Deputetë të opozitës në Kroaci kritikuan zyrtarët në Zagreb të cilët udhëzuan gazetarët të mos e pyesnin presidentin serb Aleksandër Vuçiç për retorikën e tij nacionaliste gjatë luftërave të viteve 1990.
Disa deputetë kroatë të opozitës të martën kritikuan zyrtarët që u thanë gazetarëve të mos e pyesnin Aleksandër Vuçiçin për retorikën e tij polemike gjatë luftërave të viteve 1990 gjatë një konference për shtyp që pasoi takimin e tij me presidenten kroate Kolinda Grabar Kitaroviç.
Më i zëshmi ishte Bojan Glavaseviç, një deputet i Partisë Social Demokrate të opozitës, SDP, i cili citoi raportet e mediave në të cilat gazetarët ishin udhëzuar në mënyrë specifike nga zyra e presidentes kroate që të mos e pyesnin Vuçiçin për një deklaratë që ai bëri në qytetin kroat të Glinës në mars 1995.
Në Glina, e cila në atë kohë ishte nën kontrollin e serbëve rebelë të Kroacisë, Vuçiç foli në një takim publik dhe tha: “Shteti ustash s’do të vijë më kurrë këtu.”
Fjalimi prej katër minutash në Kroaci shihet gjerësisht si nacionalist.
“Fakti që presidentja kroate i ndaloi gazetarët ta pyesnin Vuçiçin për fjalimet e tij luftënxitëse ishte një poshtërim dhe një shuplakë në fytyrën e çdo viktime të luftës,” tha Glavaseviç në parlament të martën.
Ai u shpreh se “Kroacia u poshtërua” nga vizita e Vuçiçit, pasi ai nuk erdhi si mik ose “nuk kishte ndonjë qëllim të mirë ndaj Kroacisë”.
Babai i Glavaseviçit, gazetari radiofonik Sinisa Glavaseviç, u vra në nëntor 1991, pasi qyteti lindor kroat i Vukovarit u mor nga Ushtria Popullore Jugosllave dhe paraushtarakët serbë.
Kur u njoftua për herë të parë se Vuçiç do të vinte në Zagreb, Glavaseviç përmendi çështjen sesi Partia Progresiste Serbe e Vuçiçit kishte ftuar Veselin Sljivancaninin, një ish-oficer i Ushtrisë Popullore Jugosllave i dënuar nga Gjykata e Hagës për përgjegjësinë për masakrën e Vukovarit në vitin 1991, në eventet e partisë së tij.
“Vuçiçi është njeriu që ende edhe sot është mik me Veselin Sljivancanin, kasapin e vërtetuar ligjërisht të Vukovarit,” tha Glavaseviç në fjalimin e tij të martën.
“Ka një rrugë drejt pajtimit, por Vuçiç dhe Grabar Kitaroviç nuk mund të na udhëheqin në atë rrugë. Vetëm njerëzit e mirë mund të na udhëheqin në këtë rrugë,” shtoi ai.
Miro Bulj, një deputet opozitar nga Ura e Listave të Pavarura, MOST, kritikoi gjithashtu vizitën e Vuçiçit, duke thënë se ai i tha Vuçiçit të shkonte në Glina ndërsa ai kalonte në korridoret e parlamentit të hënën.
Vuçiç të martën po viziton komunitetin serb në qytetin e Vrginmost në Kroacinë qendrore. Bulj tha se ai “duhet të shkojë në Glina dhe t’u kërkojë falje njerëzve me etni serbe”.
Ai theksoi se Vuçiç ishte një anëtar i Partisë Radikale Serbe gjatë luftërave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi.
Në një artikull për Politico të martën, Vuçiç përmendi shkurtimisht të kaluarën e tij të kohës së luftës pa kaluar në gjëra specifike.
“Si i ri që isha atëherë, nuk e kuptova se çfarë mund të fitohej nga bashkëpunimi mes vendeve të ndara. Por tani e di që vendi im pagoi një çmim të lartë për ekseset nacionaliste,” shkroi ai.
Artikulli fliste për një bashkëpunim më të madh ekonomik midis vendeve të Ballkanit, duke i bërë thirrje atyre “të përqendrohen në atë që na lidh bashkë”.
“Çështjet që na bashkojnë janë shumë më të forta sesa ato që na ndajnë,” shkroi Vuçiç.