përbashkët, krah për krahu, për të krijuar një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët,” tha Rama gjatë konferencës për shtyp me Haradinaj të mërkurën.
Një komision do të punojë për organizimin e programit nën patronazhin simbolik të presidentëve të Shqipërisë dhe Kosovës.